«Seriozisht, ku je kon ma herët?»

Mbi propagandën e qullët të PDK-së mbi sistemin shëndetësor të Kosovës.

Ilustrimi: Shutterstock



Ditë më parë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, bëri fushatë edhe me listën e barnave esenciale. E quajti këtë listë jo më pak se të arritur të madhe për shëndetësinë kosovare. Plotësimi i listës esenciale nuk është ndonjë e arritur e madhe. Më e rëndësishme është që të ketë mjaft buxhet për të blerë barnat e nevojshme. Lista mund të jetë e gjatë dhe mund të zgjerohet e zgjatet për 100 apo 1000 barna, por – në fund të fundit – për të blerë çdo ilaç duhet ndarë mjete financiare nga buxheti. Derisa pacientëve në Kosovë u bëhet thirrje që gjatë qëndrimit në spital t’i blejnë vetë penjtë, përndryshe plagët do t’u mbesin të paqepura, derisa u kërkohet që të dalin nëpër barnatore e të blejnë shiringa, derisa u thuhet se duhet t’u blejnë mjekëve dorëza sterile, derisa familjarët e pacientëve janë të detyruar të blejnë edhe jod – çfarë e arritur është lista e përditësuar e barnave esenciale?

Është fushatë elektorale dhe nga politikanët tani priten shumë marifete, por kjo nuk domethënë se opinioni e gëlltit këtë propagandë të ulët dhe të qullët të PDK-së. Para prezantimit pompoz të listës së barnave esenciale, kryetari i PDK-së ishte vërtitur poshtë e lart nëpër Qendrën Klinike Universitare të Kosovës duke dashur të tregojë se partia e tij paskësh bërë punë të mira në sektorin e shëndetësisë.

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve së fundi e ka përkujtuar kryetarin e PDK-së se përdorimi i pacientëve për qëllime elektorale është sjellje e pamoralshme dhe në kundërshtim me këto ligje e rregulla: Ligjin për të Dhënat Personale, Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor, Kartën e të Drejtave të Pacientëve, Kodin e Etikës Mjekësore. Kjo shoqatë njoftoi se gjatë këtij mandati (të lënë në gjysmë) Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar asnjë ligj sa i përket fushës së shëndetësisë. Kosova vazhdon të jetë vend pa sigurime shëndetësore.

«Seriozisht, ku je kon ma herët?» – këtë pyetje ia drejtoi një qytetar kryetarit të PDK-së së fundi. Ndërsa opinioni po merret me dilemën nëse kjo pyetje kishte më shumë karakter humoristik, gjendja në sektorin e shëndetësisë në Kosovë është e llahtarshme. Në një vend ku është rrënuar besimi i pacientit ndaj mjekut, në një vend ku mjeku (edhe kur është profesionist dhe i përgjegjshëm) nuk gëzon autoritetin e duhur, në një vend ku pacientët duhet të pajisen vetë me material para se t’i nënshtrohet ndonjë intervenimi, të festosh listën e barnave esenciale është komedi.

Së fundi KTV njoftoi se qe një dekadë (qe 10 vjet!) në repartin e Hematologjisë të Klinikës së Pediatrisë të QKUK-së mrizon një aparat, i cili bën diagnostikimin e hershëm të leukemisë te fëmijët. S’ka njeri, s’ka mjek që është në gjendje ta përdorë atë aparat. Halli zgjidhet kështu: analizat e fëmijëve dërgohen në Graz të Austrisë për diagnostikim. E vetëkuptueshme që austriakët këtë punë nuk e bëjnë falas. Ndoshta në fillim të tetorit dy mjekë do të jenë të përgatitur për të përdorur aparatin – me 10 vite vonesë.
Duke pasur parasysh jo vetëm këtë shembull, nuk është çudi që njerëzit edhe për problemet më të vogla shëndetësore vrapojnë në Shkup. Në kryeqytetin maqedonas kosovarët kanë lënë miliona euro për të trajtuar problemet shëndetësore. Politikanët (jo vetëm të PDK-së) kanë mundësi më të mira shërimi: kur vuajnë nga dhembjet në gjoks, atëherë mund të thërrasin emergjencën mjekësore REGA në Zvicër, e cila dërgon në Prishtinë avionin «Challenger 650», i cili është një ambulancë fluturuese. Ka ndodhur kështu viteve të fundit më shumë se njëherë.