Problemi Petritsch

Ish-diplomati austriak po e humb çdo kredibilitet për të folur për Kosovën. Si bashkëpunëtor i një zyre të avokaturës në Vjenë që punon për qeverinë serbe, Wolfgang Petritsch nuk është i paanshëm. Tani ai e ka pranuar se ka qenë «i angazhuar» (nga kush?) për të çuar përpara idenë e Vuçiqit dhe Thaçit për «korrigjimin e kufijve». Këtë «marrëveshje historike» ai dëshiron ta arrijë duke e përjashtuar Amerikën nga procesi. Thaçi thotë se pa Amerikën nuk ka zgjidhje. Këtu duket se nuk pajtohen lobisti për ndarje nga Vjena dhe aventurieri politik nga Prishtina.

Wolfgang Petritsch.



Wolfgang Petritschi dikur ka shkruar një libër, në të cilin thotë se kufijtë e Kosovës nuk duhet të preken. Po u prekën kufijtë, pason kiameti. Pak a shumë kjo është esenca e argumentimit të tij. Si shumë ekspertë të rajonit edhe diplomati austriak frikësohej se ndryshimi i kufijve në Ballkan mund të ketë efekt zinxhiror. Nëse Kosovës i hiqet një copë e territorit, përse atëherë jo edhe Maqedonisë (së Veriut), mandej përse jo edhe Bosnjë-Hercegovinës, Greqisë?

Wolfgang Petritschi tani flet të kundërtën e asaj që ka përfaqësuar dikur. Në një intervistë me «Deutsche Welle» ai ka folur hapur për rolin e tij, të cilin një pjesë e vëzhguesve e kanë ditur: «Unë kam qenë pothuajse një vit më parë, në pranverë dhe verë të vitit të kaluar, shumë i angazhuar për të çuar përpara idenë e dy presidentëve (Thaçi dhe Vuçiq), të cilët me sa duket janë të gatshëm për kompromis paqësor, për një kompromis të madh historik mes serbëve dhe shqiptarëve». Nga kush ka qenë i angazhuar Petritsch? Nuk e thotë. Nga dy presidentët?

Petritsch e pranon se mospërfshirja e opinionit në debatet mbi zgjidhjen e konfliktit shkakton vështirësi. «Për fat të keq ky është një problem, sepse opinioni i gjerë nuk është përfshirë», thotë ai. Ka qenë vetë Petritsch që ka organizuar konferenca pothuaj sekrete në Vjenë, ku janë ftuar mbështetës të ndarjes së Kosovës (dhe ndonjë kundërshtar). Në intervistën e tij Petritsch dalëngadalë i ka shpalosur idetë e tij, të cilat janë tepër të rrezikshme. «Të dy palët duhet të futen në një proces të gjerë, të ngjashëm si Daytoni apo Oslo, ku do të merreshin vesh për një kompromis. Ndërsa mundësitë ekzistuese dihen prej vitesh». Daytoni e ka bërë Bosnjën shtet jofunksional. Oslo nuk i ka sjellë paqe Palestinës, sepse shteti më i fuqishëm, Izraeli, vazhdon të mbajë të pushtuara tokat palestineze. Çfarë dobie mund të ketë Kosova nga procese të ngjashme me Daytonin apo Oslon? Asfare.

Tërë procesi, sipas Petritschit, duhet të drejtohet nga Bashkimi Europian, duke përjashtuar Amerikën dhe Rusinë. Si është e mundur që një lobist që përkrahë Thaçin të kërkojë përjashtimin e Amerikës nga procesi, fundja Thaçi sidomos pas samitit të Berlinit ka thënë se nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje pa pjesëmarrjen dhe garancinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Deklarata e Petritschit tregon krejt diletantizmin dhe dashakeqësinë e atyre që u kyçën në procesin e ndryshimit të kufijve të Kosovës.

Ish-diplomati austriak po e humb çdo kredibilitet për të folur për Kosovën. Si bashkëpunëtor i një zyre të avokaturës në Vjenë që punon për qeverinë serbe, Wolfgang Petritsch nuk është i paanshëm. Rrjedhimisht, edhe propozimet e tij tingëllojnë si ato të një pensionisti, fantazia politike e të cilit me gjasë nuk e kapërcen honorarin.

Në intervistën për Deutsche Welle, Petritsch tha dhe këtë: «Ata të dy (presidentët Thaçi dhe Vuçiq) nuk duhet të takohen vetëm një herë në muaj apo dhe më rrallë. BE duhet t’i ftojë të dy palët për diskutime intensive për zgjidhjen e kësaj çështjeje, në Bruksel apo në ndonjë vend tjetër». Nuk është problemi te mungesa e takimeve (Thaçi dhe Vuçiq janë takuar në shumë kryeqytete të Europës), por te fakti se për zgjidhjen e një problemi nuk mund të mbështeteni në dy autokratë me shpresën se ata do të imponojnë zgjidhjen nga lart.

Wolfgang Petritsch në disa intervista ka lënë të kuptohet se sa me qejf do t’i printe ai procesit për diskutimin e serishëm të çështjes së Kosovës. Duket se është i frustruar që raportin që sugjeronte hapjen e negociatave për statusin e Kosovës e shkroi një norvegjez (Kai Eide), në procesin e pavarësisë negociatorë ishin një finlandez (Martti Ahtisaari) dhe një austriak (Albert Rohan), ndërsa treshja e fundit e ndërmjetësuesve përbëhej nga një gjerman (Wolfgang Ischinger), nga një amerikan (Frank Wisner) dhe nga një rus (Aleksander Bocan-Harçenko). Çfarë të bëjmë? Të nisim ndarjen e Kosovës vetëm për t’ia plotësuar dëshirën Wolfgang Petritischit për të defiluar edhe njëherë në parketin e shkëlqyer të politikës botërore si ndërmjetësues?

Kjo puna e pleqve në pension është mesele në vete: këto ditë kur në Austri flitej se kush mund të jetë kancelar i përkohshëm derisa të mbahen zgjedhjet parlamentare në shtator, u përmend edhe emri i një ish-presidenti austriak. Ai tani është në moshë të shtyrë dhe sapo kishte dëgjuar se po i përflitej emri për kancelar, menjëherë kishte pyetur nëse i takonte një veturë zyrtare. Më të mërzitshmit janë ata politikanë që nuk e kuptojnë se koha e tyre ka perënduar. Wolfgang Petritsch është njëri prej tyre.