Policia interesohet për problemet infrastrukturore të Zllatarit

Dy policë të uniformuar me një veturë zyrtare kishin arritur të shtunën mbrëma në fshatin Zllatar pak pas orës 18:00 dhe kishin kërkuar takim me përfaqësuesin e fshatit. Por kërkesa e policëve dhe arsyeja e takimit po tingëllonin krejtësisht të çuditshme për kryetarin e këtij fshati, Xhevat Sallahi.




Sipas tij, policët kanë kërkuar informacione për problemet që kanë banorët e Zllatarit me rrugë, ujësjellës, mbeturina e kanalizim, shkruan sot «Koha Ditore».

Sallahi është edhe këshilltar i lëvizjes «Vetëvendosje» në Kuvendin Komunal të Ferizajt. Ai u ka thënë policëve se problemet e banorëve vazhdimisht i shtron për shqyrtim në mbledhjet e KK-së.

«Ndonëse kërkesë e pazakontë prej policisë, unë ua sqarova atyre se hallet e qytetarëve i paraqes në KK dhe që të gjitha janë të njohura për pushtetin lokal», ka thënë ai.