«Republika e Mahongshit»

Shkaktari i skandalit me fotografitë sipas të gjitha gjasave të rrejshme që u prezantuan në opinion e ka një emër: Kadri Veseli. Sjellja e tij mbase nuk është aq befasuese. Diçka tjetër s’pritet prej tij. Por, a ka mbetur ndokush në kryesinë e PDK-së që ka kurajë të flasë? Të kritikojë. Të protestojë. Të revoltohet. Të mendojë se Kosova është më shumë se edhe një mandat i PDK-së në pushtet. Se Kosova do të ekzistojë edhe pasi krerët e PDK-së do të ndajnë të gjitha resurset si në darkën e fundit të një grupi mafioz.




Çfarë halli ka Kadri Veseli që është nxehur aq shumë javëve të fundit? Çfarë halli ka që e fyen një gazetar me epitetet më vulgare («Mu kjo punë veç mi flladit…»)? Çfarë halli ka që e humb kontrollin vetëm pse portali «Gazeta Express» shkruan se Kadri Veseli është marrë në pyetje nga Gjykata Speciale? Po këtë tashmë po e thonë edhe kolegë të partisë së Veselit, madje duke precizuar: njëherë është marrë në pyetje në Prishtinë dhe herën tjetër, sipas të gjitha gjasave, në Lubjanë. Kjo nuk do të ishte befasi e madhe, fundja në Raportin e Këshillit të Europës mbi mizoritë e një krahu të UÇK-së, emri i Kadri Veselit përmendet disa herë. Nëse ky njeri paskësh qenë i gatshëm të japë jetën për lirinë e Kosovës në vitet 1997/98/99, pse ky panik tani nga Gjykata Speciale? Fundja, përballja me drejtësinë është shans për të dëshmuar pafajësinë.

Ndoshta paniku ka të bëjë me faktin se Kadri Veseli dhe shokët e tij po frikësohen se në kujtesën e këtij populli do të hyjnë edhe si përgatitës të terrenit për një luftë civile ndërshqiptare. Kjo luftë nuk ndodhi për shkak se Lidhja Demokratike e Kosovës uli kokën dhe duroi vrasjen «nga persona të panjohur» të dhjetëra aktivistëve të saj në të gjitha nivelet. Ndoshta po frikësohen se Gjykata Speciale mund të dënojë edhe ndonjë mashtrues që me emblemë të UÇK-së mund të ketë përdhunuar gjatë luftës apo ekzekutuar civilë? Pas të gjitha këtyre shqetësimeve qëndron frika e madhe e Kadri Veselit dhe shokëve të tij për fatin personal: ku do të jemi pas një viti? Në qeli apo diku në shkretëtirën politike, me vetëm afër 10 për qind përkrahje nga militantët dhe përfituesit e fundit nga sistemi kleptokratik?

Nuk është hera e parë që Veseli humb nervat. Dikur i pati thënë një deputeteje «ma hongsh…». Para një viti ai në parlament tha: «Kom me ju ngi SHIK në këtë mandat, kemi me shku deri në fund, mos bë ciu, ciu, ciu…». Dje, kur deputetja F.B. doli para opinionit dhe me guxim të frikshëm nxori një fotografi që gjoja tregonte se si serbë të uniformuar po dhunojnë një grua shqiptare, pas saj qëndronte hija e Kadri Veselit, pas saj jehonin fjalët e Kadri Veselit: «Kom me ju ngi SHIK…». Ka disa javë që Veseli sillet sikur prioritet i politikës së tij është ndjekja e kriminelëve serbë të luftës. Befas, dy dekada pas luftës, ky person shtiret sikur ka zbarkuar dje në këtë vend dhe po habitet me plojën që ka shkaktuar Serbia. Do të themelojmë gjykatë ndërkombëtare për të ndjekur kriminelët serbë (sic!), premton ai. Do të themelojmë muze, paralajmëron ai. (Edhe një tender!). Do të miratojmë rezolutë për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, bërtet ai. Thua se me një rezolutë parlamentare rregullohet gjithçka. Thua se kjo është e mundshme pa vendime të instancave relevante ndërkombëtare. Çfarë po bën vaki këto ditë në Kosovë është një parodi me viktima, një tallje me to, një komercializim i vuajtjes për përfitime politike – thua se bëhet fjalë për kontrabandistë të biskotave nga Serbia në Kosovë.

Dalja e deputetes F.B. para opinionit me atë fotografi që, me sa duket, s’është shkrepur në Kosovë, ishte përdhosje e viktimave. Ishte edhe një përpjekje për t’i mbuluar dështimet e deritanishme. Meqë shpejt u zbulua se fotografia nuk ka burim serioz, Kadri Veseli u bë si lepur. E dogji deputeten e tij F.B. me shpejtësi marramendëse, duke thënë se edhe nëse fotografitë janë të pavërteta, e vërtetë është se Serbia ka kryer krime. Çfarë marrëzie argumentuese. Kjo tingëllon si: operacioni ishte i suksesshëm, por pacienti vdiq. Operacioni i djeshëm ishte ndër më të pasuksesshmit në historinë e palavdishme të SHIK-ut. Ky operacion ishte po aq i besueshëm sa përrallat e Kadri Veselit në mediat që i redakton vetë për thasët me dokumente që agjentët e tij i kanë grabitur nga zyrat e larta shtetërore në Beograd.

Sjellja e Kadri Veselit mbase nuk është aq befasuese. Diçka tjetër s’pritet prej tij. Por, a ka ndonjë këshilltar që ka autoritet ta ndalë nga kjo politikë e theqafjes? A ka mbetur ndokush në kryesinë e PDK-së që ka kurajë të flasë? Të kritikojë. Të protestojë. Të revoltohet. Të mendojë se Kosova është më shumë se edhe një mandat i PDK-së në pushtet. Se Kosova do të ekzistojë edhe pasi krerët e PDK-së do të ndajnë të gjitha resurset si në darkën e fundit të një grupi mafioz. Apo beteja e fundit e PDK-së është instalimi i një shërbëtori si kryetar i LDK-së me shpresën se pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare edhe për Kadri Veselin do të gjendet një vend në qeveri: ta zëmë si zëvendëskryeministër apo zëvendësministër, pasi s’paskësh qenë e shkruar të bëhet kryeministër. Se po të bëhej ky kryeministër, kushedi çfarë filmash do të shihte ky vend e kjo shoqëri që po trajtohet me aq përbuzje nga pushtetarët.