Pse po martohen për dy-tri javë plakat në Lezhë?

Shqiptari nga halli martohet me një plakë gjermane apo zvicerane për t'i bërë letrat. Këso rastesh ka mjaft. Por përse shqiptari rreth 20-vjeçar e marton një plakë 60-vjeçare në Lezhë? Për ta ndryshuar mbiemrin - dhe për të ikur sërish në Europë.

Foto: Shutterstock



Në korrik të vitit 2015 pas sirianëve numri më i madh i azilkërkuesve në Gjermani ishte nga Shqipëria. Ndonëse Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE, vend i paprekur nga lufta – prapseprapë njerëzit ikin. Sidomos të rinjtë. Nuk shohin të ardhme në vendin e tyre dhe kërkojnë mirëqenien në Gjermani, Francë, Spanjë apo Holandë. Para një viti revista e njohur gjermane «Stern» shkruante në një reportazh të gjatë mbi klanet shqiptare në Europën qendrore, ku ato po marrin kontrollin në biznesin e drogës. Gjurmët e drogës shkojnë nga lagjet e stacionit të trenit në Frankfurt te politika shqiptare.

Vala e azilkërkuesve, të cilët ikin për shkak të kushteve të vështira ekonomike, ka dëmtuar shumë pozicionin e Shqipërisë në disa vende të BE-së. Jo rastësisht Holanda po kundërshton hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë me argumentin se rreziku nga kriminelët shqiptarë është ashpërsuar viteve të fundit. Ka politikanë holandezë që kërkojnë madje që Shqipërisë t’i kthehet regjimi i vizave.

Në vitet e fundit nga Gjermania janë kthyer mijëra shqiptarë të emigruar ilegalisht. Por ata nuk mendojnë të qëndrojnë në Shqipëri. Sapo kthehen, nisin përgatitjet për ikje. Dhe për këtë shpikin lloj-lloj marifetesh. Shqiptari nga halli martohet me një plakë gjermane apo zvicerane për t’i bërë letrat. Këso rastesh ka mjaft. Por përse shqiptari rreth 20-vjeçar e marton një plakë në Lezhë? Për ta ndryshuar mbiemrin – dhe për të ikur sërish në Europë.

Këtë e ka zbuluar Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN). «Erdhi më kontaktoi një njeri imi dhe më kërkoi të ndihmoja një shok të tijin për t’u martuar në gjendje civile me të, pasi kishte probleme me dokumentet. Unë pranova, kryem të gjithë procedurat në gjendje civile dhe pas një muaj përfunduam në gjykatë për divorc», kështu e përshkroi martesën e saj një grua 60-vjeçare. Për këtë shërbim, gruaja mori 50 mijë lekë, rreth 4 mijë euro. «Burri» i saj mori mbiemrin e ri dhe tani me identitet tjetër mund të emigronte sërish diku në Europë. Këto lloj dasmash të pazakonshme shpalosin paaftësinë e autoriteteve për t’u ballafaquar me një fenomen të ri me elemente kriminale.

Kur në Lezhë apo Pukë një 20-vjeçar martohet me një 60-vjeçare, kjo duhet të shkaktojë njëfarë habie te ofiçarët lokalë. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se gjatë 2 viteve të fundit vetëm në Gjykatën e Lezhës ka pasur rreth 50 divorce të ngjashme. Këto martesa zgjasin pak javë dhe me gjasë është sekret publik se ato lidhen vetëm me qëllim të ndryshimit të mbiemrit të burrit. Sipas institutit europian të statistikave «Eurostat» rreth 145 mijë shqiptarë aplikuan për azil nga viti 2015-2018, raporton BIRN. «Vetëm gjatë 3 mujorit të parë të këtij viti në gjykatën e Lezhës janë bërë 145 padi për zgjidhje martese 68 prej të cilave kanë përfunduar», raporton me tutje BIRN. Shumica janë martesa fiktive. Me gjasë për plakat e Lezhës ka ardhur pranvera: për tri javë martesë ato mund të marrin deri në 4 mijë euro. Mjafton t’ia falin mbiemrin burrit të ri. Dikur burrat «krenarë» shqiptarë nuk pranonin që bashkëshortja të ruante mbiemrin e vajzërisë. Nusja duhej të merrte menjëherë mbiemrin e ri, atë të burrit. Kohërat kanë ndryshuar, me gjasë.