Radikal, i zhurmshëm, i suksesshëm: Donald Trump ka arritur gati në cak

Ai ka fyer, ka gënjyer dhe ka nxitur urrejtje: në fushatën paraelektorale amerikane Donald Trump i ka lejuar vetes shumë gjëra, të cilat do ta kishin dëmtuar secilin. Në vend të kësaj ai gjendet para triumfit, të cilin një kohë të gjatë pothuaj askush nuk e ka pritur.

Donald Trump: Në katër raste ai falimenton, por çdo herë arrin të ristrukturojë ndërmarrjet me sukses. Magazina «Forbes» supozon se pasuria e tij sillet rreth 4 miliardë dollarë, Bloomberg supozon 2,9 miliardë, vetë Trump flet për 10 miliardë. Foto: Shutterstock



Ai dëshiron ta bëjë Amerikën sërish të madhe. Dhe të pasur. Ushtrinë «të pushtetshme, pabesueshëm». Të gjithë e kanë nënçmuar, pothuaj askush nuk e ka marrë tamam seriozisht. Pastaj Donald Trump nisi të fitojë. Shtet pas shteti, zgjedhje pas zgjedhjesh në fushatën paraelektorale. Tani duket se vërtet ka arritur në cak: kandidatura presidenciale e Partisë Republikane e vitit 2016 faktikisht nuk mund t’i merret më.

Donald Trump është ish-demokrat, ish i pavarur dhe ish-kandidat për president i Reform Party. Që nga vera e vitit 2015 ai piskat dhe bërtet si popullist i djathtë konservator. Me këtë qasje ai ka shumë me tepër sukses se ç’kanë pritur gati të gjithë. Të jesh i madh është mirë, dhe mirëqenia është sukses: kështu mendon Trump. Ky burrë me frizurën e famshme bionde e ka bërë vetëm multimiliarder si pronarë patundshmërish dhe yll i programeve televizive të tipit reality. «The Donald» kurrë nuk ka qenë i njohur për modesti apo kujdes gjuhësor. Mendjeshitja është shenjë dalluese e tij, por kjo s’e pengon as atë, as mbështetësit e tij. Ajo i siguron atij vëmendje në mediumet amerikane, të cilat ai i përdorë dhe të cilat prej muajsh e ushqejnë mirë fushatën e tij elektorale. Jo vetëm mediumet amerikane, por edhe vëzhguesit e huaj luhaten mes tmerrit dhe fascinimit. Ata e konsiderojnë radikalizmin e Trumpit si të rrezikshëm, por nuk pyesin me këmbënguljen e duhur.

Në shumë komente thuhet se Trump është i çmendur. Një Napoleon. Putini i Amerikës. Një kloun. Vullgar. Verbues. Por asnjë kanal nuk dëshiron t’i shmanget. Trump mund të bëjë çfarë të dojë, gjithçka transmetohet drejtpërdrejtë, asnjë kandidat nuk gëzon më shumë vëmendje. Ai është në të gjitha kanalet, si askush tjetër ai është i pranishëm në Twitter. Kritika nuk i lë shenjë, nuk i bën përshtypje, ai pa iu dridhur syri kundërgodet.

Vetëm kur dikush ia thotë në sy se çfarë mendon për të, ai tregohet tepër i ndjeshëm. Njihet si idhnak hakmarrës, lehtë ndihet i fyer, kundërshtarët thonë se ka karakter kalamajsh. Përveç madhështisë së vetvetes në këtë fushatë temë e pëlqyer e Trumpit është emigracioni. Ai dëshiron të ndërtojë «një mur të bukur» në kufi me Meksikën për t’i mbajtur larg ardhacakët. Shpenzimet do të duhej t’i paguante Meksika. Përkundër të gjitha gjykimeve të ashpra askush nuk ia mohon Trumpit mendjemprehtësinë dhe finokërinë biznesore. Thuhet se karriera e tij flet vetë. Trump e konsideron veten «njeri vërtet të mençur». Dhe po ashtu për të gjithë është e dukshme: «Unë jam i hijshëm».

Në takimet elektorale ai shkon me avionin e tij, kjo u bën përshtypje shumë zgjedhësve potencialë. Ai thotë: «Të gjithë më duan». Toni origjinal: Do të jem presidenti më i mirë që ka falur Zoti sa i përket vendeve të punës».

Trump u lind më 14 qershor 1946 në New York si fëmija e katërt nga pesë fëmijët e çiftit Frederick dhe Mary Trump. Dekada më vonë ai praktikisht pas çdo fitoreje paraelektorale u çon selam në qiell, së fundi në Indiana.

Donald duket se ka qenë djalosh i sigurt në vetvete, jo lehtë për t’u frenuar. Kështu prindërit në moshën 13-vjeçare e dërguan në një akademi ushtarake. Atje kaloi mirë, studioi në Universitetet në Fordham dhe Pennsylvania dhe mbaroi ekonominë – por assesi aq shkëlqyeshëm siç thotë Trump vazhdimisht.

Babai i tij Fredi, pinjoll i emigrantëve gjermanë, fitoi miliona në sektorin e ndërtimtarisë. Pas studimeve Donaldi u kyç në këtë biznes. Më 1974 u bë president i ndërmarrjes, duke ia dhënë asaj emrin Trump Organization. Pasojnë investime në hotele të ndryshme, kazino dhe ndërtesa me apartamente luksoze.

Të pasur e bëjnë Trumpin edhe të drejtat për zgjedhjet e missave dhe roli i tij në shoun televiziv «The Apprentice», prej të cilit më vonë rezulton seria «The Celebrity Apprentice», pastaj disa biografi, mobile dhe marka të posaçme me emrin e tij.

Por jo gjithçka ecën mirë. Në katër raste ai falimenton, por çdo herë arrin të ristrukturojë ndërmarrjet me sukses. Magazina «Forbes» supozon se pasuria e tij sillet rreth 4 miliardë dollarë, Bloomberg supozon 2,9 miliardë, vetë Trump flet për 10 miliardë.

Tri herë i martuar – martesat e Trump me gra glamuroze dhe dy divorce e kanë bërë atë protagonist të titujve të shtypit. Më 1977 ai u martua me modelen çeke Ivana Zelnickova. Me të ai ka tre fëmijë, mes tyre Ivanka, ish-model, biznesmenë dhe njëra prej këshilltareve të tij më të rëndësishme. Më 1993 ai u martua me aktoren Marla Maples. Më 1997 kjo lidhje mori fundi. Gruaja numër tre më 2005 u bë modelja Melania Knauss. Me Maples dhe Knauss Trump i ka edhe dy fëmijë të tjerë.

Kur u kurorëzua me Melania Hillary Clinton ishte mysafire, ndërsa sot ajo është kandidate e demokratëve për postin e presidentes dhe sulmohet ashpër nga Trump. Ky është një shembull që tregon se si Trump shpesh i ndryshon radikalisht mendimet, shpesh për 180 gradë. Ai akuzohet për oportunizëm të pastër.

Sa i përket abortit, tatimeve, reformimit të sistemit shëndetësor apo ligjeve për armë – shpesh Trump ka tingëlluar si liberal. Dhe jo si konservator i regjur siç bëhet sot me zhurmë dhe ashpërsi. Paraqitja agresive me të cilën ai është i suksesshëm do t’i mundësojë atij kandidaturën për Shtëpinë e Bardhë. Ndonëse në krahasim të drejtpërdrejtë me konkurrenten e tij të mundshme Clinton anketat janë të mjerueshme, tani askush nuk do ta nënçmojë atë.

(DPA)