«Pranimi i përkohshëm e vështirëson integrimin»

Leja e qëndrimit F për shumëkënd po bëhet një gjendje e zakonshme. Qendra e Vëzhgimit për Zvicrën Perëndimore i kritikon kufizimet e këtij statusi.

Foto: Shutterstock.com



Momentalisht në Zvicër ka 30’000 të huaj me një leje qëndrimi F, të ashtuquajtur të pranuar përkohësisht. Sekretariati për Emigracion këtë status e quan «masë zëvendësuese». Sepse këta persona është dashur të largohen nga Zvicra, por dëbimi i tyre për arsye juridike apo të sigurisë është treguar i palejueshëm ose i pamundur. Tani në një raport të saj Qendra e Vëzhgimit të së drejtës së azilit dhe të të huajve pohon që pranimi i përkohshëm për shumë persona po bëhet një lejeqëndrim afatgjatë. Sipas saj – citon NZZ – 30’000 veta me këtë status jetojnë prej më shumë se gjashtë vitesh në Zvicër.

Për më tepër, sipas autorëve të raportit, pranimi i përkhshëm e vështirëson integrimin e këtyre emigrantëve, sepse statusi F sjell me vete edhe kufizime. Këta persona, për shembull, kantonin ku janë vendosur mund ta ndërrojnë vetëm në rrethana të caktuara, konfrontohen me barriera administrative për të filluar një punë dhe në disa kantone ata nuk mund të përfitojnë as prej bursave të studimit. Në anën tjetër, për ta shndërruar statusin e tyre të të pranuarit të përkohshëm në një leje të rregullt qëndrimi B, ata duhet të dhëshmojnë një integrim të mjaftueshëm.

Për sensibilizimin e opinionit publik me vështirësitë e të pranuarve përkohësisht, Qendra ka organizuar të enjten një eksozitë në Gjenevë. Këtu janë prezentuar portrete të këtyre rasteve. Salman dhe Seyoum janë disa prej tyre. I pari vjen nga Somalia dhe ia ka dalë të pavarësohet financiarisht, ndërsa Enti i Emigracionit e akuzon për varësi të mëparshme nga ndihma sociale dhe ia refuzon vizën B. Kurse i dyti ka ardhur në vitin 1987 nga Eritrea dhe në vitin 2001 e ka fituar statusin e të pranuarit përkohësisht. Duke qenë se varet nga ndihma sociale, autoritetet nuk ia lejojnë vizitën te familja në Gjermani. ks