Shpërndarja e Kuvendit: E keqja që u bë e mirë

Dikur tiranët shpërndanin parlamentet për ta mbajtë pushtetin për vete. Sot shpërndarja është vegël e fuqishme e demokracisë.

Getoar Mjeku.



1.

Partitë po kërkojnë me ngulm shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, që qytetarët pastaj të zgjedhin përfaqësuesit e rij përmes votës së lirë. Sipas kushtetutës, kryetari i republikës shpall zgjedhjet kur dy të tretat e deputetëve votojnë me shpërnda Kuvendin pa e kry mandatin.

Por shpërndarja e parakohshme, që sot po i ndihmon demokracisë te ne, ka zanafillë jodemokratike.

Në Evropën mesjetare, monarkët bartnin gjithë pushtetin shtetëror. Ata vendosnin vetë nëse do të kërkonin këshillën e dikujt tjetër dhe kur do ta kërkonin. Mbreti ndodhte me thirrë tubime të herëpashershme të fisnikëve, klerikëve e kalorësve, për të shqyrtu çështje të rëndësishme. Por pastaj mbyllte tubimet kurdo që e shihte të vyeshme, pa detyrim me i hapë sërish. Këto ishin kompetenca të monarkut absolut.

Fisnikët anglezë e kundërshtunë herët këtë sistem. Më 1215, mbreti Gjon u garantoi atyre ca të drejta themelore, duke nënshkru Kartën e Madhe, të njohur latinisht si Magna Carta. Dhe kur pasardhësi i Gjonit, Henriku III, vijoi me keqpërdorë pushtetin, fisnikët ngritën krye dhe e zunë rob mbretin tiran.

Me Henrikun në burg, fisniku Simon de Montfort tuboi më 1265 të parin parlament pa pëlqimin e mbretin. Fisnikë, prifta, kalorësa, zejtarë e përfaqësues qytetesh — të zgjedhur në konsulta popullore — morën pjesë si delegatë në tubimin që u shndërru në organ të rregullt shtetëror.

Por Anglisë, sot e shkrirë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, iu deshën shekuj me qartësu baraspeshën e pushtetit. Mbreti Karl I e pagoi çmimin. Në vlugun e përplasjeve fetare në Angli, ai shkepi parlamentin tri herë, sundoi mbi një dekadë fill i vetëm, dhe në rastin ma të keq hyri si polic në Dhomën e Komuneve me i arrestu anëtarët e saj. Parlamenti dikur vendosi se s’do të shpërndahej pa pëlqimin e vet, por tashma vendi kish rrëshqitë në një luftë qytetare. Më 1649, parlamenti e ndëshkoi Karlin I me vdekje, dhe shpalli vendin republikë.

Për korrektësi ndaj mbretit, as pasuesi i tij republikan, ish-deputeti Oliver Cromwelli, nuk e çoi mirë me parlamentin. Ai e ndoqi me forcë parlamentin e vjetër, dhe bëri zgjedhje me rregulla të reja. Nuk do mend se udhëheqja e dorëhekurt e Cromwellit i ndihmoi rikthimit të mbretërisë (bashkë me parlamentin e zgjedhur 20 vjet ma parë). Por mosmarrëveshjet fetare e politike do të sillnin sërish ndryshime.

2.

Kur mbreti Xhejms II provoi me i pezullu parlamentet në Angli e Skoci, plasi Revolucioni Madhështor i 1688-s, që i dha fronin tjetërkujt dhe përfundimisht njohu epërsinë e parlamentit ndaj kurorës.

Që atëherë, monarku ka sundu në ujdi me parlamentin në Britani. Por në fundshekullin XVIII, Gjergji III ngacmoi keq nënshtetasit e tij në Amerikë, duke ua mbyllë vend e pavend organet ligjvënëse të kolonive.

Më 1776, amerikanët radhitën në Deklaratën e Pavarësisë shkaqet që i kishin shty të ndaheshin nga mbreti britanik:

«Ai i ka shpërnda sa e sa herë dhomat përfaqësuese, për shkak se i kanë kundërshtue me qëndrim burrnor ndërhymjet e tij mbi të drejtat e popullit. Ai nuk ka pranue për nji kohë të gjatë, mbas shpërndamjeve të tilla, me lejue zgjedhjen e dhomave të reja; me ç’rast, pushtetet ligjvenëse, meqë s’mund t’asgjasohen, i janë kthye popullit pa kufizim n’ushtrimin e tyne; ndërkohë që shteti ka mbetë i prekun nga të gjitha rreziqet e nji invadimi nga jashtë dhe trazinave të mbrendshme.»

Thelbi i ankesës nuk është veç shpërndarja, por edhe mungesa e zgjedhjeve të menjëhershme.

Liridashësit gjithandej fillunë me pa shpërndarjen e parlamentit si kompetencë tiranike. Kështu, kushtetuta e re amerikane, e miratuar më 1789, parashihte zgjedhje fikse: çdo dy vjet për Dhomën e Përfaqësuesve dhe një të tretën e Senatit dhe çdo katër vjet për kryetarin. Shpërndarja ndodh vetëm kur mbaron mandati i plotë.

Ngjashëm, Revolucioni Francez prodhoi më 1791 të parën kushtetutë të shkruar të vendit, që sanksiononte ndarjen e pushteteve dhe mbretit ia ndalonte me shpërnda trupin ligjvënës në çfarëdo rrethane.

Kushtetuta e Norvegjisë, në fuqi që prej 1814-s, gjithashtu ngriti një parlament që nuk shpërndahet pa e sosë mandatin e plotë.

3.

Por Franca kaloi nëpër kohë të turbullta, duke kapërcy shpejt nga njëri regjim në tjetrin — monarki kushtetuese, tri regjime republikane dhe perandorinë e Napoleonit — para restaurimit të dinastisë së Bourbonëve më 1814. Kësaj radhe, mbreti Luigj XVIII i dhuroi Francës kushtetutë me model të ri të qeverisjes.

Duke u thirrë në vullnetin e popullit, ligjvënësit e pastaj ekzekutivi francez kishin bë kërdi mbi popull. Sistemi amerikan i tri pushteteve të ndara njëherësh kishte dështu në Francë. Andaj Bourbonët po i jepnin mbretit tani rolin e ndërmjetësit mes pushteteve ligjvënëse e përmbaruese. Këtu lindi demokracia parlamentare në Evropën kontinentale, për t’u zbatu si në monarki ashtu në republika. Por u rikthy dhe tagri i mbretit me shpërnda parlamentin.

Ideologu i sistemit të ri, zvicerano-francezi Benjamin Constant, ia njihte kreut të shtetit tri kompetenca kyçe: me emëru ekzekutivin dhe me shkarku kur nuk e kryn punën e vet, me rinisë legjislativin kur ngulfatet prej përplasjeve politike, dhe me ua falë jetën të dënuarve. Me këtë pushtet moderatori, mbreti do të pengonte keqpërdorimin e pushtetit dhe politikat e skajshme.

Monarkitë e reja perëndimore nisën me ndjekë modelin francez. Më 1824, kushtetuta e Brazilit ia njohu perandorit pushtetin moderator, përfshi të drejtën me shpërnda legjislaturën. Më 1831, Belgjika ia dha po atë të drejtë mbretit të sapocaktuar.

4.

Ndër dekada, sistemi i Constantit ka ndryshu rrënjësisht, ashtu siç ka evolu koncepti i shpërndarjes së parlamentit. Forcimi i demokracisë ka pru medoemos tkurrjen e pushtetit mbretëror. Kreu i demokracisë parlamentare tani nuk ushtron tagrin krye më vete, por si hallkë e mbrame e një zinxhiri vendimmarrës vepron mbi këshillën ose vendimet e organeve të tjera.

Belgët, për shembull, kanë ndryshu kushtetutën e vjetër, ashtu që mbreti ta shpërndajë Dhomën e Përfaqësuesve vetëm pasi Dhoma të marrë vendime të caktuara.

Në shumë vende, megjithatë, udhëheqësit autoritarë vijojnë me ua pre mandatin ligjvënësve për arsye të thjeshtë pushteti. Cari Nikolla II, i betuar me qenë përjetë autokrat, lejoi më 1906 zgjedhje për Dumën e Rusisë. Por kur rezultatet nuk i kuvendonin, shpërndante vazhdimisht Dumën, në kërkim të përbërjes ma miqësore. Dekada pas Nikollës, më 1993, Boris Jellcini përdori ushtrinë për ta shpërbë — jo vetëm shpërnda — organin ligjvënës. Kjo lëvizje jokushtetuese e presidentit rus u mori jetën qinda vetëve.

Në demokraci të mirëfillta, shpërndarja është një lloj suste që reseton shtetin dhe lehtëson vendimmarrjen. Në përgjithësi, akademikët përmendin shumë arsye për zgjedhjet të parakohshme parlamentare. Mes të tjerash, thonë se rinisja mundëson me i përligjë institucionet përmes votës, me qartësu vullnetin e popullit rreth çështje madhore, me i mënjanu ngërçet dhe me lehtësu formimin e qeverisë.

Ekspertët e së drejtës kushtetuese madje këshillojnë kundër sistemeve të ngurta pa opsionin e resetimit.

Dhe pakkush e kupton këtë domosdoshmëri ma mirë se qytetarët e Kosovës sot, kur kryeministri ka dhënë dorëheqje dhe grupet në Kuvend nuk janë ma ashtu siç janë votu më 2017. Që atëherë, janë shfaqë çështje të reja, për të cilat sovrani nuk ka shprehë vullnetin e vet të qartë. Përfaqësuesit e zgjedhur dukshëm nuk kanë përkrahjen e popullit, e as kanë numrat me kriju qeveri të re. Andaj u takon qytetarëve me zgjidhë përmes zgjedhjeve këtë kurthërim.

5.

Ka shumë modele të shpërndarjes së legjislativit, varësisht nga sistemi i qeverisjes dhe nga organi që merr vendimin.

Në republika gjysmëpresidenciale si Franca, kryetari ende ka të drejtën me shpallë zgjedhje të reja pa përfundu mandati i ligjvënësve. Në disa vende, këtë tagër e ka përjashtimisht parlamenti, në disa kryeministri, në disa organe të ndryshme në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Ka sisteme që parashohin dhe shpërndarjen vetvetiu të parlamentin në raste të caktuara.

Kosova ndjek një model të kombinuar. Varësisht nga rrethanat, neni 82 i kushtetutës parasheh tri mënyra me shpërnda Kuvendin: me vendim të deputetëve, me vendim të presidentit, ose me veprim të kushtetutës (ex constitutionem).

Veçanërisht:

Deputetët — Sipas paragrafit 1(2), dy të tretat e deputetëve mund ta shpërndajnë Kuvendin. Formalisht, presidenti pastaj nxjerr dekret për ta jetësu vendimin e tyre.

Presidenti — Vetë kreu i shtetit mund ta shpërndajë Kuvendin pasi të votohet mosbesimi ndaj qeverisë, parasheh paragrafi 2. Natyrisht, kreu i një demokracie parlamentare këshillohet prore me përfaqësuesit e popullit.

Kushtetuta — Në çdo rast, paragrafi 1 detyron presidentin ose ushdet-presidentin të nxjerrë dekret me shpërnda Kuvendin nëse:
— brenda 60 ditëve pasi të caktohet mandatari, nuk formohet qeveria (pika 1); ose
— brenda 60 ditëve pasi nis procedura, nuk zgjedhet presidenti (pika 3).

Ndonëse paragrafi 1 nuk cek shprehimisht dekretin, roli formal i kreut të shtetit nënkuptohet në sajë të kompetencave nga neni 84. Pika 3 e atij neni përmend shpalljen e zgjedhjeve, kurse pika 4 dekretet.

Fatkeqësisht, teksti i kushtetutës ka paqartësi. Neni 95.4 thotë se presidenti shpall zgjedhjet nëse mandatari i dytë nuk arrin me formu qeverinë. Shpallja e zgjedhjeve nënkupton shpërndarjen e Kuvendit. Tani, duke llogaritë afatet për formimin e qeverisë, sipas nenit 95, del që prej caktimit të mandatarit të parë deri te dështimi i mandatarit të dytë kalojnë ma së shumti 40 ditë. Ky afat është ma i shkurtë se 60-ditëshi që jep neni 82.1(1).

Njëlloj, neni 86.6 përcakton shpërndarjen kur dështon votimi i tretë për president. Dështimi mund të ngjajë para 60-ditëshit të nenit 82.1(3).

Por pa marrë parasysh modelin a rrugëtimin, shpërndarja e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja janë mënyra e vetme me jetësu demokracinë në Kosovë.

Në seancën e 22 gushtit, s’do të ketë mëdyshje: lypsen 80 deputetë me prekë butonin Po.

(Autori është avokat i licencuar në Shtetet e Bashkuara dhe shtetas i Kosovës i përkushtuar ndaj çështjeve të interesit publik)