Shqipëria ende e ndotur nga mbeturinat e komunizmit

Ndërsa po shkatërrohet pothuaj çdo institucion (dhe fajin për këtë e ka tërë klasa politike në Tiranë), Partia Socialiste e Edi Ramës po përpiqet të gjallërojë fantazmat e komunizmit – fatkeqësisht pa u ballafaquar me rezistencë publike. Në këtë katrahurë propagandistike po merr pjesë edhe një ministre nga Kosova që i shërben regjimit të Ramës - dhe kjo tregon se deri ku janë të gatshëm të shkojnë disa njerëz që nuk kanë ndjeshmëri për viktimat dhe (me a pa vetëdije) shndërrohen në vegla të manipuluesve të historisë.

Skuadër e regjimit komunist shqiptar duke ekzekutuar.



1.
Çfarë po ngjet në Shqipëri lidhur me Gjykatën Kushtetuese është e padenjë për një vend anëtar të NATO-s dhe një vend që pret të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Kjo klasë politike nuk ka respekt pothuaj për asgjë, as për shtet, as për institucione, as për ligje, as për procedura, as për Kushtetutën, ligjin themeltar të Republikës. Këtë kaos institucional janë duke e shkaktuar politikanë që nuk i kanë parasysh interesat e vendit dhe të qytetarëve, por vetëm interesat e tyre për pushtet. Nuk është ndonjë gjë e re të thuhet, por duhet përsëritur: Shqipëria ka nevojë urgjente të shkëputet nga kjo klasë politike – e cila e zhytur thellë në korrupsion dhe keqpërdorime mbajtjen e pushtetit e ka qëllim të vetëm.

2.
Prej fillimit të muajit nëntor Bashkia e Tiranës e ka mbuluar Bulevardin «Dëshmorët e Kombit» me «portrete heronjsh» në 75-vjetorin e «çlirimit të Shqipërisë». Janë varur aty portrete partizanësh të vrarë në Luftën e Dytë Botërore, por edhe portrete figurash që pas vitit 1945 kanë vënë themelet e regjimit vrastar të Enver Hoxhës. Këta njerëz janë kriminelë. Në një vend me empati për viktimat, kjo shpurë kriminelësh do të përbuzej, dënohej dhe vendin do ta kishte në faqet e zeza të librit të madh të historisë së Shqipërisë. Por, jo, Erion Velija, kryetari i Bashkisë, e degradon veten aq poshtë, saqë merr rolin e një pionieri të Partisë së Punës dhe, pas shpalosjes së pllakës me emrat e «shehidëve të Erdoanit» në Tiranë, tash shpalos edhe portretet e kasapëve të regjimit komunist. Kuptohet që pas kësaj fushate qëndron edhe qeveria e Edi Ramës.

3.
Në një shkrim te gazeta «Panorama» historiania Enriketa Papa me të drejtë pyet: «A janë ekspozuar në bulevard fotot e Abaz Kupit, Safet Butkës, Hysni Lepenicës, Skënder Muços, Muharrem Bajraktarit dhe patriotëve të tjerë që luftuan kundra pushtuesve?» Këta patriotë janë përjashtuar me fermanin e dyshes Velija & Rama, sepse heronj me gjasë janë vetëm ata që të tillë i ka shpallur regjimi i Enver Hoxhës. Ata që i ka vrarë regjimi – ata nuk i njeh si heronj Edi Rama me suitën e tij.

4.
Po të shihet lista e aktiviteteve që do të organizohen me vendim qeverie dhe me para të shqiptarëve me rastin e 75-vjetorit të «çlirimit të Shqipërisë», vëzhguesi i jashtëm mund të pyesë: pse jo edhe një koncert për nder të «jetës dhe veprës së shokut Enver»? Parashihen këngë e kampionate, ekspozitë me imazhe «1944-2019», konkurse me temën «Imazhi i lirisë». Për çfarë imazhi të lirisë mund të flitet nëse shikohet Shqipëria e viteve 1944-1991? A shihet edhe imazhi i ekzekutimit të Havzi Nelës më 10 gusht 1988? Ja disa fakte të tjera për ferrin komunist shqiptar, sipas publicistes Jonila Godole: «Rreth 60 mijë familje u dëbuan në kampe internimi, 34 mijë të përndjekur politikë u dergjën burgjeve, mbi 10 mijë njerëz kanë vdekur ose në kampet e punës ose në burg, dhe më shumë se 6 mijë janë vrarë, ekzekutuar, dhe trupat e tyre mbeten të zhdukur sot e kësaj dite». Emrat e tyre nuk kanë vend në bulevard. Vendimin për aktivitetet e turpshme që do të organizohen gjatë nëntorit (po thuhet: «Nëntori, muaji i festave», një tonalitet i epokës komuniste ky), e kanë nënshkruar Erion Braqe, shef i «Komisionit Qendror Shtetëror për përkujtimin e 75-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë», Olta Xhaçka, ministre e Mbrojtjes, Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm, Besa Shahini, ministre e Arsimit. Që në këtë katrahurë propagandistike merr pjesë edhe një ministre nga Kosova që i shërben regjimit të Ramës, kjo tregon se deri ku janë të gatshëm të shkojnë disa njerëz që nuk kanë sens për viktimat dhe (me a pa vetëdije) shndërrohen në vegla të manipuluesve të historisë. Po mungon vetëm parulla «Bashkimi me Jugosllavinë po ndihet thellë në zemrat e popullit tonë». (Enver Hoxha, 17 mars 1948). Shqipëria nuk është çliruar më 1945, por vetëm është bërë një ndërrim i regjimeve shtypëse: nga fashizmi në komunizëm.

5.
Në Bulevardin «Dëshmorët e Kombit» në Tiranë nuk ka vend për portretin e murgeshës Marije Tuci. Ajo vdiq më 1950, ishte 22-vjeçare – vdiq për shkak se refuzoi të shtrihet në shtrat me shefin lokal të Sigurimit. Marije Tucin e futën në një thes, bashkë me një mace të egër, dhe e mbytën duke e goditur me shufra. Pas një vizite në Shqipëri së fundi, historiani gjerman Christoph Dieckmann shkroi se ka mbetur i tronditur nga mungesa e gatishmërisë për të trajtuar krimet e komunizmit dhe dënuar kriminelët. Përfundimi i tij ishte ky: Enver Hoxha e shndërroi Shqipërinë në vend invalid, por për krimet e regjimit të tij s’flet askush, as nuk dënohet askush. Për fat të keq shoqëria shqiptare sikur ka rënë në kllapi dhe nuk ka rezistencë publike edhe kur qeveria krejt hapur përpiqet të gjallërojë fantazmat e së kaluarës komuniste.