Premtimet mashtruese

Isa Mustafa e ka nisur fushatën elektorale të 2014-s me premtimin për ta çuar PDK-në në opozitë. Por ka përfunduar në bashkëqeverisje me të.




Ishte 28 maji i vjetëm dhe palestra që ndodhet në Pallatin e Rinisë e të Sporteve në Prishtinë ishte stërmbushur me militantë të LDK-së, atëkohë parti kryesore opozitare. Kishte atmosferë të elektrizuar, shkruan sot «Koha Ditore».

Mustafa ishte prezantuar aty si kandidat për kryeministër. E, ovacionet mbështetëse fuqizoheshin sa herë ai thumbonte rivalin më të madh, PDK-në.

«Unë ju ftoj të gjithë juve, ju ftoj në fitore dhe ju them: Ne të gjithë së bashku e kemi pikë përnjëmend të fitojmë në këto zgjedhje. Ne s’e kemi për mahi, e kemi përnjëmend të mos bëjmë koalicion me PDK-në, por ta qesim në opozitë dhe këtë po u premtoj sot», pati thënë Mustafa para mijëra mbështetësish të LDK-së. «Misioni i ri i kësaj qeverisjeje është opozita dhe misioni më i ri i kësaj qeverisjeje është që kurrë më të mos kthehet në pushtet».

LDK-ja nuk e kishte pasur përnjëmend – as nuk fitoi dhe as nuk e çoi PDK-në në opozitë.

Zgjedhjet e qershorit e konfirmuan partinë e Hashim Thaçit si subjektin më të madh politik në Kosovë.

Pas rezultatit zgjedhor, opozita qe bashkuar në kauzën për t’ia pamundësuar PDK-së qeverisjen e mëtejme, pas dy mandatesh. LDK-ja e Mustafës ishte pjesë e këtij blloku. Kur u bënë gati gjashtë muaj nga ky barrikadim, u tërhoq dhe i ofroi partneritet rivalit të saj më të madh, që deri atëkohë e mbante të lëçitur i gjithë spektri politik parlamentar.