Si ia arriti Vuçiqi të hipnotizojë bashkësinë ndërkombëtare dhe të militarizojë Serbinë

Raporti i Nismës Europiane për Stabilitet përshkruan se si Serbia po armatoset dhe po shkakton tensione në Ballkan sidomos duke kërcënuar me intervenim në veri të Kosovës. Kryediplomatja e BE-së Federica Mogherini dhe ekipi i saj nga shumica e vendeve anëtare të BE-së konsiderohen mendjelehta.

Aleksandar Vuçiq gjatë një vizite ushtrisë serbe në një «vend të panjohur».



Mes SHBA-ve dhe Kosovës ka mospajtime rreth epilogut të negociatave me Serbinë. BE është e përçarë. Gjermania dhe SHBA-të nuk i besojnë njëra-tjetrës në Ballkan. Kryediplomatja e BE-së Federica Mogherini dhe ekipi i saj nga shumica e vendeve anëtare të BE-së konsiderohen mendjelehta. Parlamenti i Kosovës ka miratuar një rezolutë kundër gatishmërisë së presidentit Hashim Thaçi për të diskutuar mbi ndryshimin e kufijve. Në Serbi shumica e popullsisë e mbështet një president, i cili po e rikthen fuqinë ushtarake të Serbisë – gjoja për t’iu kundërpërgjigjur invadimit nga ana e «shqiptaromëdhenjve». Gazetat janë plot e përplot me nxitje të emocioneve nacionaliste. Presidenti Aleksandar Vuçiq gëzon popullaritet, ndërsa opozita është e përçarë sa i përket Kosovës.

Ky është bilanci i debatit për korrigjimin e kufijve të Kosovës brenda një viti, sipas Nismës Europiane për Stabilitet (ESI), e cila dje ka botuar një raport të gjatë mbi këtë çështje. Kjo organizatë që drejtohet nga analisti austriak Gerald Knaus pyet nëse qëllimi i debatit për ndarjen e Kosovës ka qenë ndryshimi i parametrave të politikës së Ballkanit perëndimor dhe krijimi i hapësirës që nacionalistët serbë të ndjekin qëllimet e tyre tradicionale. Në raportin e Nismës Europiane për Stabilitet presidenti serb Vuçiq përshkruhet si hipnotizues. Ai di të jetë sharmant, është aktor i mirë. Roli i tij: një burrë trupgjatë që fle pak dhe takon njerëz herët në mëngjes. Një prani dominuese në takime, ku ai flet me zë të ulët, saqë pjesëmarrësit duhet të afrohen për ta kuptuar. Lideri i fuqishëm që mysafirët e tij i siguron se i ka kuptuar dhe madje i ka anticipuar çështjet dhe pyetjet e tyre. Analisti që u flet serbëve si të ishin ata një grup fëmijësh, të cilëve ai u prin me gjithë dobësitë dhe cilësitë e mira e të këqija që kanë. Në vitin 2013 ai i tha një gazete gjermane se «ka frikë nga mentaliteti serb». Vuçiq pozicionohet si zë i arsyes dhe u thotë mysafirëve se është i vetmi në udhëheqjen serbe që nuk përkrahë bashkimin e serbëve të Bosnjës me Serbinë. Ai prezantohet si realist që e bazon politikën në fakte dhe vazhdimisht lexon anketat e matësve më të mirë të opinionit publik. Ai citon rezultatet e grupeve të fokusit dhe mban rreth vetes këshilltarë amerikanë, izraelitë, europianë. Vuçiq, theksohet më tutje në raportin e Nismës Europiane për Stabilitet, e kupton pushtetin në të gjitha format e tij: fuqinë e karizmës, të rrëfimeve, kërcënimeve të lehta, befasive dhe tajmingut, pushtetit, zgjimit të pritjeve dhe fajësimeve. Në fund të gushtit 2018 ai i prezantoi këto aftësi në një panel me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Vuçiq u prezantua si njeri i thjeshtë që po përpiqet në të gjitha mënyrat e mundshme të ruajë paqen dhe qetësinë në rajon.

Por, retorika kinse paqësore e Vuçiqi është në kundërshtim me hapat e tij për militarizimin e Serbisë, siç e dëshmojnë të dhënat e Nismës Europiane për Stabilitet. Më 10 nëntor 2018 Ministria e Mbrojtjes e Serbisë organizoi një manovër ushtarake në dhjetë lokalitete në mbarë vendin. Kjo ishte manovra më e madhe në Serbi që nga vitet ’80. Në televizion Vuçiq kështu e shpjegoi këtë demonstrim force: «Dua të kujtoj se kur u zgjodha ministër i Mbrojtjes (në korrik 2012) ne kishim vetëm një avion MIG-29, i cili nuk funksiononte dhe avionë MIG-21, të cilët për shkak të teknologjisë së vjetër quheshin arkivole… sot në ajër ishin tetë avionë MIG-29, ndërsa i kemi gjithsej dhjetë». Vuçiq precizoi se në manovër morën pjesë 100 tanke. Sa i përket tankeve «ne jemi superfuqi», tha ai. Në vitin 2019 Serbia do të marrë «nga miqtë tanë kinezë dronët e parë… sepse kjo është e ardhmja e luftës». Serbia, shtoi Vuçiq, pret po ashtu autoblinda dhe 30 tanke nga Rusia. Vuçiq paralajmëroi se 13 tanke do të kalojnë nëpër Serbi në mënyrë që qytetarët t’i adhurojnë «armët tona të reja».

Pastaj Vuçiq foli për shtetet fqinje. «Ne dhe Hungaria jemi mjaft të barabartë (sa i përket fuqisë ushtarake). Të gjithë të tjerët janë shumë larg prapa… Asnjë vend i ish-Jugosllavisë nuk është i fuqishëm sa jemi ne. Ne do ta forcojmë ushtrinë tonë në mënyrë dramatike». Në vitin 2017 Serbia ndau nga buxheti 161 milionë dollarë më shumë për mbrojtje se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit perëndimor. Radio Europa e Lirë njoftoi se në asnjë fushë tjetër të politikës mjetet nuk janë rritur më shumë se për mbrojtje. «Një vëzhgues naiv mund të përgjigjet me një pyetje të pritshme: pse? Serbia është vend kandidat për hyrje në BE dhe po negocion me BE-në. Ajo është e rrethuar me shtete anëtare të NATO-s: Sllovenia, Kroacia, Hungaria, Bullgaria, Mal i Zi, Shqipëria dhe së shpejti edhe Maqedonia e Veriut. Kujt dëshiron t’i bëjë përshtypje ushtria (serbe)?»

Më 21 shkurt 2019 Vuçiq deklaroi në televizionin serb «Prva» se konflikti në Kosovë «nuk është më i ngrirë»: «Shqiptarët po duan ta përfundojnë dhe forcojnë shtetin që e kanë themeluar më 2008. Shqiptarët janë të shqetësuar… ne nuk do të lejojmë sulm mbi popullin tonë dhe nuk do të lejojmë dëbimin e tyre». Deklarata të tilla ai ka dhënë vazhdimisht. Njëjtë është shprehur edhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë Aleksandar Vullin. Përherë përmendet intervenimi në veri të Kosovës.

Vuçiq thekson se fragmentarizimi i marrëdhënieve globale krijon një situatë kur secili duhet të mendojë për fuqinë e vet. Meqë aleancat po dobësohen, vendet duhet të mbështeten në forcat e veta: «Shiheni Viktor Orbanin dhe shpejtësinë me të cilën po e armatos Hungarinë. Shikoni me çfarë shpejtësie po armatosen rumunët… Shikoni Bullgarinë, e cila po blen avionë luftarakë F-16. Të gjithë po armatosen».

Qasja e Vuçiqit ndaj politikës ndërkombëtare është kjo: në botë nuk vlejnë më koordinatat e deritanishme; Gjermania dhe SHBA-të nuk po ecin në të njëjtin drejtim; anëtarësimi në NATO ka pak rëndësi; fuqia nacionale varet nga ushtria e fuqishme. «Kjo është tepër larg nga vizioni postmodern i paqes europiane», thuhet në raportin e Nismës Europiane për Stabilitet.