Rrëshqitja e dheut rrezikon gypin kryesor të ujësjellësit në «Velani»

Shembja e dheut në lagjen «Velania» në kryeqytet, vazhdon të rrezikojë gypin kryesor të ujësjellësit, i cili furnizon rreth 40 për qind të banorëve të Prishtinës.




Rrëshqitja kishte ndodhur të mërkurën, ku si pasojë është rrëzuar edhe një pjesë e murit 20 metra në parkingun e Radiotaksi «Velania», shkruan sot «Koha Ditore».

Edhe pse në vendin e ngjarjes kanë dalë inspektorati, ujësjellësi dhe policia për të hetuar rastin, ende nuk dihen shkaqet se si ka ardhur deri te kjo rrëshqitje.

Banorët thonë se kjo mund të jetë shkaku i peshës së disa veturave që kanë qëndruar për disa vite në atë pjesë, por edhe nga lagështia e tokës. Ndërsa në Komunën e Prishtinës nuk flasin për detaje, se çfarë ka ndodhur konkretisht.