Shqetësim i madh në Zvicër për fatin e futbollistes Florijana Ismaili

Që nga e shtuna ka humbur pa gjurmë Florijana Ismaili, futbolliste e kombëtares së Zvicrës dhe klubit Young Boys.

Florijana Ismaili.



Në liqenin e Comos të dielën zhytësit italianë, të përkrahur nga barkat e policisë, zjarrfikësit dhe helikopterët për raste urgjente, kërkuan pandërprerë dhe me shqetësim të madh Florijana Ismaili, një futbolliste 24-vjeçare, e cila në Zvicër konsiderohet si «Shaqiri i futbollit të grave». Që nga e shtuna pasdite Florijana Ismaili ka humbur pa gjurmë. Si 16-vjeçare Florijana ëndërronte të jetë pjesë e ekipit kombëtar të futbollit të Zvicrës. Martina Voss-Tecklenburg, ish-trajnere e kombëtares së futbollit, shkroi në Instagram: «Jam pa fjalë, e pikëlluar dhe shpresoj në një mrekulli». Më 2015 ajo e kishte marrë Florijanën në Kampionatin Botëror të Futbollit në Kanada.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA Florijana Ismaili po lundronte bashkë me një shoqe në liqenin e Comos. Ato kishin marrë me qira një barkë me motor dhe kishin ankoruar në lokalitetin e vogël Musso. Në orën 16 Florijana kërceu në liqen për t’u freskuar dhe nuk doli më. Shoqja e saj kishte mbetur në barkë dhe alarmoi policinë pasi Florijana nuk u shfaq pas disa minutave.

Federata e Futbollit e Zvicrës dhe ekipi Young Boys që nga e diela janë duke njoftuar në webfaqet e tyre mbi kërkimin e Florijanës. Ajo është lojtare ofensive në ekipin kombëtar të futbollit të Zvicrës. Ka luajtur 33 herë për Zvicrën. Dëshirë e saj ishte të luante në një ekip në botën e jashtme, më së miri në Gjermani. Trajner aktual i ekipit të grave të futbollit të Zvicrës është danezi Nils Nielsen. Para dy javësh Florijana luajti kundër Serbisë. Për ekipin Young Boys ajo është lojtare shumë e vlefshme. Në sezonin e kaluar ajo ishte golashënuesja më e mirë me 7 gola. Më 2017 ajo luajti kundër Shqipërisë. Zvicra fitoi me rezultat 5:1 dhe Florijana shënoi dy herë. Ajo i tha para disa vitesh një gazete zvicerane se ishte krenare që luante për Zvicrën.