Shkrimtari kroat Milenko Jergoviq: Kujtimet për Jugosllavinë janë të zbukuruara, ai vend nuk ka qenë i lirë, ndaj shqiptarëve ekzistonte racizëm kulturor

Një vend jopraktik, i rrezikshëm për qytetarët e saj - kështu e përshkruan shkrimtari i njohur kroat Milenko Jergoviq Jugosllavinë. Në një intervistë për revistën «Vreme» të Beogradit, ai ka folur edhe qëndrimin paradoksal të serbëve ndaj Kosovës dhe racizmin kulturor të sllavëve të jugut ndaj shqiptarëve.

Milenko Jergoviq.



Milenko Jergoviq është autor i mbi 40 veprave, shumica romane. Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë përkthyer në gjuhë të huaja – anglisht, gjermanisht, italisht. Në arenën ndërkombëtare ai u bë i njohur së pari me veprën «Sarajevo Marlboro», një vëllim me tregime nga Sarajeva e rrethuar nga forcat serbe. Jergoviq është lindur në Sarajevë, por e ka braktisur këtë qytet pas shpëthimit të konfliktit. I përket etnisë kroate, por më me qejf e quan veten shkrimtar jugosllav. Jergoviq është autor që polarizon. Nuk u pëlqen as nacionalistëve, as majtistëve. Tjetërsia e tij e bën atë individ në cep të shoqërisë.

Në një intervistë për revistën «Vreme» Jergoviq ka folur për shumë tema me rëndësi që kanë të bëjnë me tërë rajonin. Duke folur për raportin e Serbisë ndaj Kosovës, Jergoviq e quajti atë raport paradoksal. «Individët që nëpër kartëmonedha po shkruajnë Kosova është Serbi, harrojnë se kjo domethënë se gati dy milionë shqiptarë po ashtu do të ishin në Serbi. Nëse edhe ata janë Serbi, atëherë sa për fillim, jarani im, je i obliguar që gjysma e emisionit qendror të lajmeve në mbrëmje të jetë në gjuhën shqipe dhe që lajmet t’i redaktojnë gazetarët e pavarur shqiptarë. Je i obliguar po ashtu që çdo mbishkrim të Serbi të jetë dygjuhësor».

Duke folur mbi racizmin kulturor ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, Jergoviq tha se ata janë trajtuar si bombë që do të shkatërronin Jugosllavinë. «Kjo tregon se ideja për bashkësinë jugosllave ka qenë e rrejshme, e papërfunduar, e prishur, e imponuar… Secili shqiptar dhe secili hungarez ka qenë i detyruar, tamam i detyruar, ta flasë gjuhën tonë. Secili shqiptar apo hungarez e mësonte atë në shkollë, e nëse nuk e mësonte, atëherë në armatën jugosllave do ta bartnin si nëpër fushë të minuar për shkak të njohurive të pamjaftueshme të serbokroatishtes. Askush nga ne që i përkisnin popujve shumicë nuk ka qenë i shtyrë apo ka mundur të mësojë, së paku në mënyrë fakultative, gjuhën hungareze dhe shqipe, madje as maqedonisht apo sllovenisht. Ne nuk kemi ditur asgjë për ta dhe nuk kemi dashur të dimë. Ky ka qenë problem më i madh i Jugosllavisë se ideja për skenën e përbashkët kulturore. Në fund të fundit, shqiptarët e Kosovës kanë qenë akterë të rëndësishëm dhe kanë përbërë një pjesë të skenës kulturore jugosllave, por vetëm në rast se e kanë folur në mënyrë të përsosur apo pothuaj të përsosur gjuhën tonë».

Jergoviq theksoi se kroatët nuk interesohen fare për kulturën shqiptare. «Nga njëra anë politika shtetërore kroate angazhohet për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë. Kroacia e ka pranuar Kosovën. Kur në njërën anë gjendet qëndrimi shqiptar, e në anën tjetër ai serb, kroatët përherë do të jenë në anën e qëndrimit shqiptar, por kur duhet përkthyer ndonjë libër apo poezi apo çfarëdo tjetër, atëherë shihet se atyre nuk u intereson ajo botë».

Jugosllavia, sipas Jergoviqit, ka qenë një vend jopraktik, i rrezikshëm për qytetarët e saj. Kujtimet për Jugosllavinë janë të zbukuruara, tha ai. Andaj nuk është e ndershme që njerëzit të jenë nostalgjikë të Jugosllavisë, sepse nuk ka qenë bashkësi e lirë shoqërore dhe politike. «Në Jugosllavi nuk kanë ekzistuar liritë themelore qytetare. Ne në vitet ’80 luftonim dhe nënshkruanim peticione për heqjen e nenit 133 të Kodit Penal, respektivisht deliktit verbal. Nuk mund të jeni nostalgjik për një vend ku delikti verbal është hequr tri apo katër vite para shpërbërjes së tij». Jergoviq duket se është i traumatizuar sidomos nga shërbimi ushtarak. «Në atë Jugosllavi i kam kaluar 15 muaj në shërbimin ushtarak, e shërbimi në Armatën Popullore të Jugosllavisë ka qenë një kombinim mes burgut dhe çmendinës. Sot ekziston nostalgji edhe për ato ditë në ushtri, gjë që është gjëja më e çmendur në botë».

Megjithatë, sipas Jergoviqit, edhe Jugosllavia jo e lirë ka qenë më shumë e integruar në Europë se shtetet e sotme që janë themeluar pas shpërbërjes së Jugosllavisë, me përjashtim të Sllovenisë. «Nëse ke qenë lexues në Jugosllavi, ti ke qenë lexues në Europë. Ajo botë ka qenë botë europiane. Sot kemi rënë dhjetë kat më poshtë dhe nga mjerimi kulturor, intelektual dhe çdo mjerim tjetër na shpëton vetëm fakti se jemi pjesë e botës digjitale, të internetit, dhe kështu mund të komunikosh me botën. «Po të mos ekzistonte kompjuteri ne do të jetonim pak më mirë se ç’është jetuar në Shqipërinë e Enver Hoxhës, nuk do të torturoheshim nga Partia shqiptare e Punës, por nga bota e gazetave bulevardeske provinciale. Tabloidet do të ishin ferri ynë po të mos ekzistonte kompjuteri dhe interneti».

Jergoviq tha se «shumë njerëz bëhen nacionalistë në po atë mënyrë siç bëhen heteroseksualë. Thjesht është e trupshme të jesh ‘pederast’, andaj prezantohesh si heteroseksual. Më duket se kështu është edhe vetëdija politike e njerëzve në Ballkan».