Po afrohet fundi i epokës së kancelares Merkel

Me dorëheqjen e kryetares së Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), Andrea Nahles, ka nisur edhe faza përfundimtare e qeverisë së kancelares Angela Merkel. Mediat gjermane supozojnë se pas pushimeve të verës kabineti do të bie dhe në dimër do të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dinamika e re politike në Gjermani duket se nuk e duron më Merkelin si kancelare.

Angela Merkel dhe Andrea Nahles.



Andrea Nahles nuk ka bërë pothuaj asgjë tjetër gjatë jetës së saj përveçse është marrë me politikë. Ajo ka qenë aktiviste lokale e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), shefe llafazane e forumit rinor të SPD-së (në këtë post ajo ka atakuar ashpër udhëheqjen e partisë për shkak të politikave që nuk ishin aq të majta sipas shijes së saj). Në vitin 2005 ajo është bërë sebep që të japë dorëheqje një kryetar i partisë, i cili nuk dëshironte që Nahles të zgjidhet sekretare e përgjithshme e partisë.

Nahles është përpjekur të jetë përherë autentike – dhe shpeshherë ka folur me një gjuhë të pazakonshme për politikën gjermane. Për shembull kur nuk i pëlqente diçka, ajo thoshte se kjo punë është «mut» ose se do t’ua heqim nga një shuplakë oponentëve politikë.

Të dielën Andrea Nahles, filologe, bijë e një muratori dhe nënë e një vajze tetëvjeçare, dha dorëheqje – nga kreu i partisë dhe i grupit parlamentar dhe paralajmëroi se do të dorëzojë mandatin e deputetes. Tri javë para se t’i mbushë 49-vjet, ajo bën një kthesë radikale duke braktisur skenën e politikës së nivelit të lartë.

Nahles u largua sepse nuk gëzonte më mbështetjen e bazës partiake, por edhe të grupit parlamentar. Kur u zgjodh në krye të partisë në prill 2018, ajo premtoi se do ta gjallëronte partinë – përkundër faktit se SPD do të vazhdonte të bashkëqeveriste me partinë konservatore CDU të kancelares Angela Merkel. Nahles nuk ia doli. SPD po humb çdo palë zgjedhje, së fundi zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe në qytetin e Bremenit, i cili ka qenë një vatër tradicionale e socialdemokratëve. Ditëve të fundit Nahles dëgjoi më shumë se njëherë nga funksionarët e partisë se ajo nuk ka kapacitet dhe talent të drejtojë partinë.

Nahles nuk është politikane dembele. Në kabinetin e kaluar të kancelares Merkel ajo ka qenë ministre për punë dhe çështje sociale. Nën dirigjimin e saj u miratua ligji për rrogën minimale në Gjermani (një orë punë duhet të paguhet 8 euro e 84 centë, më 2019 pritet të jetë 9,19 euro dhe më 1 janar 2020 – 9,35 euro).

Megjithatë, kjo nuk i solli suksese SPD-së, e cila po mbetet pa votues, së paku votuesit që i ka tani nuk mjaftojnë për ta konsideruar SPD-në parti të madhe (Volkspartei, siç thuhet në mediat gjermane). Rënia drastike e SPD-së është pasojë e ndryshimeve të mëdha në Gjermani në dy-tri dekadat e fundit. SPD ka qenë parti e klasës punëtore, punëtorëve arsimorë dhe një pjese të burokracisë iluministe. Me mbylljen e minierave të qymyrit, nuk ka më minatorë, të cilët kanë qenë votues besnikë të SPD-së. Punëtorët arsimorë më shumë simpatizojnë Partinë e Gjelbër, e cila është në rrugë të mirë të shndërrohet në partinë e dytë për nga fuqia në Gjermani dhe nëse vazhdon ky trend mund të dalë edhe e para ose së paku t’ia kontestojë lidershipin konservatorëve të CDU-së. Duke qeverisur gjatë me CDU-në, socialdemokratët janë harxhuar. Koalicionet e mëdha me kalimin e kohës bëhen dembele, sepse nuk kanë përballë opozitë të fuqishme. SPD-së po i hakmerret edhe largimi hap pas hapi nga politikat socialdemokrate që lidhen me barazinë sociale. Një problem tjetër i SPD-së është se nga shtresat e joprivilegjuara të shoqërisë gjermane perceptohet si parti që interesohet më shumë për të huajt se për hallet e gjermanit të rëndomtë. Ky është perceptim i gabuar, por udhëheqja e SPD-së nuk ka arritur ta korrigjojë këtë imazh.

Tani mund të thuhet kaq: me dorëheqjen e kryetares së Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), Andrea Nahles, ka nisur edhe faza përfundimtare e qeverisë së kancelares Angela Merkel. Mediat gjermane supozojnë se pas pushimeve të verës kabineti do të bie dhe në dimër do të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në një koment që botohet në numrin e së hënës të «Süddeutsche Zeitung» parashikohet se pas verës koalicioni do të marrë fund dhe «me gjasë» në dimër do të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare. CDU, shkruan kjo gazetë, duhet menjëherë të gjejë një kandidat apo kandidate për kancelar/e, SPD duhet të gjejë një kryetar/e, një shef të grupit parlamentar dhe para së gjithash të gjejë veten. Por veten nuk do ta gjejë. Beteja për postin e kancelarit në të ardhmen do të zhvillohet mes CDU-së dhe të Gjelbërve. Ka shumë gjasa që 2 qershori të hyjë në histori si ditë kur filloi faza e fundit e qeverisjes së Gjermanisë nga Angela Merkel. Si në shumë vende të Europës edhe në Gjermani dy partitë kryesore – socialdemokratët dhe konservatorët – po humbin përkrahje. Këto parti kanë kontrolluar rreth një të tretën e trupit elektoral. Edhe kjo epokë po merr fund. Diçka e re po vjen. Ndoshta edhe një kancelar i gjelbër.