QKUK-së i mungon aparatura që gjendet edhe në Spitalin e Gjilanit

Klinika e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga e hëna do të fillojë të pranojë pacientët. Megjithatë, jo çdo gjë është gati që të rifillojë punën kjo klinikë e sektorit publik, shkruan sot Koha Ditore.




Disa analiza që janë parakusht për të filluar ndërhyrjet kirurgjike në zemër, nuk mund të realizohen në QKUK. Bëhet fjalë për analizën e matjes së shkallës të disa enzimave. Këtë e ka konfirmuar zëvendëskryesuesi i Bordit të ShSKUK-së, Shemsi Veseli.

«Në QKUK nuk bëhen analizat e troponinës, hemoglobinës e të disa enzimave të tjera. Kjo e vështirëson punën e Kardiokirurgjisë, pasi që pacientët para se të futen në operim duhet të dinë rezultatin e këtyre analizave», ka thënë ai.

Veseli ka deklaruar se nëse ndonjëra nga këto enzima është e rritur me shumë se sa duhet kardiokirurgu nuk guxon ta fusë pacientin në sallë. Për këtë çështje ka thënë se janë në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë (MSh).

Për pamundësinë që QKUK-ja të kryej këto analiza është deklaruar edhe drejtori i ShSKUK-së, Curr Gjocaj. Ai ka thënë që janë duke u munduar që këtë çështje ta zgjidhin sa me shpejt.