Policia fillon hetimet për dhunën e drejtorit ndaj nxënësit

Policia e Gjilanit ka nisur hetimin për dhunën që ka ushtruar R.S., drejtor i shkollës «Avdullah Tahiri», në Malishevë të Gjilanit, ndaj nxënësit E.A (14).




«E vërtetë që PK-ja i ka marrë deklaratat edhe nga ankuesi dhe drejtori, i cili në fakt, sipas deklaratës së tij, e ka mohuar një gjë të tillë. Pasi të mblidhen deklaratat e dëshmitarëve të tjerë do të dalim me një raport të përgjithshëm dhe do të shihet e vërteta e këtij rasti», ka thënë Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë Rajonale të Gjilanit, shkruan sot Koha Ditore.

Nga ana tjetër, ndonëse organet e rendit kanë nisur hetimet, në Drejtorinë për arsim nuk kanë njohur çfarë ka ndodhur në shkollën e Malishevës.

Drejtori i Arsimit të Gjilanit, Nazmi Musa, ka deklaruar se për këtë incident ka dëgjuar nëpërmjet mediave. Ai ka thënë se nuk kanë pasur mundësi që të merren më shumë me rastin për shkak të preokupimit për anulimin e testit të arritshmërisë nga Ministria e Arsimit.