Rreziku nga blerja e votave dhe vjedhja e votave më 6 tetor

Ilustrimi: Shutterstock



Në vitin 2010 PDK i vodhi zgjedhjet në përmasa industriale. E thanë këtë edhe diplomatët perëndimorë. Për PDK-në ishte me rëndësi që me çdo kusht të mbajë pushtetin. Atëbotë PDK sapo ishte mësuar të vjedhë në nivel po ashtu industrial, sepse pas zgjedhjeve të vitit 2007 ajo i mori gati të gjitha postet e rëndësishme, përfshirë edhe kryeministrin. Partitë e tjera gabuan dhe e pranuan vjedhjen industriale, pastaj zunë vend në parlament. Kjo i dha argument PDK-së të thotë se zgjedhjet e vitit 2010 ecën mirë, përkundër disa parregullsive.

6 tetori i këtij vitit për PDK-në është ditë vendimtare: kësaj radhe kjo parti rrezikon të dalë e treta në garën politike dhe një gjë të tillë PDK me çdo kusht synon ta evitojë. PDK pa pushtet është si Marinari Popaj pa spinaq. Pa muskuj të forcuar nga fuqia financiare, PDK zbehet dhe mund të zhduket. Që kjo të mos ndodhë, PDK do të përpiqet me çdo mjet e metodë «t’i fitojë» zgjedhjet.

Si bëhet kjo? Me blerje të votave. Gjithsesi PDK nuk është partia e vetme që mund të përdorë këtë metodë të ndyrë dhe kriminale, por PDK ka potencialin më të madh financiar dhe organizativ për një mbrapshti të tillë. PDK e ka edhe përvojën. Përvojën e vjedhjes. Në një vend ku papunësia është shumë e lartë, ku rroga minimale nuk mjafton as për të blerë bukë e kripë dhe dy pashteta me afat të skaduar, partitë si PDK gjejnë njerëz të varfër që i mashtrojnë me premtime në stilin: ja 50 euro kësaj radhe, ja një mbushje telefoni, pastaj, pas zgjedhjeve të fusim edhe në punë. Ka funksionuar shpesh kjo metodë, mund të funksionojë edhe më tutje.

Blerja e votave bëhet edhe përmes pensioneve të veteranëve. Kosova nuk ka pasur më shumë se 15 mijë njerëz të kyçur në luftë kundër pushtuesve serbë. Si me magji ky numër është rritur në 60 mijë. Pra, rreth 45 mijë potencialisht janë veteranë të rrejshëm. Ata marrin rrogë nga taksat tona. Ata marrin rrogë çdo muaj. Dhe ata e dinë kush ua ka siguruar këto rroga: PDK, AAK dhe satelitët e tyre. Partitë që quhen «krahu i luftës», e që janë shndërruar në krahun e plaçkitjes. Veterani që e vjedh shtetin çdo muaj, gjithsesi do të votojë për partitë që ia kanë mundësuar vjedhjen. Për këto parti do të votojnë edhe jo pak anëtarë të familjeve të të ashtuquajturve veteranë. Pushteti ka qenë fitimprurës jo vetëm për PDK-në. Edhe për Ramush Haradinajn ka qenë i tillë. Dikur ai thoshte se në Dukagjin s’ka pasur më shumë se 6 mijë ushtarë, tani nuk e ka problem të thotë se prokurori Elez Blakaj na qenkësh «hajn pulash» pasi ka dyshuar se Kosova ka 60 mijë veteranë. Shkurt e shqip: buxheti i Kosovës paguan njerëz për të votuar për PDK-në, AAK-në dhe Nismën.

Një rrezik tjetër i madh është vjedhja e votave. Manipulimi i rezultateve. Dhe djallëzi të ngjashme. Andaj është me rëndësi që partitë opozitare të mobilizohen maksimalisht për të penguar dëmtimin e procesit zgjedhor. Vjedhja duhet të pengohet me çdo mjet të lejueshëm demokratik – nga kundërshtimi brenda institucioneve deri te protestat masive në rrugë.

Një fushë tjetër ku partitë deri më tani në pushtet mund të dëmtojnë procesin elektoral janë votat e diasporës. Përmes njerëzve të tyre në postë ata mund të zhdukin zarfet e ardhur nga diaspora dhe të adresuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Partitë në pushtet e dinë se shumica e votave të diasporës shkojnë në llogari të partive opozitare, VV dhe më pak LDK. Edhe këtu partitë opozitare duhet të luftojnë për një proces transparent dhe të rregullt në mënyrë që çdo votë të numërohet dhe asnjë të mos deformohet. Deformimi i procesit zgjedhor mund ta fusë Kosovën në një krizë të thellë politike. Këtë duhet ta kenë të qartë edhe diplomatët e shteteve perëndimore, të cilët viteve të shkuara e kanë pasur gojën plot me kërkesa për zgjedhje të ndershme, por në fund janë pajtuar madje edhe me vjedhje industriale, me rëndësi që pushtetarët të vallëzojnë sipas fishkëllimës së diplomatëve.