Po na e marrin

Një përngjasim qesharak mbi debatet shqiptare mbi Skënderbeun dhe «armiqtë e shqiptarizmës që me çelësa e dara të zeza kanë zënë të dekonstruktojnë mitologjinë nacionale».

Skënderbeu.



Po na e marrin Kastriotin. Janë ngritur ca njerëz, të ligj, xhelozë, regresivë, antishqiptarë dhe po na e marrin. Po ku do ta shpien? Nuk dihet, a do t’ia çojnë fqinjëve veriorë, jugorë, a kishës katolike, a asaj ortodokse, s’është e sigurt, e sigurt është vetëm që nuk duan të na e lënë. Thonë edhe sikur do t’ua lënë në dorë disa historianëve si Hopf, Hahn, Shuflai, Palla, Babinger, Marinescu, Valentini, Schmitt, njerëz që vetëm arkivat njohin dhe fyejnë ndjenjat e një populli të vogël. Uh uh uh.

Po na e marrin Skënderbeun. Për herë të dytë, pasi e morën osmanët një herë, ia shqyen varrë, i shpërndanë eshtrat mes tyre dhe s’i lanë gjurmë në këtë vend, tani kanë dalë ca mendjembrapshtë që do t’ia heqin Gjergjit kurorën nga koka e skeptrin nga dora dhe do të na e lënë historinë e mesjetës pa mbret. Oi oi!

Duan të thonë se s’ngriti flamurin e kombit në Krujë e në Lezhë, po flamurin e Bizantit dhe të kryqit. Po shpifin si qenkësh nga familje ortodokse, sikur gjoja i ati paska blatuar në mal të Atosit Kullën e Arbrit, sikur i vëllai Reposhi qenkësh dorëzuar kallogjer, po thonë se paska patur nënë sllave, se kishte kunetër, baxhanakë e nuse jo vetëm prej gjaku të pastër shqiptar, por edhe serbë, malazezë, bizantinë. Upupu që një mortje i ngrëntë, e haram u qoftë qumështi shqiptar i nënës! E pasi ia hoqën kurorën, i hoqën dhe Mbretërinë e Shqipërisë, që shtrihej, siç e kemi në librat e shkollave 50 vjet e këtej, nga Përmeti në Vermosh, nga Peja në Karavasta, po duan ta ngushtojnë në Dibër, Mat e Krujë; i hoqën qeverinë, i hoqën ministritë, Kuvendin dhe shërbimet e fshehta, i hoqën Ushtrinë Çlirimtare të Arbërisë dhe e lanë me një kalori të lehtë prej 3000 a 4000 burrash. Nc, nc, nc! E pasi nuk e lanë sulltan Muratin të vdiste nga marazi poshtë mureve të Krujës, po shumë muaj më vonë në një tavernë të Azisë së Vogël, e vunë Kastriotin t’i jepte Alfonsit V të Napolit betimin e vasalit dhe çelësat e Krujës po atë vit, më 1451. Po e bëjnë Skënderbeun me zotër feudalë, me aleatë e mbështetës, po duan të thonë sikur ka marrë rregullisht rroga nga Venediku, ushtarë nga Napoli, dukate me mijëra nga papët, kur ai ishte i vetëm për 25 vjet mbi kështjellën e tij arbërore, që u ngrit në anë të Adriatikut dhe u bëri ballë gjithë stuhive, nga Lindja dhe nga Perëndimi, njësoj si ajo kështjella tjetër, 500 vjet më vonë…

Dhe thonë se nuk e paska penguar vërshimin osman mbi Europë, sikur gjoja në të njëjtën kohë Mehmeti II Pushtues paska marrë Konstantinopojën, Bosnjën, Serbinë, Vllahinë, Peloponezin e gjithë Greqinë. Turp, turp, turp!

Po rrëzojnë Historinë e Nolit, që shkriu një jetë për Gjergjin e tij, edhe pse nuk e pa mirë derëziu që po mbështetej mbi një histori kllape, mbi të ashtuquajturin Antivarinin; e sado i thoshin dijetarë të tjerë se është një prift mashtrues i shekullit 18 e mos i beso, imzoti ynë zemërbardhë s’lëkundej nga e tija, se donte ta mësonin vogëlushët historinë siç e donte e mira e kombit e jo siç thoshin dokumentet e armiqve.

Ububu, ububu! E vunë të zihej me fisnikët e tjerë shqiptarë, njërit t’i merrte tokat, tjetrit kështjellat, të tretin ta ndante nga gruaja, të tjerët t’i hidhte në birucat e Napolit, e lanë të grihej gjithë jetën me Dukagjinët, kur ne e dinim se të gjithë i qenë nënshtruar dhe e njihnin për mbret. Popopo! Po sa shumë tradhtarë, po sa shumë besëqena ngrinin armët kundër tij! Na dilka se e luftonin vazhdimisht shqiptarë, jo po Jakub Muzaka, jo po Izir beu, jo po Ferid beu, jo po Ballaban pasha. Si, ngriheshin komandantë shqiptarë dhe u binin zotërve shqiptarë?!! Luftonin shqiptarë me shqiptarë? Një palë për kryqin e të tjerët për gjysmëhënën?! Si ishin ndarë të gjithë më gjysmë Muzakat, Balshajt, Aranitët, Dukagjinët, njëra palë me emrat Tanush, Gjergj e Pal, tjetra Jakup, Mehmet e Feriz, ca zinin be për gjakun e Krishtit e ca për mjekrën e Muhametit? Po ne e dinim se populli shqiptar u bashkua si një grusht i vetëm rreth mbretit të tij dhe i bëri ballë rrebeshit pushtues osman për 25 vjet! Si thatë, ishin pushtuar me kohë dhe pastaj bënë kryengritje? Domethënë osmanët e kishin marrë Arbërinë 50 vjet më parë, i kishin ndarë qytetet e kështjellat më të mëdha me Venedikun? Ofshofshofsh.

I patë si qenë mbledhur ditën e shtunë? Kuvendi i baballarëve të kombit! Një masë e murrëtyer, e zymtë, me kostume gri, që ngrinte zërin dhe dënonte. Dënonte armiqtë e shqiptarizmës që me çelësa e dara të zeza kanë zënë të dekonstruktojnë mitologjinë nacionale. Rezil dy herë, rezil tri herë! Ptu, ptu, ptu! Si Plenum ngjante, si mbledhje e Lidhjes së Shkrimtarëve, atëherë kur dënonte devijatorët me orientimet e sapodala të Udhëheqësit. Të gjithë njëzëri.

Të gjithë ata që e drejtojnë këtë vend tash sa vjet në pikë të hallit u bashkuan të shtunë në një Përlutësore për Kastriotin, kundër armiqve të rinj. Ata që po ia falin fqinjëve Shqipërinë llokma-llokma, me bregdet, me ishuj e me gadishuj. Që po i përdorin trevat e Kastriotit për fabrika çimentosh. Që e kanë bërë Arbërinë kryqëzim trafiqesh drege, skrapi e rruspiesh. Që nënshkruajnë ligje të turpshme për (s)pastrim figurash. Që s’po i lënë vendit një pikë dinjiteti. Të gjithë në hall të madh për Skënderbeun. Po i lëkundin statujat, faqezinjtë, po na e lënë popullin pa Baba!

Mbylluani gojën këtyre hairsëzëve, sekuestrojuani librat këtyre armiqve. Se po vazhduan kështu na e morën vërtet Skënderbeun, ia morën akademisë së Shkencave, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Kështjellës shkëmbore buzë Adriatikut. Ia morën dhe e lanë… pa pendët e nacionalizmit… pa izolimin qindvjeçar kombëtar.

E lanë Skënderbeun me shkëlqimin që e kishte vetë, dikur.

(Nga libri «Kundërcjapi» i Ardian Klosit, botimet Dudaj, Tiranë)