Publikut

Foto: Shutterstock.com



O publik shumë i nderuar
pa më thuaj: vërtet je budalla, ke mbaruar,
siç na thonë çdo ditë
nga të gjitha drejtoritë?
Çdo drejtor bythëtrashë
na thotë: «Publiku kështu e do bash!»
Secili kastravec filmi thotë: «Ç’të bëj vallë?
Këso gjërash të sheqerosura publiku i ka përmall!»
Secili botues rrudh supet dhe thotë:
«Librat e mirë nuk shkojnë në këtë mot!»
Më thuaj publik i nderuar
vërtet je budalla, ke mbaruar?

Aq budalla saqë nëpër gazeta, në mëngjes e në mbrëmje,
ka gjithnjë e më pak shkrime për t’i lexuar me ëndje?
Nga droja se ti mund të jesh i lënduar,
nga frika që askush të mos jetë i acaruar;
nga brenga e madhe se Müller e Cohn
mund të kërcënohen se nuk do ta blejnë gazetën përgjithmonë?
Nga shqetësimi se në fund do të vijë
një nga shoqatat e shumta të Reich-ut* përsëri
dhe do të protestonte dhe denonconte
dhe do të demonstronte dhe gjykonte…
Më thuaj, publik i nderuar
vërtet je budalla, ke mbaruar?

Atëherë…
Mbi këtë kohë ka rënë një barrë
është mallkimi i mediokritetit të marrë.
Athua zorrët të ngatërrohen bosh?
Të vërtetën s’mund ta durosh?
Domethënë ti je vetëm një grykës i qullit të lirë -?
Atëherë…
Po, atëherë nuk e meriton më mirë.

* Fjala është për Rajhun e Tretë (Drittes Reich), periudha e sundimit të Hitlerit në Gjermani

(Nga gjermanishtja: Enver Robelli)