Përmbledhje e reagimeve kundër veprimeve të sotme të opozitës në Kuvend

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, i ka vlerësuar si të shëmtuara veprimet e deputetëve të opozitës në Kuvend.




«Presidentja dënon veprimet e papranueshme që shkaktuan ndërprerjen e punës së Kuvendit të Kosovës, për të tretën javë me radhë. Këto veprime të deputetëve të opozitës janë të shëmtuara dhe në kundërshtim me praktikën demokratike dhe sjelljen institucionale, të cilën po mëtojmë ta ndërtojmë», thuhet në reagimin e presidencës, transmeton Koha.net.

Jahjaga fton deputetët e Kuvendit të Kosovës të distancohen nga dhuna. Edhe Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj situatës së krijuar në seancën e Kuvendit.

Nëpërmjet një komunikate për media, Qeveria shpreh keqardhje për dhunën që, sipas saj, një grup i deputetëve të opozitës përdori në seancë.

Veprimet e disa deputetëve të opozitës i ka dënuar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

«Armët nuk kanë vend në parlamente. Sjellja e tmerrshme e anëtarëve të caktuar të Kuvendit nga radhët e opozitës – e cila çoi te kërkimi i kujdesit mjekësor për anëtarët tjerë të Kuvendit si dhe për vëzhguesit ndërkombëtarë, përfshirë personelin nga Ambasada e SHBA-së bën tallje me njërën nga institucionet më të rëndësishme demokratike të Kosovës», thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Shtetet e Bashkuara fuqimisht kërkon nga opozita që të heq dorë nga përdorimi i dhunës si taktikë politike, dhe që të angazhohet konstruktivisht në punën e rëndësishme të Kuvendit për të avancuar interesat e popullit të Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj veprimeve të sotme në Kuvend. Ai thotë se është i zhgënjyer nga veprimet e opozitës dhe se nga sulmet e tyre kanë pësuar edhe ata që ia kanë kushtuar jetën idesë për Kosovën e lirë.

Thaçi ka përshëndetur edhe qëndrimin e deputetëve të pozitës dhe ka thënë se ndihet mirë që edhe faktori ndërkombëtar nuk po i përkrah veprimet e opozitës.

«Opozita nuk është duke cenuar vetëm demokracinë në Kosovë por tani ka filluar të cenojë edhe integritetin personal, dinjitetin e madje edhe vet shëndetin e deputetëve të Kosovës. E duke sulmuar deputetë, duke penguar punën e Kuvendit, opozita po vepron drejtpërdrejt edhe kundër vet themeleve të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Prandaj, jam i zhgënjyer», ka shkruar Thaçi.

Ai në fund ka shkruar se qeveria nuk do ta tërheqë nënshkrimin nga marrëveshjet dhe se data e zgjedhjeve të ardhshme nuk do të ndryshojë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e ka vlerësuar si antidemokratike hedhjen e gazit lotsjellës në seancën e sotme nga ana e opozitës.

Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, deklaroi se kjo që ndodhi sot është një dhunë.

«Është dhunë kjo që ndodhi sot. Me këto që ndodhen ishte e rrezikuar jeta e të gjithë deputetëve», ka deklaruar Shala, i cili theksoi se u tejkaluan edhe veprimet demokratike. Siç u shpreh ai, opozita me këto sjellje po e dëmton imazhin e vet dhe nuk i kontribuon asaj, për të cilën deklarohet me gojë.