Qeveria greke në krizë për shkak se një ministër e përmendi fjalën «Maqedoni»

Gjatë një interviste televizive ministri grek i çështjeve të migracionit Giannis Mouzalas e ka quajtur Maqedoninë - Maqedoni. Dhe kështu ka ndezur një polemikë në kabinetin qeveritar.

Silueta e përmendores së Lekës së Madh në Selanik. Në Shkup statuja e Lekës së Madh është më e madhe. Foto: Shutterstock



Si mund ta zemëroni policin kufitar grek në pikën kufitare të Gjevgjelisë? Shumë lehtë: nëse ju pyet «nga vini?», thoni: «Nga Maqedonia». Mund të plas sherri menjëherë dhe polici kufitar të hakmerret, duke ju lënë të prisni në kufi, ndërsa ju tashmë e paramendoni veten duke pirë kafe në Selanik. Nëse policit kufitar grek i thoni se po vini nga Shkupi dhe e keni ndërmend të shkoni në Selanik, gjasat janë të mëdha që të kaloni shumë shpejt kontrollin.

Grekët janë alergjikë ndaj emrit Maqedoni. Ata mendojnë se të drejtën për të përdorur këtë emër, këtë toponim e kanë vetëm ata, madje theksojnë se Maqedonia e vërtetë gjendet në territorin e Greqisë veriore. Për grekët, e sidomos për politikanët e të gjitha taborëve, shteti i Maqedonisë, me shumicë sllave dhe me popullsi të konsiderueshme shqiptare, nuk ekziston me këtë emër, bile grekët zakonisht shtetit maqedonas i thonë Shkup.

Siç njofton gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» gjatë kësaj jave ministri grek i çështjeve të migracionit Giannis Mouzalas, në një intervistë televizive, e ka quajtur Maqedoninë – Maqedoni. Menjëherë ka reaguar ministri i Mbrojtjes Panos Kamenos, duke kërkuar dorëheqjen e kolegut të tij. Nëse nuk largohet Mouzalas nga qeveria, atëherë Kamenos paralajmëroi se partia e tij «Grekë e pavarur» (Anel) do të dalë në opozitë. Mouzalas ka kërkuar falje që gjatë debatit për krizën e refugjatëve në fshatin Idomeni, në kufi me shtetin fqinj, e kishte përmendur fjalën e ndaluar «Maqedoni». Ai është betuar se çfarë ka thënë nuk paraqet as mendimin e tij, as të qeverisë në Athinë. Gjatë javës kryeministri Aleksis Cipras ka biseduar me partnerët e koalicionit për krizën pas përdorimit të fjalës «Maqedoni» nga ministri i tij për çështje të migrimit. Cipras e ka ndërmend të presë përfundimin e samitit të BE-së në Bruksel mbi dramën e refugjatëve, pastaj, sipas gazetave greke, ai ndoshta do të jetë i detyruar të bëjë një formatizim të kabinetit të tij.

«Siç është e zakonshme në Ballkan», shkruan gazeta gjermane, «rrënjët e konfliktit janë të thella, në këtë rast në Luftën e Parë Ballkanike të vitit 1912, kur Mali i Zi, Serbia, Bullgaria dhe Greqia e përzunë Perandorinë Osmane nga Ballkani dhe e ndanë mes vete rajonin historik të Maqedonisë. Pak më shumë se gjysma e rajonit iu dha Greqisë, rreth 40 për qind Serbisë, një pjesë e vogël Bullgarisë. Para së gjithash në veri të Greqisë, i cili iu dha këtij vendi, nuk jetonin pothuaj fare grekë, por para së gjithash sllavë, prej të cilëve disa e quanin veten bullgarë, të tjerët maqedonas, sërish të tjerët e shihnin veten si serbë. Në luftën civile greke, e cila përfundoi tek në vitin 1949, shumica e këtyre <sllavofilëve>, në kohëra të caktuara të përkrahur me armë nga Jugosllavia e Titos, luftuan në anën e komunistëve. Në kulmin e luftës civile shumica e rreth 26 mijë luftëtarëve të komunistëve përbëhej nga <grekët sllvofonë> respektivisht sllavët maqedonas apo maqedonasit sllavë, varësisht nga pikëpamja. <Fronit Popullor sllavo-maqedonas> luftoi për një Maqedoni të pavarur (sllave). Por e majta e humbi luftën civile dhe dhjetëra-mijëra <sudetë të Greqisë> apo <banditë sllavo-komunistë>, siç quheshin tani zyrtarisht, u dëbuan nga Greqia».

Konflikti, siç dihet, eskaloi me pavarësinë e Maqedonisë nga Jugosllavia në vitin 1991. Greqia refuzoi ta pranojë Maqedoninë me emrin e saj, më 1994 aplikoi një bllokadë tregtare dhe gati e hodhi në humnerë fqinjin verior. Maqedonia u detyrua të ndryshojë flamurin dhe të pranojë një emër tjetër për t’u prezantuar në botën e jashtme: «Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë». Më vonë Athina e shkeli edhe këtë marrëveshje dhe bllokon integrimin e Maqedonisë në BE dhe anëtarësimin në NATO. Kjo është njëra prej marrëzive të shumta ballkanike. Mbetet për t’u provuar se si do të reagojnë policët kufitarë grekë nëse në Gjevgjeli një udhëtar do t’ju përgjigjet se vjen nga Prishtina, kryeqyteti i Republikës së Kosovës.