Si iu hoq koka Vuçiqit

Pse askush nuk po e kupton çfarë po flet presidenti serb dhe përse po duket si një kalama? Një koment i Dragolub Zharkoviqit, kryeredaktor i revistës «Vreme» të Beogradit.




Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq deklaroi se Kosova në të ardhmen do të fitojë pavarësinë dhe sovranitetin në tërë territorin, por jo për shkak se ai do ta pranojë, por për shkak se nuk kaloi zgjidhja që ai ofroi, por pa saktësuar çka ka ofruar ai saktësisht dhe kujt ia ka ofruar.

Vuçiq tha në televizionin «Pink» se «çfarë ka ofruar nuk kaloi për shkak të presionit të tmerrshëm të disa vendeve dhe shërbimeve të tyre sekrete që angazhuan agjentura komplete në vende të ndryshme, politike, mediale dhe të tjera».

Ai tha se ata që e kritikojnë së pari thanë se nuk kanë dëgjuar për asnjë zgjidhje, as propozim nga ana e tij, por prapëseprapë e sulmuan.

«Shikoni çfarë hipokrizie. Thonë se nuk kanë dëgjuar asgjë se çfarë përmban ai propozim, pajtohem nuk keni dëgjuar, e përse e keni sulmuar. Për këtë ma keni hequr kokën në mënyrë metaforike, por nuk keni dëgjuar gjë se për çka bëhet fjalë, e tash kur po them se dështoi, ju po thoni se nuk kemi dëgjuar. Pa prisni njerëz, po përse e sulmuat dhe shkatërruat gjithçka e prapë nuk deshët të dëgjoni gjë», pyeti Vuçiq.

Ai shtoi se është organizuar dialogu i brendshëm, por një pjesë e opozitës nuk ofroi propozimin e saj për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

«E unë po ju pyes cila është zgjidhja përveç se Kosova në të ardhmen, jo me vullnetin tim dhe jo që unë do ta pranoj, do të ketë pavarësi e sovranitet në tërë territorin e vet, e atëherë do t’i pyes shumë nga ata që protestuan dhe folën për shumë gjëra, përse e bëtë këtë…».

Më duhet ta pranoj se asgjë nuk kuptova. Për këtë fajin ia lashë motit me vranësira të dielën në mëngjes, rrethanës se ende s’kisha pirë kafenë e parë, por, me duhet ta pranoj, se edhe pastaj kur u kthjellova mirë e mirë nuk po kuptoj asgjë.

A do ta nënshkruajë Vuçiq marrëveshjen me të cilën Kosovës do t’i pranohet sovraniteti ndërkombëtar për inat tonin që nuk e kuptuan se çka po propozonte ai, ndërsa vetë po thotë se ne as që e kemi ditur se çfarë po propozon.

Ky është reagimi i fëmijës që është zemëruar me rrethin, i cili nuk e ka kuptuar se a do të bëjë shurrën apo kakën. Në mënyrë metaforike, thua se ka mbetur pa kokë.