Shteti s’bën asnjë hap për shpronësimin e lokalitetit të Dresnikut

Zyrtari më i lartë i shtetit që e ka vizituar deri më tash lokalitetin arkeologjik të Dresnikut është ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi. Tash ministër i Bujqësisë, Krasniqi kishte realizuar dy vizita në fshatin afër Klinës, njërën në gusht të vitit 2013 dhe tjetrën në nëntor të 2014-s.




Në të parën Krasniqi kishte folur për mundësinë e shndërrimit të këtij lokaliteti antik në park të hapur arkeologjik dhe ishte deklaruar edhe sa i përket shpronësimit. Asokohe Krasniqi kishte thënë se kjo çështje nuk është punë e zorshme, shkruan sot «Koha Ditore».

«Kur kemi gjetje të tilla, këto pa dyshim se e bëjnë atë një lokalitet të rëndësisë nacionale. Prandaj çështjet e kësaj natyre janë të rregulluara me ligjet në fuqi, Ligji për trashëgimi kulturore, por edhe me legjislacionin tjetër përkatës», kishte thënë ministri Krasniqi.

Krejt ky muhabet tash e dy vjet ka mbetur vetëm punë deklaratash. Megjithëse për zyrtarët e IAK-së vendi ku para dy vjetësh u zbulua mozaiku unik bashkë me themelet e një godine që besohet se është afro 1.800 vjet e vjetër, mund të shpronësohet, një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa kaluar procedura nëpër Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore.