Perlat shqiptare jehojnë në Beograd

Ndryshe prej koncerteve në qytetet e tjera jashtë Kosovës, Besa Llugiqi ka ndier përgjegjësi më të madhe para se të dilte në skenën e qendrës kulturore «Parabrod» në Beograd. Por e mahnitur është ndarë me reagimet e audiencës, shkruan sot Koha Ditore.




«Sa jam krenar, sa jam krenar», kanë qenë vargjet e fundit të veprës «Agime shqiptare» të Avni Mulës, me të cilat e ka përmbyllur Llugiqi paraqitjen e saj. Publiku është ngritur në këmbë dhe ka duartrokitur gjatë.

«Pati reagime të mira pas koncertit», ka theksuar sopranoja Llugiqi, që ka performuar në bashkëpunim me pianisten Lirika Pula në koncertin e muzikës klasike në kuadër të festivalit «Mirëdita, dobar dan», që sivjet i është kushtuar tetëdhjetëvjetorit të lindjes së aktorit Bekim Fehmiu. Artisteve nga Kosova u kanë dhuruar buqeta lulesh dy tinejxhere.

«Jam mahnitur. Nuk di çfarë të them», ka thënë beogradasja në mes të viteve tridhjetë, që është prezantuar si Radmila. Ajo ishte njoftuar rastësisht me Pulën në Bullgari.