Për një qeveri të dekriminalizimit të shtetit

Të dalin kundër korrupsionit ata që e kanë lëvruar, mbjellë, ushqyer e ujitur atë, është në vetvete një absurd që përveç militantëve askush nuk e beson. Andaj, më 6 tetor çdo qytetar i Kosovës duhet të votojë për një ndryshim thelbësor të kursit politik. Në këtë kontekst dhe në këto rrethana, konstelacioni është i tillë që vetëm një koalicion LDK-VV të bëjë të mundur të nisë ndryshimi e të fillojë të dekriminalizohet shteti. Kosova domosdo duhet të evropianizohet!

Foto: Shutterstock



Ka një javë që ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore e partive politike për të garuar për legjislaturën e re në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe kanë mbetur vetëm edhe pak ditë kur qytetarët të shkojnë te kutitë e votimit. Në të vërtetë kjo fushatë ka filluar shumë më herët, menjëherë pas dorëheqjes së Kryetarit të Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj! Në këtë fushatë të partive politike e të liderëve të tyre nuk janë vetëm këta të fundit aktiv, por në të marrin pjesë drejtpërdrejtë ose tërthorazi edhe shumë akterë të tjerë, siç janë mediumet publike që synojnë të krijojnë te publiku i tyre një opinion të caktuar, pastaj mediat dhe rrjetet e shumta sociale, analistë politikë, mediatorë, profesorë analitikë, intelektualë të ndryshëm të cilët mëtojnë se janë neutralë në analizën e tyre por që në të vërtetë duket sheshit se një numër syresh, varësisht se cilit grupim ia mbajnë anën, nuk janë aspak të tillë. Ky lloj i analistëve në këtë rast më shumë janë neutralë (lexo: të shpërfillshëm) karshi interesit të përgjithshëm, interesit qytetar, se sa në raport me partitë politike!

Kjo garë politike ku marrin pjesë edhe të gjithë akterët e sipërpërmendur, i ngjanë shumë një cirku të madh politik e kulturor në të cilin qytetari i thjeshtë, i papolitizuar e me një formim mesatar ka kokëdhembje dhe e ka të vështirë të kuptojë se çfarë është duke ndodhur. Kjo fushatë atij i shkakton marramendje të tmerrshme! Ka aq shumë deklarata, edhe krejt të pakuptimta, saqë të shkaktojnë vërtetë marramendje. Këso deklarata nuk bëjnë vetëm politikanët, por edhe analistë, profesorë universitarë e intelektualë të ndryshëm. Për shembull në debatet e kandidatëve me analistë nëpër studiot televizive, analisti dhe profesori universitar Rrahman Paçarizi, por edhe analistë të tjerë, thonë se «qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit do të jetë qeveri e dialogut dhe se në këtë kontekst kjo qeveri nuk do të mund të merret me çështje të zhvillimit të brendshëm».

Ky lloj analistësh i mbanë iso qeverisjes së keqe në Kosovë sepse qe dy dekada dialogohet me Serbinë dhe Kosova nuk mund të presë edhe më shumë në përfundimin e dialogut e pastaj të nisë zgjidhjen e problemeve të brendshme, sepse një qeveri e aftë dhe e përgjegjshme do t’i kishte zgjidhur njëkohësisht të dyja çështjet. Po të ishte kështu siç thonë këta «analistë» asnjë qytetar i Republikës së Kosovës nuk do të duhej të dilte më 6 tetor te kutitë e votimit! Qëndrime e deklarata të tilla krejtësisht diletante më shumë i ngjajnë qyfyreve se sa analizave serioze e të njëmendta.
Por jo, të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të dalin më 6 tetor te kutitë e votimit dhe të votojnë jo për një qeveri të dialogut, por për një qeveri të dekriminalizimit të shtetit! Sado që dialogu me Serbinë, edhe për shkak të trysnisë së ndërkombëtarëve, por edhe nga shkaku i degjenerimit të këtij procesi dialogues nga Qeveria dhe Presidenti i Kosovës në këto dy vitet e fundit, mund të jetë një kapitull i rëndësishëm që kërkon një vëmendje dhe sidomos çasje krejt tjetër, kjo temë për çdo qeveri përgjegjëse nuk mund të jetë prioriteti numër një. Kosova ka qenë në dialog me Serbinë që nga përfundimi i luftës, disa vite me pakon e Ahtisaarit, e disa të tjera me dialogun teknik duke kaluar së fundmi në dialogun politik. Fjalët «dialog», «bisedime», «Serbi» janë fjalët që qytetarët i kanë dëgjuar më së shumti në fjalorin politik të politikanëve joseriozë e të papërgjegjshëm, janë fjalë që për njëzet vjet ua kanë shurdhuar veshët!

Shpërdoruesit e shtetit, dialogun e kanë përdorur si maskë për dështimet e tyre të brendshme dhe për t’u thënë qytetarëve se «përkundër lirisë së fituar, ju duhet të prisni e të jeni të durueshëm në zgjidhjen e problemeve tuaja sepse Kosova ka ende probleme të mëdha me Serbinë». Dialogu u është paraqitur si një gogol qytetarëve tanë. Ky gogol edhe tani dëshirohet të mbahet i gjallë nga shumë «intelektualë analistë» që i mbajnë iso partive dhe politikanëve të përgjegjshëm anipse të gjithë e dinë se çfarë duan qytetarët e Kosovës! Ata duan më shumë standard jetësor, më shumë shëndetësi, më shumë arsim e kulturë, më shumë sport e ambient të shëndoshë, më shumë dinjitet, më shumë atdhe, më shumë komb, më shumë evropianizim. Ata nuk duan «më shumë dialog» sepse këtë e kanë pasur me bollëk! Ata nuk duan që vetëm të flitet me demagogji për integrime evropiane, e të punohet me ngulm në instalimin e lindjes në atdheun e tyre!

«Mos i votoni ata që tradhtuan elektoratin e partisë sepse nesër do ta tradhtojnë edhe kombin» – është një prej shumë sihariqeve që kanë qarkulluar këtyre ditëve. Deklarime të tilla tregojnë mendësinë akoma shumë prezente të ideologjisë së komunizmit te ne. Nëse nuk je me ne, je armik i kombit! Shqiptarët në të kaluarën e tyre kanë qenë shumë shpesh objekt manipulimi nga të tjerët, por që nga pavarësimi i Shqipërisë më 1912 dhe çlirimi i Kosovës më 1999 ata në periudhën e lirisë janë shndrruar në objekt të tillë nga idolët dhe prijësit e tyre!

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli në këtë fushatë zgjedhore është duke i prirë luftës «kundër korrupsionit e nepotizmit» në atë mënyrë sikurse ai sapo të kishte ardhur nga një planet tjetër për të jetuar në Kosovë! Nuk është ai me bashkëpartiakët e tij që bartë vulën e korrupsionit e nepotizmit në vendin tonë? Të dalin kundër korrupsionit ata që e kanë lëvruar, mbjellë, ushqyer e ujitur atë, është në vetvete një absurd që përveç militantëve askush nuk e beson. Por, çfarë efekti dëshirohet të arrihet me këtë sllogan në një atmosferë dhe disponim antikorrupsion që dominon tanimë në pjesën dërmuese të shoqërisë, kjo është më shumë çështje e një psikoanalize! Se ky lloj i politikanëve do ta bëjë vendin më të mirë e më të jetueshëm, apo do ta kthejë atë në një kaos edhe më të madh dhe në një shkretëtirë në të cilën nuk mund të jetohet, kjo pyetje zakonisht shtrohet atëherë kur është bërë vonë!

Për këto zgjedhje që po mbahen pas njëzet vjet lirie, do të dëshironim që konteksti dhe rrethanat e mbajtjes së tyre të ishin më të favorshme. Do të dëshironim që partitë politike të kishin nivel tjetër të kulturës, por ky kontekst dhe këto rrethana janë ashtu siç janë dhe votuesit e kësaj të diele do të jenë para një obligimi dhe përgjegjësie si asnjëherë më parë, të mundësojnë më në fund pas një agonie të gjatë ndryshimin dhe zhvillimin e vendit. Në këtë kontekst dhe në këto rrethana, konstelacioni është i tillë që vetëm një koalicion LDK-VV të bëjë të mundur të nisë ndryshimi e të fillojë të dekriminalizohet shteti. Edhe pse ky koalicion duket për shumë arsye i vështirë, që në një kontekst dhe rrethana tjera nuk do të kishte qenë i mundur, megjithatë ky koalicion është sot e vetmja mundësi për të bërë ndryshimin aq shumë të dëshiruar! Kosova domosdo duhet të evropianizohet!