Prishtina e njëzeta ndër komuna për reprezentacion dhe derivate

Komunat e Kosovës nuk kanë politika të shkruara për shpenzimet e reprezentacionit e as kontrolle të mjaftueshme për shpenzimin e derivateve.




Këtë konstatim e ka nxjerrë organizata joqeveritare «Ec Ma Ndryshe», nëpërmjet një raporti në kuadër të projektit «Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale», shkruan «Koha Ditore».

Sipas kësaj organizate, as komunat e mëdha nuk përbëjnë përjashtim në këtë drejtim. Kësisoj pjesa dërrmuese e tyre figurojnë në listën e shpenzuesve ‘luksozë’, bazuar në pasqyrat financiare të vitit 2014.

«Auditori ka bërë të ditur se në tërë totalin e shpenzimeve për reprezentacion përkatësish, dreka zyrtare, harxhimet më të larta janë regjistruar te komunat: 1. Prizreni, 2. Gjilani, 3. Gjakova, 4. Vushtrria, 5. Peja, e kështu me radhë. Këto komuna, së bashku kanë shpenzuar mbi 300 mijë euro, nga 735 mijë eurot e shpenzuara nga 34 komuna të Kosovës», thuhet në një komunikatë të kësaj organizate.

Sipas «Ec Ma Ndryshe», ZAP-i konstaton se shpenzimet e reprezentacionit nuk u nënshtrohen kontrolleve të mjaftueshme, ndaj nuk është e qartë nëse komunat e kuptojnë mjaftueshëm natyrën dhe qëllimin e këtyre shpenzimeve.

«Kjo ilustrohet me faktin se Komuna e Prishtinës është komuna më e madhe dhe kryeqendër e Kosovës, ndërsa në ranglistën e këtyre shpenzimeve renditet e 20-a», thuhet në këtë dokument.
Vështrimi i këtij institucioni shtetëror nxjerr në pah faktin se ka komuna që kanë shpenzuar për reprezentacion më shumë se vitin e mëparshëm, ku veçohen Prizreni, Mamusha dhe Prishtina, pasi që rritja ka qenë mbi 100 për qind», thuhet në komunikatë.

Mesatarja e shpenzimeve të derivateve, në bazë të analizës së ZAP-it, ka rezultuar në 10 euro për çdo 100 km.

«Pas Rranillugut me 89 euro, në listë të komunave me shpenzimet më të larta gjenden edhe Komuna e Ferizajt me 15 euro, Dragashi me 15 euro, Peja 12, Prishtina 12 e Prizreni me 11. Mitrovica kap mesataren me 10 euro.

Por ZAP-i rikujton se të dhënat për derivatet e shpenzuar krahas kilometrave të kaluara janë mbledhur në mënyrë manuale nga personat përgjegjës komunal dhe si të tilla nuk ofrojnë siguri maksimale për saktësinë e tyre. Për më shumë Komuna e Gjakovës, nuk ka ofruar të dhëna në këtë drejtim», ka bërë të ditur komunikata.

Në këtë kontekst, «Ec Ma Ndryshe», citon raportin e Auditorit, sipas të cilit, komunat nuk kanë politika të shkruara për shpenzimet e reprezentacionit, derisa nuk janë të definuara qartë as nevojat dhe kriteret për këto shpenzime, sikurse edhe aprovimet e duhura të menaxhmentit dhe përcaktimi i stafit me të drejta përfaqësimi.

«Auditori nënvizon se nuk ka kontrolle të mjaftueshme edhe sa i përket shpenzimit të derivateve dhe cek se disa nga komunat nuk kanë të caktuara normativa të shpenzimeve, përderisa nuk udhëhiqen evidenca të sakta për udhëtime, nuk zbatohet sistemi i urdhëresave të udhëtimit dhe nuk bëhet barazimi i shpenzimeve të derivateve me kilometrat e kaluara», thekson komunikata.

Për këtë shkak, kjo organizatë ka kërkuar nga qeveritë lokale të jenë të kujdesshme në shpenzimin e parasë publike, pasi që kanë obligim ligjor dhe moral që të menaxhojnë me përgjegjësi paratë e taksapaguesve të komunave të tyre.