Pozita në Gjilan bojkoton seancën e thirrur nga opozita

Seanca e jashtëzakonshme, në të cilën është paraparë të diskutohet gjendja në arsimin e Gjilanit, ka dështuar shkaku i bojkotimit nga ana e pozitës (LDK-AAK). Një seancë e tillë është konvokuar me kërkesën e opozitës PDK-VV.




Pavarësisht kësaj, opozita ka akuzuar qeverisjen komunale se është duke tentuar që t’i bishtnojë diskutimit mbi gjendjen në arsim, në të cilin, sipas saj, janë grumbulluar shumë probleme, shkruan sot «Koha Ditore».

PDK-VV kanë akuzuar pozitën se është duke tentuar që të instalojë regjim autoritar në Komunën e Gjilanit. Bujar Nevzadi, këshilltar i PDK-së dhe ish-drejtor i Arsimit, ka vlerësuar se bojkotimi i seancës dhe sjellja në mënyrë arrogante ndaj tyre do të shkaktojnë probleme më të mëdha, ndaj, sipas tij, nuk përjashtohen bojkotimi i seancave të Kuvendit dhe protestat. Sipas tij, qeverisja e cila është duke u drejtuar nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, është e papërgjegjshme përballë qytetarëve.

Sipas tij, 167 nxënës shkojnë në Shkollën e Mjekësisë ose Gjimnaz, porse nuk janë të regjistruar.

Ndërsa, Nevzad Isufi, nga lëvizja «Vetëvendosje», ka vlerësuar se demokracia në Gjilan është duke u shkelur nga pozita duke tentuar që të ndalin debatin mbi këtë çështje. «Është e pafalshme që institucionet që duhet të zbatojnë ligjshmërinë e shkelin vetë. Kemi pranime pa konkurs, kemi transferime nga një shkollë në shkollën tjetër. Dhe ata që janë të kualifikuar mbesin pa punë», ka thënë Nevzadi.

Ndërsa Sahit Abazi, shef i grupit të PDK-së, vlerëson se qeverisja e Komunës së Gjilanit është duke shkuar në një rrugë pa krye. Ai ka thënë se ata së bashku me Vetëvendosjen do të koordinohen për hapat e mëtutjeshëm.

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka deklaruar se kërcënimi për protesta është joserioz. «Kjo na bën për të qeshur, sepse protestave të tyre u ka dalë boja. Qysh thonë i ka dekë nana asaj pune. Ata nuk kanë kuorum, nuk kanë fuqi politike me thirrë seancë të jashtëzakonshme dhe nuk ka qenë e nevojshme. Le të dalin në protestë, le të shkatërrojnë, sepse në fund elektorati do të vendosë. Unë besoj se në një të ardhme nuk do të munden të përfaqësohen me asnjë ulëse në Kuvendin Komunal me këtë sjellje jo korrekte», ka thënë ajo.