Rama: Kuqeziu i vërtetë e do Kombëtaren edhe kur humbë

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka bërë një rezume të kualifikimit të Shqipërisë në Evropianin që do të mbahet në Francë vitin e ardhshëm.




Rama e ka quajtur sprovë të (para)fundit pasi është e fundit në grup, për të shkuar direkt në Francë me një fitore dhe, në rast barazimi ose humbjeje, është e parafundit sepse Shqipërinë e pret sprova finale në playoff me të tretën e një grupi tjetër, transmeton Koha.net.

Ai bën thirrje që të përkrahet kombëtarja edhe nga Tirana, para Kryeministrisë, ku do të vendoset një ekran i madh për të transmetuar ndeshjen.

Ai thotë se kush ka shfryrë fjalë të tepërta zemërimi ndaj Kombëtares pas ndeshjes së mbrëmshme nuk është i ftuar.

«Kush është kuqezi i vërtetë Kombëtaren e do njësoj kur fiton e kur humbet dhe mund të zemërohet me të vetëm kur Kuqezinjtë nuk japin gjithçka nga vetja në fushën e lojës. Por kjo deri tani nuk ka ndodhur kurrë me këtë Kombëtare, e cila shkon apo nuk shkon në Francë, është ngjitur në majën e historisë së futbollit shqiptar. ‪#‎ForcaShqipëria‬», shkruan në fund Rama.