Shefi i OSBE-së thotë se duhet përdorur debati e jo dhuna në Kuvend

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, dënoi aktet e dhunës që ndodhën sot në Kuvendin e Kosovës gjatë përpjekjeve të opozitës për të bllokuar punimet, komunikoi zyra e OSBE-së në Prishtinë.




«Dhuna që pamë sot në Kuvend është e papranueshme dhe e dëmshme për demokracinë. Pamjet shqetësuese të përdorimit të gazit lotsjellës, të deputetëve që kërkonin ndihmë mjekësore dhe incidenteve tjera cenojnë pasqyrën e progresit demokratik në Kosovë. Në të njëjtën kohë, bllokada institucionale dëmton progresin dhe reformat», ka deklaruar Schlumberger, transmeton Koha.net.

Ai shtoi se në Kosovë ekzistojnë mekanizma të mjaftueshëm për debat pluralist dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të shfrytëzojnë këto mekanizma e të mos përdorin dhunë.