«Sa më me sukses që një diasporë integrohet në tregun e punës, aq më shumë respektohet ajo»

Fiona Elze nga viti 2012 e udhëheq Sektorin e Azilit dhe të Refugjatëve të Kantonit Schwyz. Një bisedë mbi valët e refugjatëve, masat e integrimit dhe politikën zvicerane të azilit.

Fiona Else, shefe e Sektorit të Refugjatëve dhe Azilit në Schwyz



Zonja Elze, Sekretariati Shtetëror për Emigracion këtë vit pret mbi 29’000 aplikacione për azil. Si po përgatiteni për refugjatët që po vijnë?

Përqendrimi i kërkesave për azil në muajt e verës paraqet një sfidë të madhe për fleksibilitetin e kantonit dhe të komunave në strehimin e tyre. Kantoni është duke e rritur fleksibilitetin e strukturave të strehimit.

Cilat aspekte janë të rëndësishme këtu?

Me përparësi është komunikimi i vazhdueshëm lidhur me zhvillimet në fushën e azilit: Komunat kanë nevojë për të dhëna të sakta për t’u gjetur në situata të variimit të numrave të shpërndarjes së refugjatëve. Ky bashkëpunim po funksionon shumë mirë, megjithatë shpërndarja mbi mesatare paraqet një stres për kantonin dhe komunat.

Si i përjetoni valët e reja të refugjatëve? Si paraqitet gjendja e të ardhurve?

Shumë prej azilkërkuesve kanë sëmundje tipike për një udhë të gjatë dhe të mundimshme, si për shembull zgjebe. Disa janë të traumatizuar nga ndonjë përjetim i tmerrshëm. Një eritreas, me të cilin kam biseduar, e kishte humbur vëllanë në përmbytjet e Mesdheut.

Por, kur ata mbërrijnë këtu, shihet një lehtësim. Në ditët e para flihet gjatë. Pastaj vendosin kontakte me të afërmit dhe të njohurit. Ata tanimë nuk duhet të luftojnë për mbijetesën e përditshme. Por, me të ardhur në qendrën e kalimit, fillon një punë e vërtetë: ndërtimi i një jete të re.

Cilat janë përpjekjet për integrimin e refugjatëve? Cilat janë mjetet dhe masat që përdoren për këtë?

Integrimit të refugjatëve dhe të pranuarve përkohësisht i kushtohet një vëmendje e veçantë. Enti për Integrim ka ngritur një program kantonal me qëllim të integrimit të sa më shumë personave që është e mundur në tregun e punës dhe në shoqëri. Sa më me sukses që një diasporë integrohet në tregun e punës, aq më shumë respektohet ajo.

Një filozofi interesante kjo që po ndiqni ju…

Të jemi të sinqertë: Në Zvicër gjithçka sillet rreth punës. Në Zvicër je i suksesshëm kur ke sukses në profesion. Më e keqja që mund t’i ndodhë një zvicerani është papunësia. Unë e them gjithmonë që emigranti e ka më të vështirë dhe nuk ka kuptim që të ankohemi për këtë. Me rëndësi është që të mos e huqim nga sytë qëllimin që kemi.

A është programi kantonal i integrimit e vetmja masë për t’ua lehtësuar azilkërkuesve ngjitjen në botën e punës?

Jo, nuk është. Ne kemi filluar që personave, të cilët gjenden në procedurë azili, por që vijnë nga vende me një kuotë të lartë të mbrojtjes, t’i lidhim në proceset e integrimit. Azilkërkues të rinj dhe me perspektivë suksesi që shënojnë rezultate të mira në mësimin e gjuhës gjermane mund të përfitojnë nga ofertat lidhëse të integrimit që para marrjes së vendimit për azil. Qëllimi është që të kryejnë mundësisht një zanat.

Sipas mendimit tuaj, përse Zvicra është kaq atraktive për refugjatët?

Varësisht nga vendi i prejardhjes ka motive të ndryshme tërheqjeje: lidhje farefisnore, praktika e azilit, njohuritë për vendin etj. Atraktiviteti mund të shkaktohet edhe nga një praktikë e caktuar azili. Eritreasit që kërkojnë azil në Zvicër kanë gjasa të mira për një gjë të tillë. Këtë praktikë e mbështet një vendim i Gjyqit Federal Administrativ. Sirianët, në anën tjetër, normalisht marrin vetëm një pranim të përkohshëm si tëhuaj. Në momentin që është etabluar një madhësi e caktuar e një diaspore, fillon të veprojë i ashtuquajturi Pull-Faktor. Dhe, simbolet mund të jenë shkas: për shembull – UNHCR-ja dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq e kanë selinë në Gjenevë. Ata në vendet në zhvillim nuk e përfaqësojnë vetëm të mirën, por edhe mirëqenien. Përfundimisht duhet thënë që Zvicra nuk është vendi më atraktiv i Evropës. Përpara nesh vijnë Norvegjia, Suedia dhe Gjermania.

Çka mendoni saktësisht me Pull-Faktor?

Kujtojeni një herë krizën e Kosovës: Arsyeja që erdhën kaq shumë njerëz në Zvicër nuk ishte vetëm afërsia, por edhe fakti që shumë prej tyre kishin të afërm këtu. Kur unë e lë vendim tim dhe dëshiroj apo duhet të vendosem në një vend të panjohur, atëherë preferoj të shkoj, ose aty ku kam të afërm, e njoh dikë, apo ku e di që mund të nis diçka.

Si udhëheqëse sektori jeni një pikë kyçe ndërmjet refugjatëve dhe Federatës, si dhe komunave e organizatave partnere. Ku ka fërkime?

Sekretariati Shtetëror i Emigracionit komunikon për aq sa mundet dhe u vë kantoneve në dispozicion ndihmë në planifikim në formën e statistikave dhe analizave. Në sytë e mi, Sekretariati ka potencial përmirësimi në raste emergjente. Ai këtë vit ka filluar me rekrutimin e strehimeve rezervë shtesë, gjë që është shumë e mirë. Megjithatë, këtu është i dëshirueshëm një numër më i madh i krevateve. Kështu, Sekretariati do të mund ta priste më mirë fluksin dhe me këtë do ta rriste edhe hapësirën e veprimit në kantone. Në përgjithësi, fërkimet shmangen nëpërmjet një komunikimi shumë të mirë. Shumë me rëndësi është edhe transparenca. Unë për vete kam gjithmonë kohë për dëshirat e komunave.

Cili është qëndrimi juaj ndaj politikës momentale zvicerane të azilit?

Politika zvicerane e azilit bazohet në ndërkohë 20-30 vjet përvojë praktike në këtë fushë. Ajo është një kombinim shumë i mirë ndërmjet së drejtës dhe pragmatikës. Me kalimin e viteve, ajo është profesionalizuar jashtëzakonisht shumë, gjë që e bën atë edhe më të besuar.

Sie tregohet kjo besueshmëri?

Zvicra në fushën e azilit mund të reagojë në mënyrë ad hoc, sikur tregojnë procedurat e shkurtra, të ashtuquajturat Fast-Track-procedura të kërkesave të personave që vijnë nga vendet e treta, ose nga vende ku nuk mund të flitet për përndjekje. Nuk paguan një transportues për t’u dëbuar pastaj pas 48 orëve.