Shansi i madh është kthimi i madh i diasporës

Çfarë mund t’i sjell diaspora viseve shqiptare në Ballkan? Përtej samiteve duhet të mendohet për transferim të dijes, përvojës, potencialit dhe kapitalit. Kjo duhet të jetë një ndër detyrat parësore të Këshillit Koordinues të Diasporës të themeluar së fundi në Tiranë. Në mesin e 15 anëtarëve është edhe profesori Sokrat Sinaj, i cili është një shkencëtar me renome ndërkombëtare dhe punon për institutin kombëtar zviceran për hulumtime në fushën e bujqësisë, Agroscope.

Dr. Sokrat Sinaj.



Diaspora është më shumë se folklor, antropologji, histori dhe kujtime. Ajo mund të jetë një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e atdheut dhe një urë lidhëse me përfitim të dyanshëm. Kur para 100 apo 120 vitesh njerëzit largoheshin nga Shqipëria e jugut drejt Amerikës, ata shpeshherë e dinin se nuk do të ktheheshin më. Lundrimi me anije mes Europës dhe Amerikës në shekullin e 19-të zgjaste mbi 30 ditë.

Falë mundësive moderne të udhëtimit, sot Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia nga Amerika arrihen brenda ditës. Nga Zürichu në Tiranë dhe Prishtinë distanca është sa një hap i maçokut. Falë mediave digjitale dhe rrjeteve sociale për herë të parë në historinë e shqiptarëve është krijuar një hapësirë e përbashkët komunikimi. Një shqiptar i Kosovës mund të komunikojë me një peshkatar në Sarandë, një biznesmen nga Shqipëria mund kontaktojë një vreshtar në Rahovec dhe të merret vesh me të sa shishe verë apo raki do t’i blejë. Komunikime të ngjashme që lidhen me zhvillimin e ekonomisë dhe shkëmbimin e përvojave mund dhe duhet të ketë edhe mes diasporës dhe atdheut.

Por për këtë duhet pasur ide për sipërmarrje. Shtete funksionale. Qeveri që mendojnë pak më shumë se sa për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme. Siç dihet idetë nuk njohin kufij. Çfarë mund t’i sjell diaspora viseve shqiptare në Ballkan? Përtej samiteve duhet të mendohet për transferim të dijes, përvojës, potencialit dhe kapitalit.

Kjo duhet të jetë një ndër detyrat parësore të Këshillit Koordinues të Diasporës. Në mesin e 15 anëtarëve është edhe profesori Sokrat Sinaj, i cili është një shkencëtar me renome ndërkombëtare dhe punon për institutin kombëtar zviceran për kërkime shkencore në fushën e bujqësisë, Agroscope. «Një nga detyrat e Këshillit Koordinues të Diasporës është që të hulumtojë potencialin e vërtetë të diasporës dhe koordinojë punën në mënyrë që ky potencial të bëhet prezent edhe në viset shqiptare në Ballkan nëpërmjet investimeve në formë projektesh dhe programesh të ndryshme», thotë Sinaj.

Së fundi një studim i «The European Council on Foreign Relations» nga Brukseli theksoi se qeveritë e Ballkanit Perëndimor kanë dështuar në shfrytëzimin e potencialit të diasporës së tyre të madhe – plot gjashtë milion – në të gjithë botën. Kjo diasporë zotëron rrjetet, aftësitë dhe asetet, për të cilat kanë nevojë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u zhvilluar dhe për të pasur prosperitet në një periudhë me një konkurrencë të ashpër ekonomike. Eksperienca e Irlandës përcakton standardin: popullsia «globale irlandeze» e ditëve të sotme është një diasporë e lidhur në një rrjet, e cila mbron interesat e irlandezëve në të gjithë botën dhe ka dhënë kontribute të rëndësishme në mrekullinë ekonomike të Irlandës.

Këshilli Koordinues i Diasporës shqiptare, me anëtarë nga të gjitha viset shqiptare në Ballkan, duhet të inspirohet (dhe pse jo të marrë edhe si shembull) organizimin e diasporës irlandeze. Njëkohësisht politika shqiptare duhet të zgjerojë fokusin. Krijimi i kontakteve me shqiptarët në Ukrainë, Azerbajxhan, në Amerikën Latine apo në Egjipt gjithsesi është i nevojshëm, por prioritet është që të angazhohen në projekte konkrete pjesëtarët e diasporës së re, aktive dhe të integruar mirë në vendet perëndimore. Përse të mos kenë Bankat Kombëtare apo ministritë e ekonomisë apo degëve te tjera në Tiranë, Prishtinë e Shkup një program për t’u ofruar mundësi praktike në formë stazhi ekonomistëve apo specialistëve të tjerë të rinj shqiptarë të diasporës? Kushedi ku do jenë këta njerëz pas 5 apo 10 viteve, ndoshta në funksione të rëndësishme në shtetet ku kanë emigruar ata apo prindërit e tyre. Ndonjëri mbase do të ketë vullnet të kthehet e t’i shërbejë vendit për një kohë të caktuar, 2 apo 4 vjet. Parakusht për këtë natyrisht janë qeveritë e vullnetshme për t’i dhënë shans diasporës. «Duhet të shporrim mendësinë izoluese», thotë Sinaj.

Sinaj drejton programet kombëtare në fushën e ushqimit dhe plehërimit të bimëve bujqësore në Agroscope. I lindur në vitet ’50 në Shqipërinë komuniste, ai që herët e kishte të qartë se do të studionte ndonjë fushë të rëndësishme të bujqësisë. Idhulli i parë i tij duhet të ketë qenë babai i tij, po ashtu inxhinier agronom. «Ishte normale të mbaroja po ato studime si ai. E shikoja agronominë si një mjet për të ushqyer botën, por edhe një shkencë që kalonte kufijtë dhe e lirë nga ndikimet politike. Në rininë time mund të kapnim televizionin italian dhe aty shikoja që të rinjtë mund të udhëtonin lirshëm në vende të tjera. Te ne kjo ishte e ndaluar. Në familjet e mirëpozicionuara nga regjimi, studiohej drejtësi, mjekësi apo ekonomi për të arritur pastaj një status të privilegjuar shoqëror. Por ishte pikërisht agronomia, e cila rëndom konsiderohet shkencë e popullit, e cila më mundësoi të fitoj një bursë nga qeveria franceze për të vazhduar studimet pasuniversitare në Francë», ka thënë Sinaj për revistën «Agrarforschung Schweiz», e cila botohet nga Agroscope.

Në vitin 1988 Sinaj la Tiranën, ku punonte si bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Studimit të Tokave Bujqësore, për të vazhduar fillimisht studimet për magjistraturë në Ecole nationale supérieure d’agronomie et des industries alimentaires në Nancy në verilindje të Francës dhe vazhduar më tej në doktoratë. Në këtë shtet do të fillonte edhe karriera e tij shkencore me shtrirje ndërkombëtare. Pasi arriti gradën doktor i shkencave bujqësore në Institut national polytechnique de Lorraine, më 1994 mori një ofertë të parezistueshme nga mentori i tij Emmanuel Frossard: të dy do të punonin në ETH, në universitetin e famshëm teknik të Zürichut, aty ku ka studiuar dhe ligjëruar fizikani Albert Einstein.

Për 12 vjet ata hulumtuan së bashku duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për agronominë e Zvicrës. Më 2005 Sinaj mori titullin profesor universitar dhe dy vite më vonë u transferua te Agroscope për të drejtuar programet kombëtare shkencore në fushën e ushqimit të bimëve bujqesore. Sinaj ka drejtuar dhe koordinuar projekte të shumta shkencore me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ka botuar mbi 150 artikuj shkencorë në revistat më prestigjioze të fushës. «Ne patëm shansin të vijmë në Zvicër, andaj duhet të angazhohemi edhe më shumë për të qenë më të mirë se të tjerët», thotë Sinaj. Ky është një mesazh edhe për Shqipërinë.