Po zoti Gove, tani të gjithë në zemër jemi shqiptarë

Instinkti i gegëve e toskëve ishte që t’i bënin sherr njëri-tjetrit, si në kampet brenda BE-së

Foto: esfera / Shutterstock.com



Jam ngazëllyer me gjithë zemër pas deklaratës së kësaj jave të Michael Govet kur sugjeroi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian janë model i mirë për Britaninë e pas-Brexitit. Ndryshe prej sekretarit të Drejtësisë, që e do Britaninë jashtë BE-së, nuk ka shumë britanikë që i çmojnë të përbashkëtat e shumta që kanë me shqiptarët.

Për ata që nuk janë në rrjedha, kush po thotë se britanikët prapa Kanalit janë më afër zemrës së Evropës se sa shqiptarët në atdheun e tyre malor? Nuk po e thotë as zoti Gove, e as unë. Dy nëngrupet kryesore të kombit shqiptar janë gegët dhe toksët, instinkti fillestar i të cilëve për shekuj me radhë ishin të haheshin ndërmjet vete, pikërisht si sot fraksionet pro-BE dhe anti-BE në Britani.

Pastaj, kini parasysh se Komisioni Evropian ka vlerësuar në raportin më të fundit të tij për Shqipërinë: «Duhet të bëhet shumë më shumë për adresimin e kulturës përçarëse politike dhe për sigurimin e dialogut konstruktiv përtejpartiak». Më tregoni ndonjë përshkrim më të mirë të skenës politike moderne britanike, dhe do t’ia qeras zotit Gove «gjellën» (autori e ka shkruar shqip fjalën në komentin e tij anglisht, v.j.) në Londër.

Më shumë se 1,25 milionë shqiptarë kanë ikur gjatë 25 viteve të kaluara pas rënies së komunizmit, apo rreth një e treta e popullsisë së vendit, me qëllim që të kërkojnë jetë më të mirë, shumica në Greqi, Itali dhe shtete të tjera të BE-së. Ngjashëm, pothuajse dy milionë britanikë punojnë në pjesë të ndryshme të BE-së, me qëllimin e vetëm, si shqiptarët, që të kenë jetë më të mirë.

E shihni pse ndodh kjo. Edhe shqiptarët, edhe britanikët ishin goditur vjet prej vërshimeve të ashpra. Si sistemi financiar britanik që përjetoi goditje të fuqishme më 2008-09, ngjashëm edhe Shqipëria e gjeti veten në krizën më të madhe kombëtare në vitet 1996-97, kur kapitulluan skemat piramidale që kishin në gjirin e vet vlerën e pothuajse gjysmës së bruto-prodhimit të brendshëm. Kështu shkuan posht të gjitha kursimet e shqiptarëve.

Është e vërtetë se Mark Carney, guvernatori i Bankës së Anglisë, ende nuk e ka përjetuar fatin e ish-homologut shqiptar, Ardian Fullani, që u arrestua më 2014 me dyshimin për abuzim të detyrës zyrtare pasi një punëtor kishte vjedhur letra me vlerë të barasvlershme me 6,7 milionë dollarë.

Tani zoti Gove dhe unë e dimë mirë se bursa e Londrës ka qarkullim ditor prej 4 deri në 5 miliardë funte, por bursa e Tiranës u anulua në fillim të vitit sepse nuk kishte listë kompanish dhe sigurime që mund të tregtonin aksionet e tyre. Por ende është i fuqishëm argumenti i zotit Gove. Pas daljes eventuale nga BE-ja, sistemi financiar britanik do të kishte shumëçka të përbashkët me atë të Shqipërisë.

Në nivelin e kulturës popullore, Britania dhe Shqipëria kishim shumë gjëra të përbashkëta se sa mund ta keni marrë me mend sa i përket asaj periudhe komuniste. Sir Norman Wisdom, aktor komik britanik i asaj kohe, çmohet edhe ditëve të sotme si një prej performuesve të pakët perëndimorë filmat e të cilit ishin emetuar nën diktaturën e Enver Hoxhës, që kishte sunduar ndërmjet viteve 1944-1985.

Kisha qëndruar në Tiranë më 1981 me shërbimin e radiostacionit anglez. Kënga që kryesonte listën e hiteve të kohës ishte «40 vjet të ndërtimit socialist në fshat» – nuk ishte më pak e lllahtarshe se hiti britanik i kohës, «The Birdie Song» e «Tweets».

Afërmendsh se kjo nuk mund të hedhë dritë në vuajtjen që kishin përjetuar shqiptarët nën Hoxhën. Por biografia e viteve nëntëdhjetë e zotit Gove për ish-gjigantin e kamur të torëve, «Michael Portillo: The Future of the Right», padyshim ishte frymëzuar prej kryeveprës së Hoxhës, «Me Stalinin».

Verën e kaluar isha në Tiranë dhe po darkoja me Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, që e flet qartë dhe me theks të përsosur anglishten, saqë ua bën bajat edhe «sloganxhinjve» të pro-Brexitit në Britani. Duke kujtuar vitet e tmerrshme të Hoxhës, ai më deklaroi: «Nuk i rrëfej të birit tim për atë kohë, sepse më shikon si të isha i krisur».

Kushedi, mbase një gjeneratë e ardhshme britanikësh do t’iu thotë miqve të vet: «Nuk po iu flasim fëmijëve tanë për kohën kur Michael Gove na fliste me entuziazëm për Shqipërinë si model, sepse do të na shikonin si të krisur».

(«Financial Times»)