Përse ngutemi?

Ngutemi për të dalë nga avioni sapo të ketë aterruar, shtyhemi me bërryla e duar, por s’na bëhet vonë për gjërat më të rëndësishme të jetës. Jemi indiferentë dhe nuk na bëhet vonë të reagojmë kundër hajnisë së politikanëve e zyrtarëve shtetërorë! Jemi indiferentë e nuk na bëhet vonë në degradimin e vlerave kombëtare e njerëzore! Jemi krejt indiferentë ndaj problemeve të shumta socio-ekonomike, ndaj degradimit të arsimit, shëndetësisë, kulturës, e ndaj gërryerjes së substancës kombëtare! Nuk na intereson se gjithnjë e më shumë rreth nesh kemi një ambient të ndotur, lumenj të helmuar e si rrjedhojë edhe tokë të helmuar.

Ilustrimi: Shutterstock



Dikush mund të thotë se jeta e njeriut është e shkurtër, dhe për të pasur sukses dhe për të arritur sa më shumë në jetë, duhet të lëvizim shpejtë, të ngutemi e të shtyhemi sa më shumë për të arritur në cak! Kjo mund të jetë edhe e saktë, por edhe e pasaktë, varësisht nga cili kënd e vështrojmë çështjen dhe varësisht se për çka ngutemi!

Por, le të përmendim se për çka nguten shqiptarët? Për cilat punë ata nguten dhe shtyhen? Dhe cilat janë ato punë për të cilat asnjëherë nuk u bëhet vonë? Zakonisht kjo nguti bie në sy në vendet publike, siç janë pritjet në rend, hipja-zbritja në mjetet e transportit publik, autobusë, trena, aeroplanë etj., pikërisht këtu ku duhet të ketë rregull dhe ku ngutja nuk luan pothuaj asnjë rol.

Nguten në trafik, në ngasjen e makinave, ku ngutia mund të kushtojë me jetë dhe nga përllogaritjet e bëra ngutja ose shpejtësia e zhvilluar më e madhe se ajo e lejuar na kursen vetëm pak minuta kohë! E ku nuk ngutemi, për çka nuk na bëhet asnjëherë vonë?

Ta zëmë, udhëtarët e një aeroplani. Ata të gjithë njëherësh nisen dhe gjithashtu arrijnë në cak në të njëjtën kohë, në të njëjtën sekondë, minutë, në të njëjtën orë! Pra, përse dikush shpejton për të hipur ose zbritur kur nuk ka asnjë favor përveç përçmimit të të tjerëve?

Para pak ditësh në aeroplanin me të cilin fluturoja nga Prishtina për në Basel të Zvicrës në fund të fluturimit, pas arritjes në cak dhe shuarjes së zhurmës së motorëve, u ndjeva në siklet për shkak të shtyrjes dhe dëshirës së udhëtarëve për ta braktisur sa më shpejtë aeroplanin!

Korridori ose meskalimi i aeroplanit është tepër i ngushtë për t’i zënë të gjithë udhëtarët njëherësh. Isha i ulur përbri meskalimit, pranë një çifti të moshës mesatare i cili në të shumtën e kohës së fluturimit ishte i heshtur dhe shumë pak kuvendonin ndër vete. Burri, bile një kohë e kaloi në gjumë pa u bezdisur nga gruaja e tij. Me të arritur në cak, ende pa u shuar mirë zhurma e motorëve, si zakonisht në linjat ku shqiptarët përbëjnë shumicën absolute të udhëtarëve, ngrihen në këmbë, e zënë krejt meskalimin dhe ashtu presin deri sa aeroplani të bëhet i gatshëm për lirimin e udhëtarëve. Vërtetë një kaos.

Në këtë kaos, burri që kisha pranë, duke parë që unë nuk lëvizja nga vendi dhe po prisja deri sa të lirohej një çikëz meskalimi, ishte ngritur në këmbë dhe më thotë të liroj rrugë! Po si t’ia plotësoj këtë dëshirë, si ta bëj këtë kur nuk kisha ku të lëviz e ku të shkoj. Për ta bërë këtë më duhej ta shtyja dikë, dhe prandaj më e logjikshmja më dukej që të rrija më tutje ulur deri sa të krijoheshin kushtet për lëvizje.

Por kjo, jo vetëm nuk i pëlqente burrit të ulur pranë meje, të cilit ia kisha bllokuar daljen, por filloi të flasë me nervozizëm «ma liro rrugën, unë dua të dal, ti mund të rrish sa të duash!» Isha si në senduiç, megjithatë bëra përpjekje të ngrihesha e t’i liroja udhë duke i thënë se nuk kam ku të shkoj dhe se është e pakuptimtë që në këtë tollovi të gjithë të vrapojmë në drejtim të daljes!

Pas pak minutash, pasi filluan të zbresin udhëtarët, gjendja filloi të qetësohet dhe kështu u mundësua që të gjithë njëri pas tjetrit të zbrisnim paqësisht e në qetësi! Gjatë rrugëtimit nga aeroplani deri në kontrollin e pasaportave dhe prej këtu deri te pritja e bagazhit, u mundova të kap me sy bashkudhëtarin tim të padurueshëm e të ngutshëm. E pikova vetëm te pritja e bagazhit, pastaj afërsisht në të njëjtën kohë dolëm që të dy nga godina e aeroportit! Kot të vrisja mendjen se përse nxitonte ky njeri dhe shumë të tjerë si ai!

Ngutemi në gjëra krejtësisht të parëndësishme që nuk luajnë asnjë rol në kualitetin e jetës sonë. Ndërsa në anën tjetër nuk na bëhet vonë për gjëra e çështje tepër të rëndësishme që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në kualitetin e jetës sonë dhe në të ardhmen e brezave pas nesh! Jemi indiferentë dhe nuk na bëhet vonë të reagojmë kundër hajnisë së politikanëve e zyrtarëve shtetërorë! Jemi indiferentë e nuk na bëhet vonë në degradimin e vlerave kombëtare e njerëzore! Jemi krejt indiferentë ndaj problemeve të shumta socio-ekonomike, ndaj degradimit të arsimit, shëndetësisë, kulturës, e ndaj gërryerjes së substancës kombëtare!

Nuk na intereson se gjithnjë e më shumë rreth nesh kemi një ambient të ndotur, lumenj të helmuar e si rrjedhojë edhe tokë të helmuar, kemi male të prera e kodra të zhveshura, deponi mbeturinash «ilegale» anekënd vendit. Për krejt këto nuk na bëhet vonë, mbase mendojmë se të të tjerët do t’i bëjnë punët tona, ose t’ia lëmë që këto probleme t’i zgjidhin gjeneratat e ardhshme! As e para nuk do të ndodhë, por as e dyta, sepse po të mbetet gjendja kështu siç është, dyshoj se do të ketë gjenerata të ardhshme që do të rriten e jetojnë në këtë vend!

Kësaj gjendjeje i shkon edhe sot mirë thënia për Shqipërinë e Faik Konicës «E lindur nga idealistët, e shpëtuar nga rastet, e vrarë nga politikanët». Puna nuk duhet të shkojë, as duhet të lejojmë të shkojë deri në këtë pikë të dhimbshme e katastrofale. Heshtja dhe mbyllja e syve ndaj problemeve që kemi si komb e si shtet nuk na e lehtëson, nuk na e bën më të mirë jetën personale. Me këto cilësi e veti të këqija tregohemi se jemi servilë, pa dinjitet e të pakarakter! Të shpejtojmë aty ku duhet sepse jemi të vonuar, bile tepër të vonuar edhe në bërjen e shtetit edhe në emancipimin e kombit!