Qeveria shpreh keqardhje për dhunën e opozitës në Kuvend

Prishtinë, 8 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës përmes një komunikate për media ka shprehur keqardhje për dhunën që një grup i deputetëve të opozitës përdori sot në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku për pasojë disa deputetë morën lëndime dhe kërkuan ndihmë mjekësore.




Përkundër kushteve ekstreme të krijuara nga dhuna e manifestuar nga ky grup i deputetëve opozitarë, megjithatë, falë vendosmërisë dhe përkushtimit demokratik të shumicës parlamentare, sot në Kuvend u miratuan disa projektligje me rëndësi për jetën e qytetarëve, të propozuara nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje grupit të deputetëve opozitarë, të cilët me sjelljet e tyre të dhunshme, në veçanti sot, tejkaluan çdo kufi të sjelljes institucionale dhe demokratike, që t’i japin fund dhunës dhe çfarëdo veprimi në kundërshtim me interesat vitale të qytetarëve, të shtetit si dhe partneritetin e çmuar të Republikës së Kosovës me SHBA-të dhe vendet e BE-së.

Qeveria e Republikës së Kosovës, përkundër këtyre rrethanave, mbetet e përkushtuar për të përmbushur obligimet e saj ligjore dhe kushtetuese, si dhe për të qenë pjesë aktive e çdo debati parlamentar i cili do t’i kontribuonte zhvillimit ekonomik, shtetit ligjor dhe proceseve integruese euroatlantike të vendit.