Shqipëria përçan koalicionin gjerman: partia e Merkel kundër hapjes së negociatave, socialdemokratët kërkojnë të mbahen premtimet

Ministri i Shtetit për çështje të Europës në qeverinë gjermane, Michael Roth, thotë: «E kemi dhënë fjalën dhe duhet të mbajmë premtimet tona». Por në grupin parlamentar të CDU-së, partisë së kancelares Angela Merkel, ka shumë kundërshtarë të hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Foto: Shutterstock



Ministri i Shtetit për çështje të Europës në qeverinë gjermane, socialdemokrati Michael Roth, ka kërkuar fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE. «E kemi dhënë fjalën dhe duhet të mbajmë premtimet tona», shkroi Roth në një editorial të botuar të mërkurën në gazetën «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Roth theksoi se BE ka mësuar nga anëtarësimi i vendeve të tjera dhe nga kandidatët e rinj kërkon më shumë. Sipas tij stabilizimi i Ballkanit është në interes të Gjermanisë.

BE do të publikojë sot në Bruksel Raportet e Progresit për gjashtë vende europiane dhe do të kërkojë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE. Sipas Roth BE ka arritur në përfundim se Tirana dhe Shkupi i kanë kryer detyrat e shtëpisë dhe i kanë plotësuar kushtet e vëna nga Këshilli Europian. Tani, shkroi Roth, BE duhet të veprojë, sepse bëhet fjalë për interesat e sigurisë dhe për kredibilitetin e BE-së.

Kërkesa e socialdemokratit Roth për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka nxitur reagime nga partia konservatore CDU e kancelares Angela Merkel. Kryetari i Komisionit për Europën i parlamentit gjerman Gunther Kirchbaum u deklarua kundër fillimit të menjëhershëm të negociatave. «Do të vijë tetori kur do të merret vendimi», tha ai për agjencinë gjermane të lajmeve DPA. Kirchbaum përjashtoi mundësinë që vendimi të merret në qershor, siç ishte premtuar para një viti. Përveç partisë së kancelares Merkel skeptike ndaj hapjes së negociatave janë edhe Holanda, Danimarka dhe Franca.

Që nga viti i kaluar Maqedonia e Veriut ka arritur të heq një pengesë të madhe në rrugën e integrimeve europiane: ky vend ka ndërruar emrin pas bllokadës disavjeçare greke. Qeveria socialdemokrate e kryeministrit Zoran Zaev ka arritur t’i shtendosë raportet me shqiptarët, por një problem dramatik mbetet emigrimi masiv i shqiptarëve. Në planin ekonomik Zaev nuk ka treguar ndonjë sukses. Për dallim nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria ka bërë hapa pas. Kryeministri Edi Rama në vend të se të përqendrohet në reforma dhe zhvillim të ekonomisë, e ka zbuluar sharmin e popullizimit, duke propozuar president të përbashkët me Kosovën, duke u bashkuar me planifikuesit e ndarjes së Kosovës dhe duke demonstruar një arrogancë të madhe ndaj kundërshtarëve politikë dhe mediave. Edhe roli i opozitës lë shumë për të dëshiruar. E diskredituar nga e kaluara e saj e dominuar nga skandalet e korrupsionit, opozita e prirë nga Partia Demokratike nuk po arrin të mobilizojë masat për ndryshime politike në vend.

Në editorialin e tij në gazetën «Frankfurter Allgemeine Zeitung» Michael Roth kritikon ashpër opozitën në Tiranë. Ajo, sipas tij, po arrin të prodhojë pamje dramatike në vend se në garën e ideve politike të matet me qeverinë në parlament, të cilin po e bojkoton. Roth e quan këtë qasje politikë obstruksioni. Roth lavdëron edhe reformën për drejtësi në Shqipëri, por ky lavdërim duket tepër i hershëm. Shumë ndryshime e spastrime në aparatin e drejtësisë në Shqipëri duken kozmetike, ndërsa mbetet të shihet se çfarë rezultati do të sjellin në të ardhmen.