Policia konfiskon veturat e banorëve në lagjen «Kalabria»

Prej pesë ditësh Policia e Kosovës po zhvillon aksione të çdoditshme në lagjen «Kalabria» duke ua konfiskuar veturat banorëve që i parkojnë ato para ndërtesave, ndonëse nuk ka shenja trafiku që e ndalojnë parkimin.




Për banorët e lagjes, veprimi i policisë është i papranueshëm. Ata kanë thënë se policia po e kryen konfiskimin kundërligjshëm. Hysen Mulliqi, banor në atë lagje, ka thënë se madje policia po qëndron gjatë gjithë ditës në lagje, shkruan sot «Koha Ditore». Ai ka shtuar se banorët nuk kanë asnjë alternativë tjetër për parkim të veturave.

«Qe disa vite jemi këtu dhe asnjëherë nuk kemi pasur probleme. Ne nuk kemi hapësirë tjetër për t’i parkuar veturat, ndërkaq policia po na terrorizon me këto veprime. Kjo pjesë nuk mund të quhet as rrugë e as trotuar. Thjesht, është një hapësirë e lirë në mes të banesave ku ne si banorë i parkojmë veturat. Sot në orën 07:00 të mëngjesit kanë filluar aksionin. Kjo është e papranueshme», ka thënë Mulliqi.