Rusja e bukur me thonj të zinj në Ibiza

Në incizimet sekrete të politikanëve austriakë në Ibiza ka disa skena pothuaj teatrale. Për shembull: thonjtë e papastër të këmbëve të ruses e bëjnë mosbesues Heinz-Christian Strachen. Edhe një pyetje është me rëndësi: kush e ngriti kurthin dhe cili mund të jetë roli i një humoristi gjerman në këtë aferë?




Një vilë në Ibiza të Spanjës. Rusja «Aljona Makarova», shtetase letoneze, mbesë e një oligarku të pasur rus, premton investime në Austri, para për partinë e popullistëve austriakë FPÖ dhe thotë se dëshiron ta blejë gazetën «Kronen Zeitung». Nga fundi i bisedës që zgjat gjashtë orë, Heinz-Christian Strache, shef i FPÖ-së, fillon të dyshojë. Rusja, thotë ai, i paskësh thonjtë e këmbëve të papastër, të zinj. «Kjo s’po përshtatet me pamjen e përgjithshme», mendon ai. Johann Gudenus, funksionar i FPÖ-së, e qetëson Strachen. Gjithçka në rregull. Strache vazhdon të pi vodkë me Red Bull, duhan dhe të flasë poshtë e lartë.

Gudenus, i martuar me një serbe nga Banjalluka, e cila po ashtu merr pjesë në takimin në Ibiza, është njeriu i Straches për punë të ndyra. Ai flet rusisht, sepse ka studiuar në Moskë, në diasporën serbe në Vjenë Gudenus lavdërohet për miqësinë e tij me Millorad Dodikun, sundimtarin e Republika Srpskës të Bosnjë-Hercegovinës. Dodiku i ka dekoruar Gudenusin dhe Strachen me urdhrin e Republika Srpskës.

Pas mesnatës Strache dhe Gudenus duan të shkojnë në një klub në Playa d’en Bossa. Duke dalë nga vila Strache i thotë shoqëruesit të ruses dhe Gudenusit se ajo duhet të bëjë atë që duhet bërë dhe ta blejë gazetën «Krone». Nuk është se FPÖ nuk ka ndikim te gazeta «Krone». Por kjo nuk u mjafton, ata duan ta fusin nën kontroll të plotë, Strache thotë: tre, katër gazetarë i përzëmë nga puna, i marrim pesë të rinj. Shoqëruesi i ruses dëshiron një garanci se Strache dhe Gudenus kur të vijnë në pushtet do të angazhohen për t’ia shitur gazetën. Para se të hipin në veturë, Strache e kthen argatin e tij Gudenus prapa. «Joshi, bëja të qartë që tani!» Johann Gudenus dhe «Aljona Makarova» shkojnë në kuzhinë, edhe atje incizon një kamerë. Gudenus i thotë ruses: «Jemi 100 për qind të gatshëm të ndihmojmë, pa marrë parasysh çka vjen».

Pjesa tjetër është histori. Strache dha dorëheqje dje nga posti i nënkancelarit të Austrisë, Gudenus u largua nga të gjitha funksionet partiake. Në mbrëmje ra edhe qeveria. Austria do të zgjedhë një parlament të ri me gjasë në shtator.

Çështja tani është kjo: kush e ka ngritur kurthin me kamerat sekrete në Ibiza? Organizimi i krejt aksionit i ngjan profesionalizmit të një shërbimi sekret. Amerikanët vështirë të kenë qenë, qeveria e Donald Trumpit synon t’i forcojë, jo t’i dobësojë popullistët e djathtë në Europë. Rusët nuk duan t’i dëmtojnë njerëzit e tyre në Vjenë. Mosadi, shërbimi sekret legjendar i Izraelit? Kushedi.

Interesant është një pohim i humoristit gjerman Jan Böhmermann. Para një muaji atij iu nda një çmim në Vjenë. Ai nuk erdhi ta marrë çmimin personalisht, por u lidhe me video me publikun në kryeqytetin austriak. Böhmermann tha se nuk kishte kohë të vinte te pranonte çmimin, sepse ishte trullosur me kokainë dhe Red Bull bashkë me disa miq të FPÖ-së, me të cilët po diskutonte në një vilë të një oligarku rus mbi blerjen e «Kronen Zeitung». Publiku qeshi. Të enjten Böhmermann tha në emisionin e tij se mund të ndodhë që «nesër të digjet Austria». Të premten në orën 18:00 «Der Spiegel» dhe «Süddeutsche Zeitung» publikuan storjen. Të dielën mediat e hapësirës gjermane supozuan se pas aksionit me kamera të fshehta në Ibiza mund të qëndrojë grupi i gueriles politiko-propagandistike nga Gjermania «Qendra për Bukuri Politike» («Zentrum für Politische Schönheit»).