Rugova në sytë e diplomatit italian: «Zëri i tij arrinte edhe në fshatrat e humbura»

«Që Rugova përfaqësonte një pikë ekuilibri në panoramën e brishtë politiko-institucionale kosovare u bë e qartë pas funeralit, kur u kuptua fare mirë se do të ishte e vështirë ta zëvendësonin në institucione dhe në parti»: Diplomati italian dhe funksionari i lartë i Bashkimit Europian Fernando Gentilini portreton Ibrahim Rugovën në librin «Ballkani pa anë e pa fund – udhëtim sentimental nga Prishtina në Bruksel», Dituria, Tiranë, 2015.

Ibrahim Rugova përfaqësonte një pikë ekuilibri në panoramën e brishtë politiko-institucionale kosovare.



«Ki kujdes, këtu nuk bëhet shaka. Rugova është një mit i vërtetë…», përsëritë me sytë e tij përshkëndritës miku im gazetar, një nga besnikët e tij. Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar 2006, nga kanceri në mushkëri. Pikërisht në fillim të negociatës ndërkombëtare aq të dëshiruar mbi statusin. Zhduket kështu një nga protagonistët e historisë së Kosovës, personaliteti i saj politik më përfaqësues në planin ndërkombëtar. U zgjodh president më 1992 me një konsultim të zhvilluar në fshehtësi, të cilin serbët e toleruan vetëm sepse nuk mund t’i lejonin vetes të hapnin fronte të tjera në pikun e krizës boshnjake. Qysh atëherë filloi t’i binte përqark rrugëve të Prishtinës me një makinë të madhe të zezë dhe me një shall të vogël pështjellë për qafe, duke u sjellë si të ishte president i një vendi të vërtetë. Ngriti në këmbë një sistem shkollor, shëndetësor dhe tatimor paralelisht me atë të administruar nga Beogradi. Por, obsesioni i tij ishte pavarësia dhe rezistenca paqësore ishte instrumenti për ta fituar. Rugova ishte kundërshtar i kryengritjes së armatosur. Gjithmonë ka parapëlqyer të presë, i sigurt se problemi i Kosovës do të zgjidhej herët a vonë nga ligjet natyrore të demografisë, nga presioni ndërkombëtar apo nga ndonjë rrethanë fatlume. Lindi kështu brenda një zyre presidenciale të pasigurt dhe të zhytur në baltë, prapa stadiumit të Prishtinës, miti i «Gandit të Ballkanit».

Që Rugova përfaqësonte një pikë ekuilibri në panoramën e brishtë politiko-institucionale kosovare u bë e qartë pas funeralit, kur u kuptua fare mirë se do të ishte e vështirë ta zëvendësonin në institucione dhe në parti. Një parti – Lidhja Demokratike e Kosovës – që nga viti 1990 është ajo e shumicës, gjë që tregon se kosovarët janë tendencionalisht të moderuar dhe se partitë që dolën nga guerilja nuk u hynë në zemër. Rugova ishte një tërësi e përbërë nga shumë gjëra… Njeriu autentik paqësor, për disa. Oportunist, afarist dhe i etur për pushtet, për të tjerët. E sigurt është që u soll ngaherë si president i shqiptarëve, duke mos e vënë shumë ujin në zjarr për bashkëqytetarët e tij serbë, i ndërgjegjshëm se një angazhim në dobi të tyre nuk do të ndihmonte popullaritetin e tij («Sa më pak të bësh për ta, aq më shumë shtohen përkrahësit», pranonin çiltërsisht këshilltarët e tij).

Komuniteti ndërkombëtar nuk e ka pëlqyer asnjëherë qetësinë e tij, gjakftohtësinë me të cilën i trajtonte problemet e përditshme (në zyrën e tij portretet e Papës dhe të Nënë Terezës gjithmonë në pah). Por ndoshta nganjëherë e ka nënvleftësuar metodën e sofistikuar për të punuar, bazuar në përkatësinë nga një familje e parisë së lashtë fisnore. Në mënyrë arkaike, por frytdhënëse për të kontrolluar të gjithë, për të bërë që zëri i tij të arrinte edhe në fshatrat e humbura nëpërmjet një gërshetimi të dendur të kontakteve dhe të përcjelljes së fjalëve gojë më gojë. Kontrolli i territorit përbënte forcën e tij. Një forcë e aftë të metabolizonte shpejt e shpejt edhe humbjet: të gjithë e mbajnë në mend si në gjemba dhe i hutuar në televizion, në krah të Millosheviçit, në orvatjen e ngathët për pajtim të kërkuar nga amerikanët në prag të eskalimit ushtarak të 1999. Pandehën se ai shtrëngim duarsh me katilin e Beogradit kishte dekretuar fundin e tij politik, por përkundrazi, pas luftës, Rugova diti të marrë sërish timonin, për të drejtuar deri në fund të ditëve të tij.

I ruaj gurët që më dhuroi, nja njëzet gjithsej. Riti i dhurimit të gurëve mbyllte çdo vizitë në vilën presidenciale në Velani. Pas bisedës mysafiri shoqërohej në studio, ku presidenti mbante koleksionin e mineraleve. Ishte ai që zgjidhte me kujdes njërin syresh. Nga madhësia e tij mysafiri mund të deduktonte se sa e kishte për zemër presidenti. Shkova ta përshëndes para se ta lija Kosovën, në dhjetor 2005, dhe e gjeta çehreligur nga sëmundja dhe nga kimioterapia. E dija që nuk do ta shihja më. Më dhuroi për të fundit herë një gur. Mjaft të vogël, të rrëmbushur nga vijëzime të arta.

Përgatiti: Shkëlzen Gashi

Copyright: Shkëlzen Gashi dhe Dialogplus. Ndalohet rreptësisht ribotimi nga mediumet tjera.