Perëndimi bën sehir teksa Maqedonia po zhytet në krizë

Maqedonia është shtet i vogël me institucione të brishta, pa traditë demokracie dhe me trashëgimi të pakënaqësisë etnike – dhe tani po e ha veten në një botë të rrezikshme

Foto: Giovanni Vale / Shutterstock.com



Një shtet i vogël në Ballkan është në krizë. Punët janë pështjellë në Maqedoni. Nëse vendi vazhdon të zhytet edhe më thellë në kaose – ngjarjet tregojnë se të gjithë rrugët çojnë në këtë drejtim – atëherë nuk do të rrezikohej vetëm funksionimi i demokracisë, por edhe integritetit të shtetit.

Në njëfarë forme, kriza është shndërruar në normë në Maqedoni. Prej daljes prej rrënojave të Jugosllavisë në fillim të viteve nëntëdhjetë, vendi nuk ia ka dalë të bëhet shtet i qëndrueshëm në këtë rajon me telashe. Greqia fiqnje ia refuzon Maqedonisë të drejtën e emrit kushtetues; Bullgaria konteston pretendimet maqedonase për identitet të ndarë kombëtar; dhe Serbia ia mohon të drejtën për të pasur kishë autonome autoqefale.

Për më keq, Maqedonia është thellësisht e ndarë ndërmjet popullsisë sllave si shumicë, të njohur si maqedonas dhe pakicës së madhe shqiptare, që përbën rreth çerekun e popullsisë. Më 2001, dy vjet pasi shqiptarët e Kosovës fqinje ia dolën të shkputeshin prej Serbisë, kryengritjen e tyre e nisën edhe shqiptarët e Maqedonisë. Të alarmuar për shkak të pasojave për stabilitetin rajonal, Perëndimi përnjëherë ndërhyri dhe ndërmjetësoi një marrëveshje që shqiptarëve t’ua prishte planet për ndarje në këmbim të të drejtave më të mëdha politike.

Maqedonia prej atëherë nuk është përmendur më prej Perëndimit. Zyrtarisht, shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por rrugëtimi i është bllokuar prej Greqisë, dhe është Bullgaria, që herë e përkrah e herë i rri ftohtë. Njëjtë është edhe kur vjen puna te anëtarësimi i Maqedonisë në NATO.

Si rezultat i kësaj, Maqedonia është shtet i vogël me institucione të brishta, pa traditë demokracie dhe me trashëgimi të pakënaqësisë etnike – dhe tani po e ha veten në një botë të rrezikshme.

Pavarësisht sfidave të shumta, dukej se Maqedonia po shënonte përparim në dekadën e fundit. VMRO-ja, e prirë prej reformatorit të ri, Nikola Gruevski, erdhi në pushtet duke fituar ndaj  ish-komunistëve dhe solli ndryshime radikale në sferën e biznesit, duke gjeneruar nivele mahnitëse të rritjes ekonomike. Njëherësh, ish-krerët e kryengritjes shqiptare pastaj formuan partinë e tyre, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që hyri në koalicion me VMRO-në, duke siguruar stabilitet të gjerë politik.

Pas kësaj fasade politike, sistemi i patronazhit tradicional të Maqedonisë, që s’e bën hesap sundimin e rendit dhe ligjit për të fituar pushtetin, vazhdoi të dominonte qeverisjen. Kjo u bë sheshit e ditur në shkurtin e kaluar kur prijësi i partisë opozitare, Zoran Zaev, nxorri se kishte mijëra biseda telefonike të përgjuara, që zbulonin korrupsionin, vjedhjen e votave dhe kriminalitetin në nivelet më të larta të vendit.

Dëshmitë sugjerojnë se përgjimet ishin kryer prej shërbimeve lokale të inteligjencës në një operacion të madh spiunimi, të prirë prej Gruevskit, që dinte gjithçka që po ndodhte në vend – në mesin e opozitës, biznesit, madje edhe në kabinetin e tij. Kjo jo vetëm që i ndihmoi ta ruante pushtetin, por edhe të kishte nën kontroll ekonominë me marrëveshje tëdyshimta. Dhe krejt papritmas, dikush në shërbimet sekrete mendoi se ishte bërë boll më dhe ia dha opozitës përgjimet.

Në javët pasuese, Zaev nisi të publikonte përgjimet në një seri konferencash të profilit të lartë, duke kërkuar njëherësh pandërprerë largimin e qeverisë. Gruevski në fillim pretendonte se përgjimet ishin fabrikuar dhe në njëfarë forme kundërthënëse akuzonte Zaevin për tradhti dhe bashkëpunim me një shërbim të huaj të inteligjencës, që po punonte për rrëzimin e Qeverisë dhe destabilizimin e Maqedonisë.

Dhe teksa po rritej presioni ndaj Gruevskit, ai inskenoi hapur me partnerët e tij shqiptarë të koalicionit një incident sigurie në qytetin kufitar të Kumanovës, ku u përleshën në luftime një grup paramilitarësh shqiptarë nga Kosova dhe policia maqedonase. Nëntëmbëdhjetë persona mbetën të vrarë.

Megjithëse qëllimi kryesor ishte që të largohej vëmendja prej skandalit të madh të korrupsionit, ndodhi krejtësisht e kundërta kur dhjetëra mija persona dolën në rrugë duke kërkuar dorëheqje të qeverisë – jo vetëm maqedonas, por edhe shqiptarë që po qortonin krerët e tyre për tradhtimin e luftës së tyre kombëtare për dinjitet dhe të drejta.

Kur disa prej protestave u përshkallëzuan në dhunë, nisi të përfshihej BE-ja si ndërmjetësuese për arritjen e marrëveshjes ndërmjet opozitës dhe qeverisë. Si rezultat i kësaj erdhi Marrëveshja e Przhinos, nënshkruar në qershorin e vitit të kaluar, që ishte udhërrëfyes për të dalë prej krizës.

Bërthama e marrëveshjes ishte mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, që fillimisht ishte menduar të mbaheshin në prill. Para zgjedhjeve, qeveria ishte pajtuar që të kishte administratë të përkohshme ku do të përfshiheshin politikanë të opozitës, dhe që Gruevski të jepte dorëheqje si kryeministër. Qeveria u pajtua gjithashtu që të pastroheshin listat zgjedhore, meqë ato kishin mijëra votues fantomë të VMRO-së dhe BDI-së, dhe që opozitës t’i jepej hapësirë e barabartë në mediat shtetërore.

Krahas kësaj, BE-ja kërkoi emërimin e një Prokurori Special të pavarur për hetimin e dëshmive që përmbanin përgjimet e publikuara.

Przhino solli njëfarë qetësie të përkohshme, por pa përparim të theksuar. Para së gjithash qeveria dështoi që të pastronte listat zgjedhore dhe që të hapte qasjen në media, duke i shtyrë zgjedhjet për në qershor. Pastaj u ndërprenë kontaktet me përfaqësuesin e BE-së në terren. Si kundërpërgjigje ndaj kësaj, Zaevi dhe partitë e tjera opozitare bënë të ditur se do të bojkotonin zgjedhjet, duke pretenduar se pengesat qeveritare e bënin të pamundshme të kishte zgjedhje të drejta.

Dhe derisa topi ishte në fushën e qeverisë, presidenti i Maqedonisë, që konsiderohet gjerësisht si vegël e qeverisë, përdori muajin e kaluar autoritetin e tij për të falur të gjithë ata që ishin duke u hetuar prej prokurores speciale, duke ia pamundësuar asaj të zbatonte fuqinë e ligjit. Përsëri, popullsi që ndihej e rrezikuar prej shtetit, doli në rrugë, duke kërkuar dorëheqje të qeverisë dhe presidentit në atë që po quhet Revolucioni Shumëngjyrësh. Njëherësh në linjën e këtyre zhvillimeve, edhe BDI njoftoi se do t’i bashkohej opozitës në bojkotimin e zgjedhjeve.

Me Maqedoninë që kishte marrë rrugën drejt një gare me vetëm një parti në zgjedhje, u rrit edhe presioni i diplomatëve evropiane ndaj këtij vendi. BE-ja e tha troç se nuk do ta njihte rezultatin e zgjedhjeve të kurdisura. Dhe Gjermania, partnerja më e madhe tregtare e vendit, e angazhoi ndërmjetësuesin e saj që t’u bënte më shumë presion politikanëve lokalë, duke nisur me ndërprerjen e planeve për zgjedhje të përkohshme të kurdisura.

Dhe dukej se këto përpjekje ia kishin vlejtur. Pas diskutimeve me ndërmjetësuesin gjerman, BDI përdori autoritetin e saj për të dërguar peticion në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë për anulimin e zgjedhjeve. Gjykata ka nxjerrë javën e kaluar verdiktin se në një shtet shumëpartiak do të ishin antikushtetuese zgjedhjet me vetëm një parti, dhe ka anuluar planet për mbajtjen e zgjedhjeve.

Deri tash nuk është keq. Por mbetet çështje e diskutueshme se çka do të na sjellë e nesërmja.

Në skenarin më të mirë, VMRO-ja do të mundohet ta amortizojë presionin popullor e ndërkombëtar, dhe që të marrë kontrollin e administratës teknokratike që krijoi kushtet për zgjedhje të ndershme që do të duhej të mbaheshin në pjesën e dytë të vitit. Presidenti nga ana e tij, do të duhej të tërhiqte të gjitha vendimet për amnisti dhe të lejonte përparimin e procesit të drejtësisë. Pas transicionit deri te një qeveri post-Gruevski, dhe me daljen në skenë të figurave të reja politike, BE-ja dhe SHBA-ja do të duhej t’i kërkonin Greqisë të hiqte dorë prej bllokadës 25-vjeçare dhe ta vinin Maqedoninë në rrugën e integrimit perëndimor.

Megjithatë, gjërat nuk është se po shkojnë fjollë. Një gjë që tashmë dihet është se Gruevski nuk do të lëshojë me vullnet pushtetin nga duart, sidomos tani që i ka ardhur dita. Megjithëse anulimi i zgjedhjeve është fitore kushtetuese, gjendja padyshim se ia lë të lira duart në pushtet VMRO-së, dhe nuk do ta ketë barrën e sfidës së zgjedhjeve të menjëhershme.

Për më tepër, pas votimit të kësaj jave në parlament, VMRO-ja dhe BDI-ja kanë përdorur autoritetin e tyre për të larguar ministrat e opozitës nga qeveria, duke i dhënë në fakt fund administratës së përkohshme dhe duke rikthyer koalicionin e vjetër. Dhe në këtë linjë, Gruevski mund të llogarit edhe në votat e njerëzve të punësuar në punë të shtetit. Ata janë qytetarë që me fatin e tij e kan të lidhur edhe vendin e punës dhe mirëqenien. Ata mund të dalin në rrugë dhe të përballen me protestuesit e opozitës.

Me pak fjalë, krejt çfarë i duhet Gruevskit për të mbetur në pushtet është ruajtje e gjendjes së statuskuosë.

Ka mundësi që BE-ja ta rrisë presionin ndaj Gruevskit. Gjatë javëve të kaluara, disa evropianë janë kërcënuar se do ta sanksionojnë VMRO-në me qëllim që ta detyrojnë të zbatojë marrëveshjen, por nuk dihet nëse do ta kenë mbështetjen e vendeve të Evropës Qendrore, që u duhet Maqedonia në anën e tyre për të mbajtur të mbyllur rrugën ballkanike të migrimit.

Edhe nëse BE-ja do ta sanksiononte qeverinë, vetëm do të mund t’i jepte shtytje për t’u afruar edhe më shumë me Rusinë, që do të ishte mundësi e artë për strategjinë ruse për ndikim më të madh në terren në Ballkan.

E gjithë kjo hallakamë është mundësi e pashmebullt për BDI-në dhe shqiptarët. Sikurse po shkojnë punët, VMRO-ja mbetet në pushtet dhe me koalicion të brishtë, por vetëm falë peticionit të BDI-së në Gjykatën Kushtetuese dhe për rrjedhojë me anulimin e zgjedhjeve.

Dhe BDI kërkon diçka në këmbim të kësaj, dhe çfarë ka shumë mundësi – ajo është federalizimi i Maqedonisë. Kjo jo vetëm se ka dalë si kërkesë qenësore për shqiptarët etnikë, që duan të sigurojnë të drejtat e tyre; por me këtë flamur në dorë do të mund të ringjallej popullariteti në rënie i BDI-së.

Dhe kjo gjendje ka mundësi ta shndërrojë krizën qeveritare në krizë shtetërore. Shqiptarët do të mundohen të negociojnë federalizimin me VMRO-në me mundësinë e daljes nga qeveria, duke minuar shumicën parlamentare dhe duke çuar vendin në zgjedhje të menjëhershme. Por nëse VMRO-ja nuk do ta bëjë hesap këtë kërkesë për shkak të mundësisë së ngritjes kundër të nacionalistëve maqedonas, atëherë BDI-ja do të mund të dilte gjithsesi nga qeveria, duke i dhënë fund ndarjes së pushtetit prej dy etnive, dhe duke krijuar de fakto ndarje të vendit në linja etnike.

Shqetësimet rriten edhe më shumë për ngjarjet në Maqedoni kur dihet se Kosova fqinje ëhstë në gjendje të krizës së thellë politike pas marrëveshjes së vjetme të ndërmjetësuar nga BE-ja për ndarje të ngjashme në linja etnike të vendit. Me shqiptarët në të dy anët e kufirit poroz që negociojnë çështje të territorit dhe qevrisjes, vetëm optimistët më të mëdhenj do të besonin se dy skenarët nuk do të jetësohen.

Nuk dihet ende rrugëdalje prej krizës, dhe punët do të shkojnë edhe më keq para se të marrin të mbarën. Vetëm mbetet të shpresohet se nuk është bërë tepër vonë për ta frenuar Maqedoninë që të mos futet krejtësisht në spiralen e daljes nga kontrolli.

(«Independent», Autori është drejtor i organizatës politike këshillëdhënëse, «Nova Europa», dhe është hulumtues në Forumin Gjeopolitik të Universitetit të Cambridget)