Refugjatët mund të nisin të kalojnë nëpër Shqipëri

Bash si para 25 vjetësh, kur shqiptarët largoheshin prej vendit të tyre, tani nëpër Shqipëri mund të kalojnë refugjatët nga Siria «Economist».

Drejt Italisë: shqiptarë duke u larguar nga vendi i tyre në vitet 90-të.



Italianët zor mund t’u besonin syve. Mijëra shqiptarë, të ngujuar në tragete e anije të dalë përdorimi, ishin nisur 25 vjet më parë të arrinin në qytetin bregdetar juglindor të Italisë, Brindizi. Komunizmi po binte në Shqipëri dhe kishin dalë fjalë se italianët nuk po kërkonin më viza. Në gusht vetëm në një traget kishin hipur 20 mijë shqiptarë. Pastaj Qeveria italiane premtoi se do t’ia ndante Shqipërisë 9 milionë dollarë (vlera e sotme do të ishte 16 milionë dollarë) që t’i mbante qytetarët e saj në vendlindje dhe kështu u ndal hovi i fluksit të shqiptarëve.

Sot kriza e emigrantëve u sjell kujtime të përziera shumë shqiptarëve. Si vend i emigrantëve, shqiptarët ndjejnë keqardhje për të tjerët që po ikin prej luftërave vetëm sa për të shpëtuar kokën. Vetëm tre milionë shqiptarë kanë ngelur në Shqipëri, me një milionë që besohet se jetojnë jashtë vendit. Diaspora shqiptare në Greqi dhe Itali është më e madhja. Vjet 55 mijë shqiptarë u munduan të gjenin jetë më të mirë duke u larguar nga vendi i lodhur nga varfëria, duke iu bashkuar atyre që po merrnin rrugën prej Lindjes së Mesme dhe po kërkonin azil politik në Gjermani.

Autoritetet shqiptare kanë nisur të shqetësohen se Shqipëria do të detyrohet të merret me njerëzit që po vijnë më shumë se sa me ata që po largohen prej vendit. Shumëkush parashikon se refugjatët nga Siria, Iraku dhe Afganistan – shumë prej të cilëve janë bllokuar në Greqi pasi nuk po u lejohet prej Maqedonisë të vazhdojnë rrugën drejt Evropë – mund të përpiqen tani të kalojnë nëpër Shqipëri. Një numër i vogël refugjatësh është zbuluar nëpër rrugët e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës.

Ka thashetheme se mafiozët shqiptarë po kërkojnë gomone në Itali për t’i transportuar emigrantët në brigjet italiane, qysh kishin bërë me kurdët dhe të tjerët në vitet nëntëdhjetë. Deri tani nuk ka pasur shenja të tilla, pos gomoneve që janë zënë kohë pas kohe me drogë, duke kapërcyer Adriatikun. Shumë emigrantë në Greqi kanë dëgjuar se është me rrezik të kalosh nëpër Shqipëri, sepse mund të jesh pre e sulmeve grabitqare dhe vrasjeve mafioze dhe se mund të përfundosh prapa grilave. Vetëm disa qindra sosh kanë provuar muajve të fundit të rrahin rrugët e Shqipërisë.

Edhe pse vendi ka përvojë të fluksit të madh – si me rastin e luftës së Kosovës më 1998-99, kur shqiptarët e Kosovës kishin dalë dhe qëndruar në Shqipëri deri pas përfundimit të luftës –, Shqipëria mund të mos jetë e përgatitur mirë. Shqipëria po dërgon tani forca shtesë në kufij. Italia premtoi më 4 mars se do të dërgonte forca shtesë për të ndihmuar kontrollin kufitar detar dhe tokësor. Por Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, ka thënë se vendi i tij nuk është i hapur për emigrantët. Kështu që ka mundësi që edhe një shtet ballkanik të stërmbushet me emigrantë, që mund të zemërohen derisa ikin prej luftës. Mund të mos bëjë fort punë fakti se shumë shqiptarë janë mirëpritur jashtë vendit.