Prishtina fushëbetejë

Pas një përleshjeje mbi tri orësh me gurë e gaz lotsjellës mes pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe protestuesve, deputeti i lëvizjes «Vetëvendosje», Albin Kurti, është liruar nga arresti, mbrëmë vonë, pas mesnatës.




Kurti u ndalua në mbrëmje, rreth orës 9:00, derisa po kthehej nga Shkupi, në fshatin Çagllavicë, bazuar në, siç tha Policia, «urdhëresën nga prokurori kompetent», në kuadër të hetimeve për hedhjen e gazit lotsjellës në seancën e fundit në Kuvend, shkruan sot «Koha Ditore».

Vetë Kurti pas lirimit tha se policia kërkoi ta intervistonte, por ai ka refuzuar t’u përgjigjej pyetjeve që i kishin bërë gjatë mbajtjes në Polici tre hetues të krimeve të rënda.

Ai lirimin e tij ia atribuoi presionit të protestuesve, të cilët pas arrestimit të tij u tubuan para ndërtesës qendrore të Policisë në Prishtinë, ku, duke kërkuar lirimin e deputetit opozitar hodhën edhe gurë dhe mjete të forta, duke thyer xhamat e hyrjes së stacionit policor «Qendra». «Besoj se pse jam liruar kaq shpejt ju e dini më mirë, se ju keni qenë jashtë e unë kam qenë brenda», tha Kurti pas daljes nga Policia.

Ai nuk ka dashur të flasë në asnjë moment për hetimin e tij që nisi të premten lidhur me hedhjen e gazit në Kuvend. Madje refuzoi të përgjigjet edhe në atë nëse e konsideron vepër penale këtë akt. «Nuk kam pranuar të përgjigjem në asnjë pyetje të këtyre hetuesve dhe nuk kam pranuar avokat mbrojtës, unë përfaqësoj veten dhe nuk ka nevojë që të më mbrojë askush. Pyetje të prokurorisë dhe këtyre policëve unë nuk iu kam përgjigjur dhe nuk kam pse të ndërroj këtë qëndrim as tash», tha ai për gazetën.

Më gjerësish lexoni sot në Koha Ditore edhe për: Protestuesit ndalin bombolat e gazit me ujë, Gazetarëve u ndalohet hyrja në Kuvend, Reagimet dhe heshtja e Mustafës dhe e Thaçit.