Salem shpalos histori e vuajtje me muzikën që dikur ishte e ndaluar

Vite më parë policia franceze do t’ia thyente instrumentet. Christine Salem do të arrestohej, sepse kishte guxuar që të këndonte «maloya», muzikën e ndaluar me influenca afrikane që i përkiste skllevërve që punonin në plantacionin e sheqerit në ishullin Reunion.




Me një gërshetim të perkusioneve të ndryshme dhe me improvizimet në vokal, kjo lloj muzike i përgjigjet bluesit të Oqeanit Indian. Në një përshkrim që i bëhet «maloyas», thuhet se kisha nuk e miratonte këtë muzikë për shkak se shërbente si një ritual ku thirreshin paraardhësit, shkruan sot «Koha Ditore». Ndërsa autoritetet nuk e pëlqenin për shkak të lidhjes së saj me kulturën e skllaveve dhe kishin frikë në mos shfrytëzohej si formë shekullare në kampanjat politike për thirrje për autonomi a pavarësimin e ishullit nga Franca.

Salem shpërfaq inspirimin që e merr nga kultura e vendit të saj, ku duke performuar live ajo lirohet nga ritmet e përshtatshme dhe me jehonat e zërit shkrihen si në himne bluesi. Performancat shërbejnë përkujtim i një së kaluare të hidhur. Nuk ishte më shumë se 20 vjeçe kur për herë të parë do të bëhej pjesë e një ceremonie që quhet «service kabare ceremony» dhe që aty do të futej në ujërat e muzikës së popullit të saj, për të nisur një studim të këngëve për secilën fazë të procesit. Përveç se «maloya» ishte e ndaluar të këndohej e përhapej si kulturë deri më 1981, ishte e ndaluar që të këndohej edhe nga femrat. Por në fund të viteve ’90, Salem do të niste rrugëtimin e saj, pavarësisht vështirësive.

Sot ka titullin e ambasadores së kulturës «maloya». Si e tillë erdhi edhe në Kosovë. Me flokë të stilit «afro», me zë të thellë e pak të ngjirur, i këndoi së kaluarës dhe së tashmes, dy kohë që lidhen mirë me përjetimet e popullit të saj. Në skenë nuk u ngjit e vetme. Harry Perigone dhe David Abrousse e shoqëruan në perkusione. Ritmet e shpejta, thirrjet për t’iu bashkuar këngës, meloditë e fuqishme, nuk e lanë publikun kosovar të ulur. Nuk u deshën më shumë se dy këngë që salla e teatrit «Oda» të shndërrohej në një hapësirë vallëzimi. Publiku kosovar shumë shpejt u mishërua me ritmet e «maloyas» e cila për herë të parë u interpretua si e tillë në vend. Treshja në skenë arriti që shumë mirë të akordohet me duartrokitjet e publikut dhe kështu kënduan e vallëzuan së bashku gjatë tërë mbrëmjes, në koncertin e së dielës.

«Personalisht mund të them se publiku ishte i mrekullueshëm edhe për ne në skenë. Ishte koncert me energji të mirë. Jam shumë e lumtur që publiku e pranoi muzikën shumë shpejt», ka thënë Salem, fill pas koncertit. Sebep për ardhjen e tyre në Kosovë u bë edicioni i katërt i festivalit «FemArt». E koncerti që ata shpalosën titullohej «Larg Pa Lo Kor», ku përmes muzikës u rrëfye edhe një copë historie e ishullit Reunion.

«Kjo muzikë vjen nga skllevërit dhe për shumë vite ishte e ndalur nga Qeveria franceze deri në vitin 1981. Madje edhe njerëzit e vendit nuk e respektonin kulturën dhe muzikën ‘maloya’. Kështu që ishte një lloj sfide që t’u tregojmë njerëzve se ‘maloya’ është e rëndësishme», ka thënë Salem. E tani «maloya» luhet në shumë shtete në mbarë botën dhe luhet më shumë se asnjëherë më parë. Jo vetëm nga njerëzit e tjerë por edhe nga vetë populli i saj. Ajo ka thënë se është krenare që një pjesë të kulturës së saj e prezantoi edhe në Kosovë. Rëndësia e kësaj muzike u zyrtarizua, kur në vitin 2009, UNESCO-ja e mori nën mbrojtje. E Salem pa dyshim se është një prej më meritoreve dhe zërave më të rëndësishëm në këtë drejtim.

«Në ishullin Reunion gazetarët tashmë më kanë dhënë epitetin e ambasadores së kulturës. Në vitin 2011, për shkak të punës sime për kulturën ‘maloya’ mora medalje nderi nga hapësira franceze, e cila është e një niveli të lartë», ka thënë ajo. Salem i këndon vuajtjeve të njerëzve të Reuninon, paraardhësve të saj ku gërsheton edhe tema që kanë të bëjnë me përditshmërinë dhe lajme që sot janë të rëndësishme për vendin e saj.

«Kam një këngë për ndihmat, dhe tema që janë të fuqishme që më prekin. Mund të jenë diçka që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe me diçka aktuale në të njëjtën kohë», ka thënë Salem. Krejt kjo përgjegjësi që ajo ka marrë mbi supe, tashmë i është shpërblyer dhe ajo pa dyshim se e meriton që të marrë epitetin e femrës më të popullarizuar të ishullit Reunion.