Propaganda e ndyrë e Zahir Taninit kundër Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Shefi i UNMIK-ut, diplomati afgan, Zahir Tanin, po sillet si guvernator arrogant dhe sikur Kosova të mos jetë e pavarur. Është momenti i fundit që atij t’i tregohet vija e kuqe. Ai nuk ka kompetencë të merret me gjykimin e politikës së jashtme apo të brendshme të Kosovës. Po të ishte diplomat serioz dhe zyrtar serioz i OKB-së, ai do të kujdesej që në veri të mos staciononte zyrtarë rusë, të cilët tradicionalisht kanë punuar kundër Kosovës dhe në shërbim të agjenturave serbe dhe të Kremlinit.

Zahir Tanin.



Pak ditë pas trazirave të marsit të vitit 2004 me një koleg të televizionit zviceran shkuam në Çagllavicë, një fshat me shumicë serbe afër Prishtinës. Buzë rrugës shiheshin gjurmët e trazirave – shtëpi të djegura apo të dëmtuara, mes tyre edhe atelieja e një skulptori shqiptar nga Prishtina. Verbëria e hajvanëve s’kishte bërë dallim mes etnive kur ishte nisur të shkatërrojë çdo gjë. Diçka e tillë as që mund të pritet nga turma e dalldisur. Ndërsa po qëndronim pranë rrugës dhe po vëzhgonim situatën, befas pranë nesh u ndal një xhip i policisë së UNMIK-ut. Doli një zyrtar policor, tregoi se është rus dhe insistoi të shkonim pas tij për të na treguar «kërdinë që kishin shkaktuar shqiptarët». Natyrisht që nuk shkuam. Shihej ashiqare se zyrtari rus i UNMIK-ut kishte një detyrë: t’i shërbejë propagandës së Beogradit kundër «terroristëve shqiptarë».

Në fund të majit Policia e Kosovës zhvilloi një aksion kundër krimit të organizuar në veri të vendit. Më herët policia kishte vepruar kundër keqbërësve edhe në pjesë të tjera të Kosovës. Pra, nuk mund të bëhet fjalë për një veprim të njëanshëm, të drejtuar kundër një etnie në Kosovë, siç llomotisin propagandistët e Beogradit. Aksioni i Policisë së Kosovës në veri u pengua në mënyra të ndryshme: u hap zjarr ndaj policisë, përmes një alarmi u mobilizua popullsia lokale për rezistencë kundër autoriteteve legjitime, afër Zubin Potokut militantë serbë tentuan të bllokojnë rrugën me trupa të druve, ashtu siç bënin një çerekshekull më parë terroristët serbë në rajonin e Krainës në Kroaci. Në bllokimin e rrugëve militantëve serbë në veri të Kosovës u doli në ndihmë edhe një zyrtar rus i UNMIK-ut, i cili duke keqpërdorur veturën zyrtare të OKB-së iu afrua barrikadës së ngritur nga serbët. Edhe nga regjistrimet e kamerave shihet se zyrtari i UNMIK-ut nuk kishte ardhur aty për të ndërmjetësuar në konflikt, por për të tensionuar situatën, duke u vënë në shërbim të grupeve kriminale serbe. Sipas palës kosovare zyrtari i UNMIK-ut kishte në veturë një motosharrë, e cila nuk hyn në inventarin e mjeteve diplomatike. Policia e Kosovës e arrestoi zyrtarin rus – ky ishte veprim i domosdoshëm dhe i drejtë i organeve të rendit. Ndërkohë zyrtari rus është lejuar të largohet në Serbi dhe Kosova e ka shpallur person të padëshirueshëm.

Në paraqitjen e sotme para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shefi i UNMIK-ut, diplomati afgan, Zahir Tanin, qortoi ashpër autoritetet e Kosovës, duke i akuzuar për arrestimin e rusit (dhe të një punëtori lokal të UNMIK-ut), duke u ankuar se autoritetet e Prishtinës e paskëshin keqtrajtuar zyrtarin rus dhe duke paralajmëruar autoritetet e Kosovës se nuk kanë të drejtë të shpallin person të padëshirueshëm punëtorët e UNMIK-ut.

Zahir Tanin po sillet si guvernator arrogant dhe sikur Kosova të mos jetë e pavarur. Është momenti i fundit që atij t’i tregohet vija e kuqe. Ai nuk ka kompetencë të merret me gjykimin e politikës së jashtme apo të brendshme të Kosovës. Po të ishte diplomat serioz dhe zyrtar serioz i OKB-së ai do të kujdesej që në veri të mos staciononte zyrtarë rusë, të cilët tradicionalisht kanë punuar kundër Kosovës dhe në shërbim të agjenturave serbe dhe të Kremlinit. Tanin tha se UNMIK-u i përkrahë institucionet e Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo është një floskë retorike. Shefi i UNMIK-ut do të duhej të thoshte atë që ka thënë në shkurt 2018 ministri i atëhershëm i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, gjatë vizitës në Mitrovicë. Gabriel kërkoi luftimin e kriminalitetit në veri, «në krye të pushtetit në veri qëndrojnë kriminelët», «këtë nuk mund ta pranojë bashkësia ndërkombëtare», diplomati gjerman kërcënoi me reduktim të përkrahjes nga BE po qe se tolerohet gjendja në veri. Gjuha e përdorur nga Zahir Tanin sot në Këshillin e Sigurimit është propagandë e ndyrë proserbe – dhe kjo nuk guxon të kalojë pa konsekuenca. Si pushteti, si opozita në Kosovë, por edhe shoqëria civile dhe mediat duhet të mbajnë qëndrim të qartë kundër politikave të njëanshme dhe shpeshherë antikosovare të UNMIK-ut.

Para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Zahir Tanin shkoi në Beograd dhe u takua me presidentin serb, me ministrin e jashtëm dhe zyrtarë të tjerë. Ky ishte edhe një provokim i autoriteteve të Republikës së Kosovës. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së Zahir Tanin jo vetëm që mbajti qëndrim të butë ndaj rrjeteve të krimit të organizuar në veri, por i dha vetes të drejtë të flasë edhe për tarifat ndëshkuese të Kosovës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, të cilat gjoja po e penguakan dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. E udhës do të ishte që Tanin të fliste mbi rolin destruktiv të Serbisë në Kosovë, mbi pengesat që Beogradi ia ka bërë Kosovës kudo, përfshirë fushatën për bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol, Unesco, FIFA dhe UEFA (në këto dy të fundit Beogradi dështoi).

Në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së Zahir Tanin tha se «bashkë me partnerët tanë jemi përherë në kërkim të rrugëve inovative për stimulimin e besimit». Kjo është njëra prej fjalive më boshe që është thënë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Besimi nuk krijohet duke mbyllur sytë para agresionit të hapur të Serbisë ndaj Kosovës. Buxheti vjetor i UNMIK-ut është gati 40 milionë dollarë. Një ndër detyrat e këtij misioni është edhe «mbjellja e pemëve dhe aktivitete për rritjen e ndërgjegjes». Rritje e ndërgjegjes? Për këtë më së shumti ka nevojë diplomati afgan Zahir Tanin. Ajo që tha ambasadori i Finlandës në OKB, Kai Sauer, është e vërtetë e pakontestueshme: Kosovës më s’i duhet asgjë nga UNMIK-u, e më së paku fjalime të ndyra propagandistike me ton arrogant nga një rrogëtar i OKB-së.