Punë leshi!

Është haram që femrat t’i ndukin vetullat dhe mustaqet. Kështu ka vendosur Diyaneti, instanca më e lartë fetare në Turqi.

Foto: Shutterstock



Është keq kur politikanët nuk merrem me punët e tyre. Rexhep Taip Erdoani, me vite të tëra kryeministër i Turqisë, tani president i gjithëpushtetshëm, e ka merak të përzihet në çdo çorbë. Nuk ngurron, për shembull, të marrë pjesë në një shou televiziv për martesa. Duke marrë qëndrim si babagjysh i kombit ai i porosit çiftet të sjellin në këtë botë jo më pak se tre fëmijë. Në raste të tilla nusja skuqet, burri zgërdhihet me zor, moderatori nuk di ç’të thotë, Erdoani përkëdhel mustaqet.

Me lesh tani ka filluar të merret edhe Diyaneti, autoriteti më i lartë fetar në Turqi, i cili është pjesë e zyrës së kryeministrit. Këtë javë ky institucion me 100 mijë punëtorë dhe rreth një miliard euro buxhet ka befasuar e shastisur opinionin me një urdhër, paralajmërim, fetfa (quani si të doni): është haram që femrat t’i ndukin vetullat dhe mustaqet. Gjynah i madh, sipas teologëve turq, është edhe kur femrat vendosin t’i heqin mustaqet. Nëse ndonjë femër mbi buzën e epërme ka aq shumë lesh, saqë nuk ndihet mirë në aspektin psikologjik, atëherë mund të bëhet një përjashtim, njoftoi gazeta «Sözcü» duke cituar fetfanë.

Gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» shkruan se vendimi i Diyanetit godet një ritual, të cilin e kultivojnë me përkushtim miliona turke. Njëra ndër to është zonja e parë Emine Erdoan, e cila edhe pse nuk e heq kurrë shaminë në hapësirën publike, vetullat i mban mirë e mirë të rregulluara. Pas vendimit të teologëve për leshin e grave në fytyrë opinioni turk është kureshtar të mësojë se çfarë debati do të zhvillohet në familjen Erdoan për ndukjen e vetullave dhe rruajtjen e mustaqeve nga gjinia femërore. Oda TV, një webfaqe me lajme kritike ndaj qeverisë, pas publikimit të vendimit të teologëve nisi të tallej me zonjën e parë Emine Erdoan: vetullat e saj si gajtan janë turp i vërtetë, nënvizoi ky medium.

Këta burrat sundimtarë të Turqisë duket se kanë probleme të mëdha me gratë. Zëvendëskryeministri Bülent Arinc është i mendimit se gratë duhet të qeshin më pak në hapësirën publike. Vitin e kaluar Arinc reagoi ashpër kur një deputete e kritikoi atë gjatë një debati për «Shtetin Islamik»: «Mbylle gojën! Ti si grua duhet ta mbyllësh gojën»! Mijëra gra turke u përgjigjën në mediumet sociale: «Si femra nuk do të heshtim». Në Twitter u krijua një Hashtag përkatës: #BirKadinOlarakSusmayacagiz. Disa gra shkruan në Twitter se në parlamentin turk gratë janë të përfaqësuara nga viti 1935. Tani ato duhet të mbyllin gojën? Punë leshi! Në «New York Review of Books» autori amerikan Charles Simic e ka quajtur kohën tonë si «Age of Ignorance», «epokë të injorancës». Shembulli i teologëve turq e dëshmon këtë në mënyrë brutale.