Rikthimi i automobilave të VW-së nis në janar

Volkswageni ka njoftuar se programi për rikthim të automobilave në Evropë do të nisë në janarin e vitit të ardhshëm.




Duke folur për gazetën prestigjioze «Frankfurter Allgemeine Zeitung», shefi i ri i VW-së, Matthias Muller ka thënë se nëse gjithçka shkon sipas planit, rikthimi i automobilave në Evropë me motorin EA189 do të nisë në janar dhe do të vazhdojë deri në fund të vitit.

Kjo përfshin tetë milionë automobila të shitur në Bashkimin Evropian dhe ka disa lloje modelesh nga VW, Audi, Skoda dhe SEATi.

Të gjithë automobilat e kthyer do të përditësohen në softuer, por në disa raste do të duhen edhe konvertime të disa pjesëve të mëdha të motorit.

Sipas «FAZ», Muller po ashtu ka thënë se ka përjashtuar katër punëtorë deri tani, duke përfshirë tre top-menaxherë, por nuk ka treguar identitetin e tyre.