Së paku 86 të vdekur nga sulmet në Ankara

Së paku 86 persona kanë vdekur kur dy kamikazë të dyshuar sulmuan aktivistët pro-kurdë dhe ata majtistë jashtë stacionit kryesor të trenit në Ankara të shtunën, pak javë para zgjedhjeve, sulm ky më i rëndi i ndodhur ndonjëherë në tokën turke.




Trupa të mbuluar me flamuj dhe banerë, përfshi edhe ata të partisë pro-kurde, Partia Demokratike Popullore (HDP), qëndrojnë të shtrirë në rrugë mes gjakut e pjesëve të trupave të shumtë.

«Sikurse sulmet tjera terroriste, edhe kjo në stacionin e trenit në Ankara ka për cak unitetin, bashkësinë, vëllazërinë dhe të ardhmen tonë», ka thënë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan përmes një deklarate, duke bërë thirrje për «solidaritet dhe përkushtim», transmeton Koha.net shkrimin e Reutersit.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Mehmet Muezzinoglu, gjatë një konference për media, tha se 86 persona kanë mbetur të vdekur ndërsa 186 të plagosur, 28 nga të cilët janë nën kujdesin intensiv. Numri i të vdekurve mund të rritet nga çasti në çast.

Dëshmitarët kanë thënë se dy shpërthime kanë ndodhur brenda pak sekondave pak pas orës 10 të mëngjesit derisa me qindra persona ishin mbledhur në një marsh të planifikuar për të protestuar rreth një konflikti në mes të forcave turke të sigurisë dhe militantëve kurdë në juglindje.

Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet.