Prezantohet në Prishtinë Plani për Integritetin

Komuna e Prishtinës është e përkushtuar për të qenë sa më transparente ndaj qytetarëve të saj. I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë debatit publik për Planin për Integritet, ka shprehur shqetësime me nivelin e lartë të korrupsionit, që sipas tij është problemi kryesor në Kosovë, transmeton KTV.




Ai ka treguar se janë të shumta rastet, me të cilat Komuna ka procese gjyqësore pas denoncimit të korrupsionit nga ana e tyre.
Plani për Integritetin është mbështetur nga UNDP dhe Agjencia Kundër Korrupsionit. Ky plan ka për qëllim të forcojë transparencën dhe llogaridhënien institucionale.

Menaxherja e projektit nga UNDP, Shqipe Neziri, ka thënë se për zbatimin e këtij plani, janë të obliguara të gjitha institucionet e Kosovës. Muhedin Nushi, drejtor i Administratës në Komunën e Prishtinës ka shpjeguar planin se si e kanë paraparë të parandalojnë korrupsionin.

Planin për Integrim në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit, e ka hartuar edhe qyteti i Gjakovës, ndërsa në radhë janë Gjilani, Graçanica e Mamusha.