Rritja e kontrollit në Kuvend acaron opozitën, paralajmëron tensione

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, disa herë ka përsëritur se nuk do të autorizojë asnjëherë futjen e sigurimit në sallë, për mbarëvajtje të seancave plenare. Por ai bashkë me Kryesinë kanë vendosur kontrolle të rrepta në hyrje-daljet e Kuvendit të Kosovës, të cilët do të fillojnë se aplikuari që nga kjo javë, shkruan sot Koha Ditore.




Do të ketë funksionalizim të plotë të skanerëve, që deri tani nuk kanë funksionuar si duhet dhe kujdes më të madh të punëtorëve të sigurimit në Kuvend.

Do të kontrollohet në detaje secili deputet. Këto masa vijnë pas përshkallëzimit të situatës javën e kaluar, në seancën ku opozita kishte futur vezë, skalperë e gaz lotsjellës. Por, pavarësisht masave opozita është e vendosur të pamundësojë zhvillimin e seancave, duke paralajmëruar edhe rritje të tensioneve.

Kuvendi këtë të enjten do të vazhdojë me agjendën legjislative, duke miratuar ligje edhe nën zhurmën eventuale të opozitës.

Driton Lajqi, këshilltar politik i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se seanca do të mbahet sipas vendimit dhe agjendës së miratuar në Kryesi, «pavarësisht kursit politik që ndjek opozita». E rruga që ka zgjedhur Kryesia është parandalimi i futjes së gjësendeve të cilët mund lënë pasoja për deputetët.

«Nuk mundemi të parashikojmë dhe as paragjykojmë rrjedhën, por Kryesia ka vendosur që të ketë kontrolle strikte në hyrje-daljet e Kuvendit, funksionalizim të plotë të skanerëve dhe vigjilencë më të madhe të punëtorëve të sigurisë në hyrje- daljet», ka theksuar Lajqi.