Rrofshin rrugët e provincializmit!

Në Beograd Skënderbeu nderohet me dy rrugë, në Prishtinë nuk ka rrugë me emrat e poetëve Azem Shkreli e Martin Camaj, nuk ka një copë rrugë as për mikrobiologun e famshëm kosovar Osman Imami dhe as për kardiologun Musa Haxhiu. Dhe as për publicisten Christine von Kohl!

Rrugët e Prishtinës janë zaptuar me emra heronjsh të rrejshëm, me zuka, zekija, shefkia, rama, rasima, mehmeta, hasana, ferida, shyta. Foto: Shuttersrtock



Përkundër politikave agresive antishqiptare sidomos që nga viti 1912 as regjimi i Slobodan Millosheviqit, as paraardhës të tij nuk kanë shkuar aq larg sa të heqin emrat e disa shqiptarëve të famshëm në rrugët e Beogradit. Edhe sot në kryeqytetin e Serbisë ekzistojnë: Rruga Skënderbeu, Rruga e Kastriotit, Rruga e Nënës Angjelinë (e bija e Gjergj Arianit Komnenit), Rruga Ramiz Sadiku, Rruga e Shkodrës (Skadarlija), Rruga shqiptare, Rruga e Durrësit, Rruga e Lezhës.

Tri rrugët e fundit kanë marrë emrat në kujtim të ikjes së Armatës Serbe nëpër Shqipëri dhe daljes në Greqi në vitet 1915/16. Një rrugë në Beograd mban edhe emrin e Esad Pashë Toptanit, i cili ishte njëri prej politikanëve shqiptarë që u garantoi serbëve kalim të sigurt nëpër Shqipëri. Mund të thuhet se emërimi i këtyre rrugëve është bërë me qëllim të keq, por jo edhe pesë rrugët e përmendura më lart (nga Skënderbeu deri te Rruga e Shkodrës).

Në Prishtinë hiqen emrat e rrugëve Kosta Novakoviq dhe Radovan Zogoviq – ndërsa mungon një rrugë me emrin Bogdan Bogdanoviq, Ivan Gjuriq, Danilo Kish. Për Novakoviqin dihet që ka qenë një përshkrues dhe denoncues i krimeve serbe në vitet 1912/13, ndërsa Zogoviqi kishte sulmuar ashpër dhe me mjete letrare kërdinë serbe e malazeze mbi shqiptarët e Kosovës gjatë viteve të kolonizimit.

Do të duhej të kishte në Prishtinë një rrugë me emrin Bogdan Bogdanoviq. Ai ishte njëri prej arkitektëve më të famshëm të Ballkanit, ish-kryetar i Beogradit, kundërshtar i rreptë i regjimit të Millosheviqit, mbështetës i madh i mëvetësisë së shqiptarëve të Kosovës. Një intelektual i kalibrit europian. Vdiq në Vjenë, larg Serbisë, prej së cilës kishte ikur në vitet 90-të, sepse nuk mund të duronte më atmosferën e ndotur nacionaliste dhe antishqiptare.

Do të duhej të kishte në Prishtinë një rrugë me emrin e Danilo Kishit. Ishte njëri prej shkrimtarëve më të rëndësishëm dhe më modern të Ballkanit, hebre dhe malazez, i cili zhvilloi një betejë titanike kundër intelektualëve nacionalistë serbë. Vdiq në Francë në vitin 1989, në një kohë kur emri i tij përmendej si kandidat serioz për Çmimin Nobel.

Do të duhej të kishte një rrugë në Prishtinë me emrin e Ivan Gjuriqit, historian serb, politikan opozitar i viteve 90-të, kritik i rreptë i Millosheviqit dhe i politikës së tij shfarosëse kundër shqiptarëve.

E keqja e provincializmit dhe injorancës është se e kaplon një shoqëri pavërejtur. Kësisoj, injoranca shndërrohet në fuqi dhe normalitet dhe ata që protestojnë mund të etiketohen si të çmendur ose – edhe më mirë – si agjentë të Serbisë.

Hajde t’i lëmë njëherë anash serbët. Përse nuk ka në Prishtinë një rrugë me emrin Lubjana? Çfarë është për shqiptarët sot Brukseli, në vitet 80-të ishte Lubjana. Aty revista «Mladina» raportonte për krimet serbe në Kosovë, për grevën e minatorëve të Trepçës, aty shkrimtarët sllovenë bënin beteja të mëdha në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, aty, në Cankarjev Dom, u zhvillua tubimi më domethënës në Jugosllavi në mbështetje të minatorëve të Trepçës, aty zhvillonte aktivitet patriotik shoqata shqiptare «Migjeni» (përndryshe një shkrimtar i madh shqiptar me origjinë sllave).

Do t’i bënte nder Prishtinës një rrugë me emrin e shkrimtarit, aktivistit politik dhe diplomatit slloven Jasha Zlobec – atij Jashës që me mish e me shpirt angazhohej për lirinë e Kosovës.

Hajde t’i lëmë anash krejt sllavët, por përse nuk ka një rrugë me emrin Adriatiku në Prishtinë? Është deti më i rëndësishëm i historisë së shqiptarëve.

Kur e marrin pushtetin opingarët, atëherë mund të përfitojnë gomarët, madje me emrat e tyre mund të stolisin edhe shumë rrugë të qyteteve. Ata që kanë dhënë kontribut të madh për emancipimin, arsimimin, zhvillimin kulturor, mendor, shpirtëror të shqiptarëve injorohen. Esad Mekuli është përzënë diku në një rrugicë të padenjë të Prishtinës në vend se emri i tij i ndritur të shkëlqente në zemër të kryeqytetit të Kosovës. Shkrimtari Anton Pashku s’përmendet në asnjë rrugë të Prishtinës, as poeti e profesori Martin Camaj, fama e të cilit u shtri në Gjermani, Itali e më gjerë. Një rrugë do të duhej ta kishte edhe osmanisti Hasan Kaleshi, sepse ishte ndër të vetmit historianë të Kosovës që merrej seriozisht në rrethet shkencore në Perëndim. Përse nuk ka rrugë me emrin e profesor Musa Haxhiut, njërit prej kardiologëve më në zë në Jugosllavi, dekan i Fakultetit të Mjekësisë, kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, kryetar i Lidhjes së Shoqatave të Fiziologëve të Jugosllavisë dhe anëtar i shumë asociacioneve profesionale-shkencore? Përse nuk ka rrugë me emrat e shkrimtarëve Azem Shkreli, Ali Podrimja, Enver Gjerqeku, Rrahman Dedaj, Mirko Gashi, Rifat Kukaj, Vehbi Kikaj, Agim Deva? Përse s’përmenden në asnjë sokak të Prishtinës emrat e pedagogëve Mehmet Gjevori dhe Jashar Rexhepagiqi? Apo i mikrobiologut Osman Imami, i pari dekan i Fakultetit të Mjekësisë të Prishtinës?

Edhe për ata që na shurdhojnë çdo ditë me patriotizëm kafehanesh: përse një rrugë në Prishtinë nuk e bart emrin e At Zef Pllumit? Apo të Pjetër Arbnorit? Ose Eqrem Bej Vlora?

Përse nuk ka një rrugë me emrin Branko Horvat? Një shpjegim për injorantët dhe nacionalistët primitivë: me librin e tij për çështjen e Kosovës ky ekonomist kroat i dha një goditje të rëndë nacionalizmit serb nga mesi i viteve 80-të. Ai ishte një shkencëtar me renome ndërkombëtare. Përse vazhdon kjo shoqëri të përkundet në shtratin e injorancës dhe të mos ia vë një sheshi, rruge a shkolle emrin Christine von Kohl? Kjo daneze që gjatë gati gjithë jetës së saj shkroi në mediat gjermane në favor të shqiptarëve dhe punoi si aktiviste për të drejtat e njeriut në vitet 90-të ishte ambasadore jozyrtare e Kosovës në Vjenë.

Pse nuk ka rrugë me emrat e lartpërmendur? Sepse rrugët e Prishtinës janë zaptuar me emra heronjsh të rrejshëm, me zuka, zekija, shefkia, rama, rasima, mehmeta, hasana, ferida, shyta.